FLATRA, është publikuar për herë të parë më 06. 04. 2011.

Një hapësirë e artit dhe kulturës, e përditshmërisë sonë dhe realitetit social, e letërsisë dhe e librit, e lindur në një periudhë ku mediat e shkruara po pësonin një rënie globale.

Revistat dhe shtypi ditor në mbarë botën pohonin se interneti po shkakton humbje të mëdha dhe se versioni i shtypur po përballet me realitetin e hidhur të mbijetesës, në një kohë ku lajmi, themeli i gazetarisë, përhapet me shpejtësi marramendëse pikërisht falë internetit.

FLATRA në versionin e shtypur, publikohet çdo fillim muaji, 12 edicione brenda periudhës një vjeçare. Secili numër/edicion i revistës së shkruar sjellë profile, reportazhe, histori e rrëfime në një këndvështrim të krijimit të një raporti tjetër me lexuesin dhe jo vetëm një plasim sipërfaqësor i informacionit.
Me gjithë përkushtimin e vazhdueshëm që kemi në realizimin sa më profesional dhe të saktë të informacioneve e artikujve nga fushat përkatëse, që ka në qendër të saj FLATRA e shkruar, në portalin online www.revistaflatra.com, gjithashtu mund të lexoni për shkrimtarët e preferuar, artistët, reportazhe e tema të ndryshme sociale dhe paralelisht të informoheni për ngjarjet ditore nga arti dhe kultura vendore e ndërkombëtare.

Kur MTV lansoi në vitin 1981, videon e parë muzikore, "Video killed the radio star" nga The Buggles, qëllimi ishte i qartë; televizioni do të vriste radion e modës së vjetër. Përgjatë viteve shumë teknologji kanë tentuar dhe kanë pasur për qëllim të shuanin radion: fotot, TV, kasetat, CD, iPod. Sot kemi shërbimin streaming të muzikës siç është Spotify. Të gjithë deri tani kanë dështuar.

Prandaj, edhe media e shkruar nuk mund të vritet sepse sot në kohën e informacionit dixhital, jemi të vetëdijshëm se është më se e nevojshme, që lexuesit t'i ofrojmë përmbajtje cilësore dhe interpretim të saktë të ngjarjeve që na rrethojnë dhe ne do të vazhdojmë të jemi çdo muaj, në duart e lexuesve besnikë të FLATRËS dhe të shkrimit në letër!





dsc_0234-2Brunilda Merko

kryeredaktore
brunamerko@hotmail.com

 


  • flatramagazine@gmail.com
  • revistaflatra@yahoo.com