Intervista

Zbulimi i hershëm është mbijetesë

Kanceri është një sëmundje që të “lexon” shpirtin, nëse je luftëtar apo një humbës… ndërsa shumë personazhe të Flatrës, kanë pasur një emërues të përbashkët, falënderimin dhe mirënjohjen për mjekët, aleatët kryesor në këtë betejë. Si çdo muaj Flatra i kushton një hapësirë ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit të gjirit, jo thjeshtë për të thyer tabutë, por edhe për ta parandaluar atë.  Në këtë intervistë dr. Brunilda Profka Haxhiu, onkologe në QKUK, tregon më shumë për simptomat e kancerit të gjirit, thekson nevojën për një ndërgjegjësim gjithmonë e më të madh, njëkohësisht ndan me ne emocionet e këtij profesioni fisnik përballë një prej sëmundjeve më të rënda, siç është kanceri. Së bashku duhet të përçojmë mesazhin e jetës, dashurisë dhe guximit.

 

Sapo lamë pas një muaj që u shënua me aktivitete të ndryshme sa i përket ndërgjegjësimit për sëmundjen e kancerit, mund të na flisni pak më shumë se sa janë të informuara gratë në Kosovë?

  Në mbarë boten muaji tetor shënon muajin e ndërgjegjësimit të kancerit të gjirit.Kjo fushatë vjetore ndërkombëtare synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.  Sikurse kudo edhe në Kosovë realizohen çdo vit fushata vet-dijësuese ku rol të rëndësishëm luan media vizive dhe ajo e shkruar, rrjetet sociale, aktivitetet e shoqatave jo qeveritare (OJQ)dhe së fundmi por jo më pak e rëndësishmja  strukturat e politikbërjes.  Kanceri i gjirit është në krye të listës sa u takon shkaktarëve që çojnë në humbjen e jetës te femrat.  Personalisht, mendoj që gratë kanë informacionin e mjaftueshëm, por është frika ajo që prevalon. Duke pasur frikë, ato neglizhojnë kontrollet periodike që janë të rëndësishme për diagnostikimin e hershëm.  Përgjithësisht, gratë që vijnë nga zonat urbane kanë më shumë informacion. E kundërta ndodh me gratë në zonat rurale, ku frikës, pasigurisë, turpit i shtohet mungesa e informacionit dhe kontaktet e rralla me mjekun. Kjo bën që ato të paraqiten në faza shumë të avancuara.Kjo situatë ka qenë më e shprehur para disa viteve ku numri i rasteve me kancer gjiri të avancuar ka qene më i madh krahasuar me dy vitet e fundit nga praktika jonë në Klinikën e Onkologjisë.Sot falë avancimit të teknologjisë dhe informacionit që mund ta marrim kudo pa harruar rolin e të gjithë palëve të përfshira në këtë fushatë duhet të pranojmë kemi një rritje të vet-dijësimit të grave në Kosovë vit pas viti.

  Cilat janë simptomat e para, që duhet t’i drejtojnë gratë menjëherë për te onkologu?

 Fokusi i bisedave tona dhe fushatave sensibilizuese të muajit tetor është parandalimi dhe zbulimi i hershëm i sëmundjes pa dhënë simptoma sidomos kur bëhet fjalë për kancerin e gjirit. Këtu qëndron dhe çelësi i suksesit!  Kjo mund të arrihet duke bërë kontrollet rutinë vjetore dhe ekzaminimet përkatëse sipas moshës. Për fat gjiri është një organ i jashtëm i trupit ku mund të vërehen lehtësisht ndryshimet. Simptomat kanë një spektër të gjerë të manifestimeve, duke filluar nga prekja e një kokrre në gji që nuk ka qenë më herët apo prekja e një kokrre nën sqetull, retraktimi i mamilës (futja brenda e kokës së gjirit), rrjedhja gjak nga gjiri që në fakt vjen nga ulcerimi i tumorit, skuqje lokale e lëkurës e cila njihet dhe si fenomeni lëkura e portokallit, asimetria e gjinjve, në raste shumë të avancuara ulcerime të lëkurës dhe plagë të hapura. Të gjitha këto janë shenja që të vënë në alarm për t’u paraqitur menjëherë te mjeku specialist. Por mos të harrojmë që jo çdo gjëndër në gji është detyrimisht kancer sepse gjiri ka dhe patologji beninje. Para se të dalim në këtë konkluzion vlerësojmë një sërë faktorësh, kryejmë ekzaminimet përkatëse dhe e fundit që konfirmon ose përjashton patologjinë malinje është biopsia e gjëndrës që prekim.

  Mund të na sillni një rrëfim personal nga përvoja juaj në takimet dhe trajtimet në vendin e punës  ku punoni?

 Në Klinikën e Onkologjisë pranë QKU-së ku punoj prej tre vitesh sistemi është i tillë që pacientët vijnë për trajtimin me kimioterapi ose radioterapi pas diagnostikimit me kancer gjiri. Pacientes i është referuar lajmi nga kirurgu që ka kryer intervenimin por ka raste që vijnë me rezultatin direkt dhe te ne. Gjatë kohës së specializimit në Tiranë ku dhe kirurgjia ka qenë e përfshirë në shërbimin Onkologjik kam parë shumë raste kur i është komunikuar diagnoza për herë të parë.   Është e vështirë të harrosh lotët e derdhur të vajzave e grave kur marrin vesh lajmin. Ndjesia e parë që të vjen është të qash. Nuk është e lehtë të përballesh me lajmin se në trupin tënd gjendet një tumor. Në fillim qajnë, më pas nisin të rebelohen me sprovën që fati ua kurdisi. Më pas vjen faza e pranimit, kurajës dhe e bashkëpunimit. Ato paciente që i ke parë të qajnë, i dëgjon të thonë: doktoresha jam shumë mirë, do ta kaloj.  Sa herë i shoh pacientet gjatë kontrolleve apo terapive që janë plot shpresë e jetë më mbushet zemra që më duhet të marr shembull prej tyre se janë heroina të vërteta. Ato vazhdojnë jetën normalisht, punojnë , janë aktive në jetën sociale, kujdesen për familjen, fëmijët, prindërit, bashkëshortin dhe nuk dorëzohen lehtë.

Ndodh shpesh që në fytyrat e tyre të brishta ngrihet një shqetësim i sinqertë: “a do ta trashëgojë vajza ime këtë sëmundje”? Këtu ngelemi pa përgjigje dhe frika e pasiguria te këto gra rritet pasi ato nuk marrin përgjigje. Pasi kryerja e analizës gjenetike ka një faturë të shtrenjtë për hir të së vërtetës dhe nuk është ekzaminim rutinor, por pasi vlerësohen faktorët e riskut mund të rekomandohet.

 Por pse ekziston ende një tendencë nga gratë apo familjarët e tyre, që të vizitohen apo edhe kurohen jashtë Kosovës …Pse po ikin?

Mendoni që është tendencë ende…? Në fakt po shohim mjekë që ikin por ikja e pacientëve nuk është në këtë trend…Ne që përballemi përditë e shohim numrin e rasteve dhe rezulton që është një pakicë e vogël që shkojnë në vendet fqinje.  Për të kryer një konsultë apo për të marrë dhe një mendim të dytë është praktikë që ndodh dhe në vendet e botës së zhvilluar pasi rastet onkologjike janë specifike dhe kërkohet dhe një mendim nga mjekë specialistë që kanë përvojë më shumë. Në pacientet tona ajo që më së shumti preferojnë jashtë mund të jetë kirurgjia. Sa i takon modaliteteve të tjera të trajtimit që janë terapia sistemike dhe e lokalizuar e kam fjalën për radioterapinë pacientet e kryejnë ne klinikën tonë. Kjo për arsye sepse janë trajtime që kanë një kosto të lartë dhe që zgjasin në kohë andaj ata preferojnë të vijnë aty dhe në të njëjtën kohë kanë pranë familjarët. Pacientet shpesh shprehen se kur ekziston mundësia e trajtimit në vendin tënd ku flitet gjuha amëtare është shumë e lehtë për ne.  Për ta përmbyllur them se çdo njeri ka të drejtën të zgjedhë vendin ku dëshiron dhe ka mundësi të trajtohet. E rëndësishme është të marrë trajtimin e duhur ku do të jetë! Ndaj i ftoj të gjitha nënat, gratë e vajzat të bëjne kontrollet periodike sepse zbulimi i hershëm është mbijetesë.

 

 

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë