Intervista

Teuta Ramadani Tunuzliu… rrugëtimi profesional drejt së bukurës

 “Teutas Beauty Skin Care and Spa” tashmë është kthyer në një adresë për të gjithë kur kemi parasysh mirëmbajtjen dhe përkujdesjen ndaj pamjes së jashtme. Në një intervistë për revistën Flatra, Teuta Ramadani Tunuzliu, pronare e kësaj qendre, na tregon më shumë rreth saj. Ka ndërthurur në vete botën e estetikës me mjekësinë, të dyja pasione shumë të hershme dhe me shumë përkushtim dhe vullnet ndaj punës ka krijuar sot një nga qendrat estetike më të njohura në vend. Megjithatë ende nuk i ndalë trajnimet dhe specializimet e mëtejshme për të qenë sa më profesioniste dhe me standarde evropiane.

 

Kur keni filluar te merreni me bukuri dhe estetike? 

Me përmirësimin e pamjes së jashtme mund të them që kam filluar që në kohën e pubertetit. Më kujtohet kur isha diku rreth 13 vjeçare edhe nga të gjitha shoqet e lagjes unë kam qenë e para që ua kam rregulluar formën e vetullave. Gjithmonë më ka pëlqyer të merrem me bukuri dhe njëkohësisht me mjekësi. Kështu që me 1996 duke kërkuar diçka në lidhje me estetikë dhe duke e ditur që mund të vazhdoj me pastaj dhe post studimet në kozmetologji (te cilat post studime do te filloj tash nga shtatori)  u regjistrova në Farmaci, degë e mjekësisë në kuadër të UP.  Në vitin 2000 trajnimet e para në estetikë i fillova në Angli, ku mora edhe hapat e para në mënyrë profesionale në fushën e bukurisë. Më pastaj me 2004 hapa salloni që vazhdon të punoj edhe në ditët e sotme, por me shumë më shumë shërbime e hapësirë.

Çfarë është me e rëndësishme në punën tuaj?

Ky profesion përveç se është i bukur është shume i ndjeshëm pasi që ka të bëjë direkt me njeriun, fytyrën, lëkurën dhe çdo pjesë tjetër trupi. Mundohem gjithmonë të kem kujdes në qasjen ndaj klientit pasi që ma beson një pjesë shumë të rëndësishme – pamjen e jashtme, e cila është edhe kontakti i parë që do të kenë me të tjerët. Mundohem që t’i trajtoj secilën/in veçmas dhe të gjej se çka i duhet, cili trajtim i përshtatet në mënyrë që t’i ndryshoj apo korrigjoj, apo mirëmbajë pamjen e jashtme dhe të gjitha në kufijtë e natyrales. Mendoj që natyralja është më e bukura dhe nuk jam pro fenomenit të kohëve të fundit të tjetërsimit dhe të dukurit të gjitha njëjtë. Normalisht edhe natyralja duhet të mirëmbahet shumë, bile kërkon më shumë investim në kohë dhe të holla dhe poashtu nuk dmth që të mos intervenojmë në lëkurë, fytyrë dhe trup me metoda të ndryshme për të mbetur natyral, por të gjitha me një kufi. Nëse lëkura është e hidratuar e re atë vetëm e mirëmbajmë me trajtime hidratuese apo i këshilloj për produktet adekuate kurse nëse lëkura është më e dëmtuar  nga dielli apo faktorët e tjerë dhe më e moshuar atëherë atë e trajtojmë me trajtime me specifike apo korektive dhe produkte tjera. Me rëndësi parësore në një profesion si imi është higjiena. Kështu mundohem që të edukoj koleget në punë që të jenë sa më të informuara mbi higjienën dhe rëndësinë e saj në një pune si e jona në mënyrë që të ruajnë shëndetin e tyre dhe të klientëve. E di që klientët na kanë besuar trupin dhe fytyrën dhe ndihem e privilegjuar për këtë, kështu mundohem maksimum që shërbimi dhe pastërtia të jenë në nivelin maksimal dhe ato të ndihen rehat gjatë kryerjes së shërbimeve tek ne.

Duket se tashme është kthyer në një trend ndërhyrjet estetike apo botoksi, cili është mendimi juaj?

Edhe ne në qendër bëjmë trajtime me botoks dhe ac. Hialuronik-filler. Kam vendosur që t’i kem si shërbime në qendër pasi mendoj se nuk ka asgjë të keqe që t’i korrigjojmë rrudhat dhe hullijtë e ndryshëm apo parandalojmë ato edhe me këto metoda, te të cilat nëse përdoren produkte kualitative dhe aplikohen nga profesionisti me përvojë nuk paraqesin ndonjë rrezikshmëri për shëndetin. Por patjetër mendoj që duhen të aplikohen vetëm nëse është nevoja, dhe gjithmonë i sugjeroj kur nuk ka zgjidhje tjetër dhe kur e shoh që me trajtime tjera nuk ka mundësi përmirësimi. Poashtu nuk i sugjerojmë nëse nuk ka nevojë klienti apo që ta ndryshojnë plotësisht pamjen natyrale, jemi për ndryshime, por brenda kufijve dhe vetëm për ato pozitive.

 A mund të na jepni disa këshilla kryesore sa i përket mirëmbajtjes së fytyrës dhe trupit?

Gjenetika luan rol të madh në pamjen tonë dhe në mënyrën se si me vite do të ndryshojmë, por studimet e fundit po tregojnë që mirëmbajtja e lëkurës dhe trupit dhe stili i jetës luajnë rol shumë të madh poashtu. Kështu që për një lëkurë të mirë fytyre dhe paraqitje të mirë të trupit mendoj që ka rëndësi mënyra e të ushqyerit, ushtrimet e rregullta, hidratimi i lëkurës me krema e serume, pastrimi para gjumit, pozita e trupit gjate fjetjes, mbrojtja nga dielli, trajtimet e rregullta mujore…Ne si qendër jemi gjithnjë të hapur për këshilla se si ta mirëmbajmë dhe për përpilimin e programeve të veçanta të trajtimeve për secilin klient. Pasi jemi ne sezonin e verës mendoj që është parësore t’i shmangemi diellit sa të jetë e mundur dhe të përdorim faktor mbrojtës çdo dy orë gjatë ekspozimit në diell. Poashtu ushqimet me antioksidantë dhe pirja e minimum 2 L ujë gjatë ditës janë shumë me rëndësi. Këto janë disa informata elementare për një lëkurë të shëndetshme të fytyrës dhe trupit dhe jemi të mirëseardhur në qendrën tonë për çdo pyetje lidhur me lëkurën.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë