Kulturë

Një përkujtim për Mary Edith Durham, mbretëreshën e malësorëve

75 vjet nga vdekja e gruas me zemër të madhe Edith Durham.

Mary Edith Durham, 1863-1944, vinte nga një familje e madhe dhe e pasur nga veriu i Londrës. Ishte më e madhja prej tre vëllezërve dhe gjashtë motrave, të cilët ishin kryesisht të suksesshëm në karrierat e tyre përkatëse në mjekësi, inxhinieri dhe administratën publike. Edith, të cilën në familjen e saj e thërrisnin me nofkën mashkullore Dickie [Diki], ndoqi Bedford College në Londër (1878-1882) dhe më tej studioi pikturë dhe vizatim në Akademinë Mbretërore të Arteve. Në këtë kuadër, në vitin 1899, ajo bëri ilustrimet për një vëllim të kolanës Cambridge Natural History, dhe më vonë ka lënë skica edhe piktura të shumta nga Ballkani. Si vajza më e madhe dhe e fundit e mbetur në shtëpi, asaj i kishin besuar detyrën që të kujdesej për të ëmën e moshuar dhe të sëmurë. Kjo jetë monotone bëri që Edith, pas një farë kohe, të përfundonte në prag të një krize nervore. Mjeku e këshilloi të shkëputej nga çdo gjë dhe të udhëtonte. Kështu, në vitin 1900, Edith Durham 37 vjeçare u nis me një mikeshë të saj për një udhëtim me vapor përgjatë bregut të Adriatikut deri në Kotor. Udhëtimi e magjepsi dhe përtëriu.

Në verën e vitit 1908 Edith bëri një udhëtim tjetër në Malin e Zi, prej aty në Shkodër dhe pastaj përmes malësisë së veriut deri në Kosovë, udhëtim ky i përshkruar në librin e saj më të njohur High Albania, Londër 1909, ribotim 2015, shqip Shqipëria e Epërme, Tiranë 2012. Edhe sot e kësaj dite shumë lexues janë të mendimit se ky është libri më i këndshëm në gjuhën angleze i shkruar ndonjë here për Shqipërinë. Me kalimin e kohës, Edith Durham bëri mjaft emër ndër shqiptarët e veriut për interesin e treguar dhe mbështetjen e saj për çështjen shqiptare dhe shumë shpejt ajo filloi të njihej në malet e veriut si kraljica e malesorëvet. Madje tek-tuk ndër shqiptarët u përhapën edhe fjalë se ajo ishte motra e mbretit të Anglisë. Libri tjetër, The Struggle for Scutari (Turk, Slav and Albanian), Londër 1914, ribotim 2015, shqip Lufta për Shkodrën: turq, sllavë e shqiptarë, Shkodër 2005, përqendrohej mbi rrethimin e përgjakshëm malazez të Shkodrës në kohën e pavarësimit të Shqipërisë. Ky është ndoshta libri i saj më ambicioz, një përshkrim i dhimbshëm i luftës, urisë dhe katastrofës humanitare. Gjatë asaj kohe Durham vizitoi edhe jugun e Shqipërisë dhe konstatoi se gjendja nën pushtimit grek atje nuk ishte aspak më e mirë. Pas Luftës së Parë Botërore botoi librin Twenty Years of Balkan Tangle, Londër 1920, ribotim  2015, shqip Njëzet vjet ngatërresa ballkanike, Tiranë 1944. Ky libër përbën kulmin dhe sintezën e  shkrimeve të Edith Durham. Ai përfshin periudhën nga udhëtimi i saj i parë në Ballkan në vitin  1900 deri në Luftën e Parë Botërore, dhe në një farë mënyre mund të konsiderohet si memoaret e  saj.  Vizitën e saj të fundit në Ballkan Edith Durham e bëri në vitin 1921.

Pas kësaj, kryesisht për arsye  shëndetësore, ajo nuk ishte më në gjendje të kryente udhëtime të tilla të mundimshme. Megjithatë,  mbështetja e saj për Shqipërinë nuk pushoi asnjëherë gjatë dy dhjetëvjeçarëve vijues. Durham ishte  anëtare themeluese e Shoqatës Anglo-Shqiptare (Anglo-Albanian Association) në Londër dhe  shkroi artikuj të shumtë shtypi si dhe “letra botuesit” të panumërta për t’iu kundërvënë mendimeve  të gabuara dhe për të tërhequr vëmendjen mbi Shqipërinë dhe vuajtjet e saj. Ajo ishte gjithashtu  autore e shumë artikujve shkencorë për kulturën popullore shqiptare dhe malazeze dhe për  historinë dhe politikën e Ballkanit. Shumë prej këtyre shkrimeve u përmblodhën kohët e fundit në  vëllimin The Blaze in the Balkans: Selected Writings, 1903-1941 [Zjarri në Ballkan: shkrime të  përzgjedhura, 1903-1941], Londër 2014.  Në këtë periudhë u botua edhe libri i saj i fundit, tashmë ndoshta i harruar, The Serajevo Crime  [Krimi në Sarajevë], Londër 1925, ku flitet për rrethanat e vrasjes së Arqidukës Franc Ferdinand të  Austrisë, vrasje e cila u bë shkas për fillimin e Luftës së Parë Botërore.Në vitet e mëvonshme, shtëpia e saj në Londër u bë vend takimi për miq të Shqipërisë dhe për  shqiptarë në mërgim. Vdiq në nëntor 1944, dy javë para ardhjes në pushtet të komunistëve në  Shqipëri.  Koleksioni Fotografik i Edith Durham  Në pranverën ose verën e vitit 1900, para udhëtimit të saj të parë në Ballkan në gusht të atij viti,  Edith Durham bleu një aparat të vogël fotografik të markës Kodak Brownie. Me sa duket, atë  aparat e ka marrë me vete në të gjitha udhëtimet e saj në Ballkan. Gjithsej tani disponojmë 450  fotografi të saj nga Ballkani. Ato ruhen kryesisht në Institutin Mbretëror Antropologjik (Royal  Anthropological Institute) në Londër, në Muzeun Britanik në Londër, dhe në Muzeun Pitt Rivers në Oksford.

Marrë faqja e albanologut Robert Elsie

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë