Gruaja

Atyre si unë, që nuk dorëzohen kurrë!

Arnisa Osmani, e mbijetuar e sëmundjes së kancerit të gjirit, në këtë intervistë, na rrëfen  rrugën plotë vështirësi të kësaj beteje, por ajo është këtu për të na treguar se nuk duhet ta humbim kurrë shpresën. Kthesa e madhe e një ditë të zakonshme në jetën e Arnisës, parandaloi një të keqe më të madhe, një mesazh i qartë se parandalimi është kura më e mirë për të gjitha gratë sot.

 Intervistoi: Besa Gjoni

 

Mund të na tregoni pak për këtë përvojë, kur u diagnostikuat me kancer dhe cilët ishin hapat e parë që morët për ta luftuar atë?

Rrugëtimi im në një tunel pa dritë…kështu filloi rrugëtimi im. Jeta të sprovon me shumë gjëra, kalon nëpër shumë sfida dhe çdo gjë që të vjen duhet të i hapesh derën… Vitin e kaluar gjatë muajit shtator, jam diagnostikuar me kancer të gjirit. Arsyeja pse më shtyri të bëja një vizitë te mjeku ishte se fillova të i vërej disa ndryshime në gjirin e majtë.

Ishte 17 shtator, 2018 kur shova në ordinancë tek doktoresha Emine Disha Devolli. Më pyeti;  “ Kush të tha me ardhë?”,  u përgjigja: “Vet…”,  mami me priste jashtë në korridor. Filloi të më kontrollojë dhe e vura re se diçka nuk ishte në rregull pasi që i ndryshoi fytyra. E pyeta se çfarë nuk ishte në rregull, më tha: “Arnisa është një gjëndër e keqe, 99% e keqe 1 % e mirë.” Kam marr frymë thellë dhe më jam përlotur, doktoresha mi kapi duart dhe më tha: “Nuk ka lot se e humbet imunitetin, por që nga nesër do të fillojmë me analiza e incizime.” Edhe një gjë më tha: “Arnisa ti nuk ke ardhë vet, por Zoti të ka dërguar. Je një engjëll, andaj te ka dërguar…”, e pyeta a mundem ta thërras mamin, pasi që edhe mami ka qenë motër medicinale 44 vjet me radhë.

Prej asaj dite, kam bërë mamografinë, kam caktuar termin tek dr. Ugur Ozkalan në një spital privat në Prishtinë, mjeku i shikoi incizimet, nuk ishte i kënaqur dhe më sugjeroi që t’i bëj disa analiza tjera dhe incizime, jo mamografi. Dr. Uguri më ka ndihmuar shumë edhe nga aspekti psikologjik sepse brenda javës përjetova shumë gjëra. Bëra dhe analizën e biopsisë dhe fatkeqësisht nuk doli mirë dhe për këtë arsye u vendos, që të bëhet intervenimi i parë me datën 1 të muajit tetor, që ishte dita e vetëdijesimit për rrezikun nga kanceri dhe unë e mora si një shenjë e thash me vete: “Arnisa edhe ti po i nënshtrohesh operacionit për ta mbytur kancerin me datën 1 tetor.”

 Natyrisht, kanceri e vë në lëvizje tërë jetën tuaj. Ju kujtohet një moment specifik sesi u ndjetë kur u njoftuat me këtë gjendje të re?

Vetë fjala kancer ta ndryshon jetën për 360 shkallë. Prej momentit që jam diagnostikuar, kam ndryshuar, por për të mirë. E kam stresin duhet larguar, se është ndër shokët e mirë të kancerit. Të mendoj vetëm pozitivisht, të jetoj pozitivisht dhe larg negativitetit. Ndoshta mund të pyesni se pse nuk ka qenë kështu edhe para diagnostikimit? I kisha pasur sytë e mbyllur, por mu hapen. Dy gjëra që gjatë këtij rrugëtimi nuk do t’i harroj kurrë është kur e kam pare veten në pasqyrë pas intervenimit të dytë, nuk kam menduar se është fundi i botës, por ishte një ndjenjë shumë e keqe. Kam qarë gjysmë ore në banjë, pastaj u qetësova dhe dola prej banjës sikur të mos kishte ndodhur asgjë, kjo ishte që të mos e brengos mamin edhe pse ajo i kuptonte të gjitha. Dhe një moment tjetër i vështirë ishte pas kimioterapisë, kur pash që në duar kisha një grusht flokë. Ishte shokuese, pas disa gjërave të tjera të rënda që i kam kaluar në jetë. Edhe kjo zgjati gjysmë ore… Qava…

Mbesa e kishte ditëlindjen, vendosa të mos shkoja në festë, por e ndryshova mendjen pasi që mami tha as unë nuk do të shkoj nëse nuk vjen dhe ti. I thashë vetes: “Arnisa, ti nuk mund tua prishësh jetën të tjerëve, por duhet të vazhdosh. Aty vendosa ta vë shaminë dhe shkuam të festojmë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.

Cilat ishin disa nga momentet më të vështira me të cilat ju është dashur të përballeni gjatë kohës së trajtimit dhe cilat janë sfidat me të cilat përballen personat e tjerë në Kosovë, që janë të diagnostikuar me kancer?  

Ka pasur shumë momente të vështira, më shkonte mendja se më nuk do të jem Arnisa. Ka pasur raste, që nuk kam mundur ta shoh vetën në pasqyrë, por e tejkalova. Momente të vështira kanë qenë edhe lodhjet gjatë marrjes së terapisë, për arsye se po atë ditë kur e merrja terapinë pushoja tri ditë dhe filloja prapë punën, për fat të mirë kam pasur shokë e shoqe (kolegë te punës), të cilët që nga dita e parë më kanë qëndruar afër dhe më janë gjendur në çdo aspekt. Emocionalisht je më e dobët, por kur shkoja në punë  rregullohesha me shaminë në kokë, herë me ngjyra-ngjyra, herë një ngjyrëshe dhe kështu  jam munduar t’i kombinoj me gardërobën time, se edhe kjo gjë më jepte motiv për të vazhduar; dukja ime.

Personat e tjerë në Kosovë, të cilët janë të diagnostikuar me kancerin e gjirit, këtu nuk po i përfshijë të gjithë, por një pjesë e madhe nuk mundohen ta sfidojnë apo të hyjnë në këtë betejë. Përjetojnë depresion, mbyllen në vete, sikur jeta për ta ka marrë fund.

Kur më pyesnin në fillim se si po ndjehem, u thosha: “Si një gladiator, i cili ndodhet në arenë symbyllur, nuk e di se me çfarë do të ballafaqohet, mirëpo nuk heq dorë dhe vendosë të hyjë në betejë. Këtë e kam bërë dhe unë. Duhet të hysh në betejë edhe me frikë, se duhet të dish me çfarë do të përballesh.

Çfarë këshillash do t’i jepnit personave që përballen me sëmundjen e kancerit ose një sëmundje tjetër kërcënuese për jetën?

Unë jam vullnetare në shoqatën “Jeta/Vita” dhe qëllimi ynë është që ta vetëdijësojmë shoqërinë për rrezikun nga kanceri i gjirit. Që të bëjnë kontrolle të shpeshta çdo 6 muaj apo çdo një vit. Mendo pozitivisht. Vetëm nëse do mund ta fitosh kancerin, mos thuaj do të mundohem, por thuaj do ti’a dal.

Unë e fitova betejën, duajeni jetën ashtu siç e dua unë.

“ Zbulimi i hershëm është mbijetesë”

Dhe për fund: ju ftojmë të bashkoheni në ecjen tradicionale me 26 tetor, në orën 12:00 para Teatrit Kombëtar.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë