Shëndeti

Dedikuar grave…që luftojnë çdo ditë me kancerin

Nga Dafina Ademi, onkologe

Unë sot, si mjeke që jam kam një dedikim: “Atyre që në rrugëtimin e tyre të vështirë për trajtimin e sëmundjeve malinje, na kanë zgjedhur ne si partnerë. Atyre, që vazhdojnë të na besojnë jetën…Pacienteve tona!

Ndjehem shumë e nderuar që ndodhem para jush por, ndjehem shumë e vogël karshi juve, grave të guximshme dhe trime, që janë përballur dhe përballen me kancerin e gjirit çdo ditë.

Si grua, ju kam admiruar kur në momentin e diagnostikimit e keni pranuar sëmundjen të tillë si është, kur humbjen e flokëve e keni pranuar me lehtësi, kur efektet anësore të kimioterapisë i keni përballuar dhe tejkaluar ato.

Si bashkëshorte, ju kam admiruar për dëshirën e madhe që menjëherë pas marrjes së kimioterapisë keni vrapuar për tu kujdesur për bashkëshortët dhe familjet tuaja.

Si nënë, ju kam admiruar për guximin dhe dëshirën tuaj të dilni para nesh dhe të ndani historitë tuaja personale.

Si profesioniste, ju kam admiruar për dëshirën e madhe dhe forcën, kur menjëherë pas marrjes së terapisë keni vrapuar në vendet tuaja të punës për tu kujdesur për: fëmijët në kopsht, për nxënësit në shkollë, për studentët, keni hyrë në  salla operimi për të vazhduar punën, e në shumë institucione tjera publike e private.

Unë vazhdoj tu admiroj çdo dite për luftën që bëni për të ecur përpara.

Ju jeni inspirimi dhe motivimi i çdo gruaje në Kosovë se si luftohet për jetën.

Ju keni bërë historinë e këtij vendi me ndikimin e madh dhe punën që vazhdoni dhe e bëni për vetëdijesimin e grave për kancerin e gjirit.

Sot, tema tabu dhe stigma për kanceret në përgjithësi dhe kancerin e gjirit në veçanti në Kosovë nuk ekziston, dhe atë falë jush!

Ne si klinike e onkologjisë ju sigurojmë që ju përherë do të jeni në qendër dhe ne do të jemi në shërbimin tuaj.

Luftën do ta bëjmë së bashku dhe mos harroni se ju na përkisni, ju i përkisni Kosovës!

Humanistja dhe shqiptarja jonë, e madhja Shën Tereza, në mesin e shumë thënieve të saj ka thënë: “Jo të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mëdha. Por ne të gjithë mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”.

Me rastin e marshimit tradicional kundër kancerit të gjirit

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë