Letërsi

Të përkthesh letërsi e histori tok

“Shpikja e flatrave”, një copë qiell, ku ndërthuren e shkuara dhe arti i romanit

Nga Eni Myrtollari

 

Nëse sheh me kujdes raftet e librarive, gjen veç një dorë titujsh të letërsisë artistike që trajtojnë temën e skllavërisë dhe pak të tillë, që sjellin aq mjeshtërisht sa “Shpikja e flatrave” momentet më delikate të historisë së Amerikës. Këtë pata mendim të parë posa m’u sugjerua përkthimi i këtij romani nga Botimet Living. Pasi e mora në dorë, u përfshiva nga historia e Sara Grimkes dhe e skllaves Heti. Ashtu sikurse autores i ishte dashur të vizitonte e të prekte historinë e Çarlstonit, edhe mua m’u desh të hulumtoja për të kuptuar frymën dhe ngjarjet e asaj epoke, dhe mësova shumë.

Perdja e ngjarjeve hapet në nëntor të vitit 1803, në ditëlindjen e njëmbëdhjetë të Sarës, trashëgimtare e një familjeje të kamur padronësh të qindra skllevërve në Karolinën e Jugut. Pak prej natyrës së ndjeshme e pak prej ideve përparimtare që kanë gjetur strehë herët tek ajo, vogëlushja Grimke nuk do të pranojë kurrsesi të marrë një skllave si dhuratë ditëlindjeje. Nuk mund ta bëjë asi veprimi për sa kohë beson me forcë tek ideja e barazisë së qenieve njerëzore dhe në konceptin e lirisë. Me naivitetin e një fëmije, vendos ta “kthejë” skllaven-dhuratë, një veprim prej të cilit do ta pësojnë keqas skllavja dhe zonjushëza bashkë.

Rrëfimi në roman u është besuar dy heroinave, Heti Trazovaçes dhe Sara Grimkes, dy vajza që formojnë një dyshe të pazakontë. Skllavja e zgjuar Heti Trazovaçe Grimke (mbiemrin e ka marrë prej padronëve, fatin e mirë jo) do të tregojë me fjalët e saj vështirësitë, disfatat dhe çastet e bukura, ndonëse të pakta, në shtëpinë Grimke. Porsa ka ardhur në jetë, e ëma e i ka vënë një “emër shporte” dhe e ka mbrujtur me histori të pabesueshme nga Afrika e tyre, për njerëz me flatra dhe për shtroja shumëngjyrëshe, të cilat i mbrojnë të vegjlit nga e liga. Kjo është e gjithë pasuria e skllaves Heti, dy çelësa që do ta ndihmojnë të kapërcejë pengesat e të mos heqë dorë nga ëndrrat derisa të fitojë lirinë. Ligjërisht, kjo ditë do të vijë vonë, në dhjetor të vitit 1865, kur Kushtetua e Shteteve të Bashkuara ratifikoi “Amendamentin e Trembëdhjetë”, që do të ndalonte çdo formë të skllavërisë dhe të punës së papaguar. Amerika e kishte nxënë mësim e vet, të paguar shtrenjtë: me Luftën Civile mes Veriut dhe Jugut. Një pjesë e ngjarjeve historike e njerëzore që kanë ndodhur përpara si dhe në ndërkohën e afrimit të kësaj date kuptimplotë, bëhen qendra e romanit të autores amerikane Sue Monk Kidd.

Lufta e Sara Grimkes si abolicioniste e orëve të para, përkrahëse e palëkundur e mendimit për çrrënjosjen e skllavërisë, zgjat thuajse tri dekada. Sidoqoftë, edhe pse nuk e pranon skllavërinë, Sara thith po atë ajër, prandaj rrugëtimi drejt synimit të saj, çlirimit të skllevërve, nuk ka për të qenë i lehtë. Po aq të rënda janë betejat personale, zhgënjimet nga dashuria dhe mposhtja e frikës për të dalë ballas tumave e për të folur me zë kumbues. Edhe skllavja e zgjuar Heti ka për të kapërcyer jo pak pengesa. Ajo, ndryshe nga e ëma dhe nga skllevërit me të cilët është rritur, dëshiron të mësojë të shkruajë, të përparojë dhe të vendosë për jetën e saj. Hetit i bie mbi supe përgjegjësia të “shpikë” flatrat e veta për të dalë në botën e njerëzve të lirë. Për pjesën më të madhe të skllevërve, këto janë ëndrra në diell, kur, të rraskapitur nga puna në plantacione apo në shtëpitë e mëdha të padronëve, përfytyrojnë se ç’mrekulli duhej të ishte të mos jetoje me frikën e fshikullimit orë e çast… për hiçmosgjë. Jo për Heti Trazovaçen. Edhe pse do të kalojnë 35 vjet të gjatë e të ngarkuar derisa skllavja të blejë lirinë e vet (një skllave e sërës së saj vlen plot 500 dollarë, ndërsa e ëma, modiste me përvojë, mund të shitet e të blihet për jo më pak se 550!), Heti do të luftojë gjer në fund.

Titulli i romanit mund të lexohet si një metaforë e fortë për lirinë dhe luftën e secilit personazh për të gjetur kurajën për të fluturuar. Për Sara Grimken, kjo nënkupton thyerjen përfundimtare të traditës së forcuar ndër breza, sipas së cilës, skllavëria dhe skllevërit janë e drejtë e ligjëruar e padronëve dhe e kastës në fuqi. Shembja e këtij sistemi do të thotë përmbysje të rendit ekonomik dhe humbje e mjaft privilegjeve sociale me të cilat padronët ishin mësuar.

Rrëfimi është pasuruar me letërkëmbimin e disa personazheve, si mënyrë për të komunikuar, por edhe për të pëshpëritur ca të vërteta që është e vështirë të thuhen në sy. Nëpër faqet e “Shpikjes së flatrave” janë ngërthyer të vërteta të dhimbshme historike me trille letrare, që do ta bëjnë lexuesin të kuptojë çmimin e vërtetë të lirisë. Gjatë përkthimit, jam ndalur jo pak herë për të reflektuar mbi mënyrën se si autorja kish shkrirë faktet historike (personazhin e Sarës dhe të Anxhelinës, Danimark Vesin, revoltat e para, ajrin e nginjur të Çarlstonit të 1800-s dhe tipizimin e skllevërve guximtarë në figurën e Hetit) me zejen e romanit e me përshkrimet. Andaj besoj se, për këtë arsye e të tjera kësodore, “Shpikja e flatrave” duhet lexuar edhe si një mësim i shkruar me pasion për çështje të cilave rrallëherë u është shkuar deri në fund.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë