Intervista

Xhafer Gashi : “Lufta”jone e përditshme me ndotjen

Një ditë në komunën e Obiliqit, qytezës së famshme prej të cilës “ndriçohemi”, ndërsa në betejën e tyre me ndotjen e ajrit, qytetarët këtu janë të vetëm…

Kryetari i Komunës, Xhafer Gashi na mirëpret në zyrën e tij dhe na rrëfen më shumë për projektet dhe sfidat e këtij qyteti. Nga një biznesmen shumë i suksesshëm, në një politikan të përkushtuar për qytetarët e vet.

“Shpesh herë më pyesin se përse vendosa të bëhesha pjesë e politikës. Pasi iu përkushtova biznesit, më duhet të rendis disa arsye, vendosa të hyj në politikë nga dëshira dhe përkushtimi për qytetin tim. Së dyti, me bashkëpunëtorët e mi të cilët më inkurajonin të vazhdoja në këtë pozitë, kishim nisur një rrugëtim të suksesshëm dhe do të donim ta përfundonim së bashku, dhe gjithashtu një rast konkret, kur një nxënës, i cili po votonte për herë të parë mu drejtua ‘Kryetar do të doja të votoja për ju.”

Në mandatin e tij të dytë në këtë komunë, kryetarin Gashi e takuam më shumë në terren duke finalizuar projekte të ndryshme.

“Ka shumë projekte për të cilat po punojmë në vazhdimësi, qofshin ato zhvillimore apo tjera. Po ashtu jemi të angazhuar në një projekt të rëndësishëm dhe jetik për qytetarët e Obiliqit e që është nxehja qendrore. Mund të them lirshëm se u është bërë një padrejtësi qytetarëve këtu që nga viti 2012 nga komuna e Prishtinës sa i përket nxehjes qendrore, sepse nuk u bë asnjë studim i fizibilitetit që përfshinë qytetarët e Obiliqit. Megjithatë mund të them se sot një fazë e rëndësishme e projektit është përmbyllur dhe ne gjithashtu kemi aplikuar në IPA , fonde këto që do ta zgjidhnin përfundimisht këtë projekt. Një projekt tjetër që ia vlen të përmendet është edhe Ligji për Obiliqin, implementimi i të cilit ka filluar pas ardhjes së Ramush Haradinajt në pushtet.

Komuna jonë është përfituese e rreth 5 milion eurosh në vit, duke na krijuar kështu një mundësi buxhetore të jashtëzakonshme. Krahasuar me vitin 2015 me këtë vit, kemi pasur buxhet rreth 4 milion e 800 mijë euro, ndërsa sot kemi rreth 12 milion 250 mijë ose thënë ndryshe, nëse në atë kohë investimet kapitale ishin 987 mijë euro sot i kemi 6 milion e 250 mijë euro, ndërsa subvencionimet kanë qenë rreth 138 mijë euro tani i kemi 832 mijë euro.  Komuna jonë ka vetëm për këtë vit 246 projekte që besoj se asnjë komunë në rajon nuk e kapë këtë shifër. Kemi krijuar një task forcë, e cila në vazhdimësi merret me vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e këtyre projekteve në mënyrë të atillë që të realizohen në mënyrën e duhur dhe sipas planifikimit. Megjithatë duhet të theksoj se gjatë planifikimit dhe realizimit të këtyre projekteve partnerë kryesorë kemi qytetarët e Obiliqit”-  është shprehur z. Gashi.

Aktualisht komuna e Obiliqit vetëm për këtë vit ka në zhvillim 246 projekte, që kanë të bëjnë me infrastrukturën, rrugët, objektet shkollore dhe shëndetësore. Gjithashtu një ndër projektet kryesore  për këtë vit është rindërtimi i sheshit kryesor të qytetit, i cili do të jetë një ndër projektet më të bukura që do të realizohet për qytetarët e kësaj komune.

Përgjatë këtyre dy mandateve, prioritet u është dhënë ndërtimit të parqeve, duke ndërtuar vija të reja të gjelbërimit. Ndërsa gjithnjë e më shumë nxitje për sa i përket arsimimit, vetëm këtë vit akademik kjo komunë ndanë 169 bursa,  përderisa në vitin 2013 kanë qenë vetëm 13 bursa, rreth 12 mijë euro, sot janë 169 bursa, vlera e të cilës është 126 mijë euro. Ndahen për herë të parë në nivel komunal, dy doktoratura dhe 6 mastera, 100 bursa për studentë dhe 60 për nxënës, ndërsa të gjithë ata që udhëtojnë nga fshatrat,  komuna u paguan transportin.

Megjithatë një nga sfidat më të mëdha për qytetarët e Obiliqit mbetet ndotja shumë e madhe nga termocentralet. Janë të paimagjinueshme problemet e shumta që u shkakton pluhuri dhe ndotja banorëve.

“Është e vërtetë që termocentralet mbeten një sfidë për ne si banorë të kësaj komune, për këtë arsye Ligji për Obiliqin, për tu trajtuar si një zonë e veçantë ishte një arritje shumë e madhe. Implementimi i tij, megjithatë është ende larg. Fatkeqësisht në Obiliq është sjellë dhe deponia e mbeturinave, si dhe është kërkuar të deponohen edhe materiet e rrezikshme, por për fatin tonë të mirë, nuk ndodhi. Unë e potencoj se Obiliqin duhet ta kthejmë prapë në jetë – Ligji për Obiliqin përcakton edhe kufijtë e ndotjes, ndërtimin e një muri për të parandaluar zhurmën, si dhe një rrip të gjelbërimit rreth tyre. Gjithashtu në ligj përcaktohet që komuna jonë ta ketë edhe një laboratorë për matjen e ndotjes së ambientit, duke filluar nga ajri, koha, uji dhe zhurma. KEK-u shkakton pasoja të mëdha, veçanërisht për banorët e Obiliqit, megjithë faktin se ne bëjmë ankesa dhe reagime të shumta, besa edhe padi, sërish vazhdon e njëjta situatë. Është shumë shqetësues reagimi i ministrive përkatëse karshi KEK-ut, i cili prej kohësh nuk ka as licencë. Mbi të gjitha apeloj, që KEK-u të ketë bashkëpunim me komunitetin për shkak të dëmeve që u shkakton dhe shpronësimeve me ligj. Ne nuk do të ndalemi asnjëherë dhe do të vazhdojmë me të gjitha procedurat ligjore ndaj KEK-ut, për të cilët mendoj se janë shumë të papërgjegjshëm si menaxhment. Vetëm vitin e kaluar kemi pasur mbi 90 mijë kontrolle mjekësore të qytetarëve  për shkak të sëmundjeve kancerogjene të shkaktuara nga termocentralet. Ne po paguajmë një kosto shumë të lartë si banorë. Sigurisht që duhet të merren masa dhe të ketë reagime institucionale, jo vetëm qytetare karshi KEK-ut”- ka deklaruar kryetari i komunës, z. Gashi.

Kanë kundërshtuar në forma të ndryshme ndaj KEK-ut, që ky i fundit të ndërmarrë masat mbrojtëse si e parashikon tashmë Ligji për Obiliqin, megjithatë duket se asgjë nuk ka ndryshuar, e në këtë çështje jetike për ta, të gjithë ne, qytetarët e Kosovës duhet të bëhemi pjesë e zgjidhjes.

Ky reportazh u realizuar në bashkëpunim me AZHR Qendër.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë