Letërsi

Shpallen fituesit e Nobelit në Letërsi

Akademia suedeze ka shpallur laureatët e e Nobelit në Letërsi për vitin 2018 dhe 2019. Romancierja polake Olga Tokarczuk dhe autori austriak Peter Handke, të dy janë shpallur fitues të këtij çmimi. Ky i fundit njihet për qëndrimet e tij pro Millosheviqit dhe deklaratat kontroverse, që legjitimojnë luftën e diktatorit serb.

Sekretari permanent  i Akademisë Suedeze, Mats Malm, sot ka bërë të ditur emrat e fituesve të Nobelit në Letërsi: autoren polake Olga Tokarczuk për vitin 2018 ndërsa autorin kontrovers Peter Handke për vitin 2019.

Tokarczuk është vlerësuar nga komiteti për “imagjinatën narrative, që me një pasion enciklopedik prezanton kalimin e kufijve si formë e jetës”, dhe Handke për “zgjuarsinë  gjuhësore, me të cilën ka eksploruar periferinë dhe specifikën e përvojës njerëzore.”

Tokarczuk, një aktiviste, intelektuale dhe kritike e sistemit politik në Poloni, është një autore bestseller në vendin e saj dhe është bërë e njohur edhe në Angli pas pranimit të International Booker Prize për romanin “Flights”. Anëtari i komitetit suedez Anders Olsson, ka deklaruar se puna e autores përqendrohet në tranzicionin kulturor dhe migrimin, një aspekt i rëndësishëm për ta vënë atë në “llupën” e anëtarëve të Akademisë.

Në anën tjetër Handke është një zgjedhje më kontroverse.  Olsson e përshkruan austriakun si “një nga shkrimtarët më me ndikim në fiksionin bashkëkohor dhe pjesë të diskutimeve letrare që nga viti 1966, i cili në mënyrë artistike zbulon periferitë dhe vendet e padukshme.”

Romancieri dhe dramaturgu austriak është i njohur edhe për qëndrimet e tij proserbe, që përfshijnë fajësimin për “krimet” e NATO-s.  Ai mori pjesë në funeralin e MIllosheviqit dhe kishte deklaruar se “ishte i lumtur që ndodhet pranë njeriut, i cili e ka mbrojtur popullin e tij.”

“Megjithëse ai, ndonjëherë, ka shkaktuar polemika, nuk mund të konsiderohet një shkrimtar i angazhuar në kuptimin e Sartrit dhe nuk na ofron asnjë program politik,” kanë deklaruar anëtarët e komitetit.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë