Intervista

Ta shpëtojmë natyrën përmes riciklimit

Dugagjin Berisha nga “Kosovo Glass Recycling”, një nga qendrat e para ricikluese në vend, na rrëfen më shumë se çfarë është riciklimi i xhamit, cilat janë sfidat e këtij procesi dhe çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri, që ta ndihmojmë më shumë mbrojtjen e ambientit.

Qelqi është një nga materialet që e përdorim të gjithë, qoftë në formë shisheje, kavanozi apo elemente të tjera, të cilat janë pjesë e përdorimit të përditshëm. Fatkeqësisht, shumica e njerëzve riciklojnë vetëm një pjesë të vogël të qelqit që e përdorin, ndërsa tek ne kjo praktikë është pothuajse e panjohur. Megjithatë riciklimi i qelqit ndihmon planetin dhe krijimi i produkteve të reja nga qelqi i ricikluar shkakton më pak ndotje të ajrit dhe ujit.

Dugagjin Berisha është një ndër të parët në vend, që ka nisur një iniciativë të tillë për riciklimin e xhamit përmes kompanisë “Kosovo Glass Recycling”. Kjo qendër ricikluese është e vendosur në qytetin e Gjakovës dhe ka për qëllim mbrojtjen e ambientit përmes mbledhjes dhe riciklimit të qelqit. Por si lindi ideja për një aktivitet të tillë, z. Berisha thotë se mbrojtja e ambientit ka qenë gjithnjë pjesë e rëndësishme e prioriteteve të tij.

“Gjithmonë kam qenë i interesuar të kuptoj më shumë rreth procesit të riciklimit, duke qenë se kjo është mënyra më e mirë për ta ruajtur planetin nga ndotja dhe një ambient i pastër është opsioni i duhur për një jetë të shëndetshme. Kështu kam filluar që të interesohem më shumë dhe këtë dëshirë ta materializoj në një projekt serioz siç është Kosovo Glass Recycling.”

Riciklimi i xhamit është proces specifik, që kërkon angazhim dhe kujdes të veçantë. Mbeturinat e qelqit ndahen nga përbërja kimike dhe varësisht nga përdorimi mund të ndahen në ngjyra të ndryshme. Një specifikë e rëndësishme e këtij procesi është se qelqi e ruan ngjyrën edhe pas përpunimit, ndërsa një tjetër aspekt është se riciklimi i qelqit shfrytëzon më pak energji sesa prodhimi i qelqit të ri. Çdo 1000 kg qelq i ricikluar kursen 315 kg dyoksid karboni, i cili lirohet nga përfitimi i qelqit të ri.

Por cilat janë sfidat me të cilat përballen punëtorët dhe drejtuesi i kësaj kompanie, z. Berisha thotë se kërkohet përkushtim dhe mbështetje edhe nga të tjerët në mënyrë që gjithçka të rezultojë ashtu siç duhet. “Ky projekt i ka munguar jo vetëm qytetit të Gjakovës por mbase tërë vendit, pasi që nuk është se ka pasur ndonjë angazhim serioz në lidhje me riciklimin e qelqit. Një punë e tillë kërkon përkushtim të vazhdueshëm por gjithashtu edhe përkrahje nga të tjerët. Ne jemi duke u përpjekur që të informojmë sa më shumë qytetarë për rëndësinë e mbrojtjes së ambientit ku jetojmë dhe kemi hasur në mirëkuptim e mbështetje edhe nga disa biznese të qytetit, nga individë si dhe një ndihmesë në këtë drejtim e kemi edhe nga Komuna e Gjakovës dhe nga Kompania Çabrati. Një tjetër bashkëpunim është edhe ai me  xhampunuesit, të cilëve kompanitë e mbeturinave nuk ua marrin xhamin. Këto janë disa nga mënyrat sesi ky projekt mund të zhvillohet më tutje dhe të krijojë vazhdimisht raporte të reja e njëkohësisht të ndikojë në sensibilizimin e shoqërisë sonë.”

Disa nga planet për të ardhmen të cilat synon t’i realizojë z. Berisha është edhe hapja e vendeve të reja të punës, kryesisht angazhimi i të rinjve, vajzave dhe djemve si dhe bashkëpunime të reja me prodhues vendor. Ndërsa për riciklimin si proces mendon se është një sfidë jo vetëm për Kosovën, por për tëre botën dhe shpreson që në një të ardhme të afërt të bëjmë hapa më të mëdhenj për ruajtjen e ambientit.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë