Gruaja

Perspektiva e Margaret Atwood për feminizmin

Është shumë e lehtë të bërtasësh për të drejtat e grave dhe feminizmin, ndërsa merr pjesë aktive në lëvizje që kufizojnë lirinë e grave. Atwood na kujton se një dozë e shëndetshme e skepticizmit është gjithmonë e mirëseardhur.

“The Handmaid’s Tale”, i shkrimtares kanadeze, Margaret Atwood, ka të gjitha tiparet e një tregimi, i cili na e sjellë të ekranizuar shkatërrimin e patriarkalitetit. Një përshtatje e mrekullueshme e romanit në një seri televizive, e cila deri më tani ka fituar disa çmime të rëndësishme dhe është vlerësuar si një nga prodhimet më të mira kinematografike.

“The Handmaid’s Tale” përshkruan një autokraci fetare të instaluar në Massachusetts dhe Maine, regjim ky që vjen në pushtet pasi udhëheqësit e tij vrasin presidentin e SHBA-ve dhe u heqin të gjitha të drejtat e liritë qytetarëve. Asnjë grua nuk lejohet të lexojë, të shpenzojë para apo të ngasë makinën. Ky është rregull patriarkal në ekstremin e tij.

Megjithëse ky libër është konsideruar si një libër i “shenjtë”, që i dedikohet feminizmit, vet autorja në disa nga prononcimet e saj për mediat është deklaruar se ekzistojnë disa “feminizma”, që mund t’i përcaktojmë. Një lloj i feminizmit, i cili gjoja i vë gratë në një piedestal, pra në modelin e përsosmërisë engjëllore. Një version tjetër pretendon se gratë “janë aq të viktimizuara sa nuk janë të afta të bëjnë zgjedhjet e duhura.” Dhe një tjetër që duket se Atwood  po e promovon më shumë, është feminizmi i cili e konsideron gruan si qenie njerëzore dhe të barabartë.

Një pjesë e lexuesve pajtohen me autoren, në kuptimin se feminizmi është absolutisht gruaja si qenie njerëzore dhe e barabartë, por një pjesë tjetër “proteston” kundër supozimit të shkrimtares se feminizmi ndonjëherë nënkupton se gratë janë engjëj apo të paafta për të bërë zgjedhjet e duhura morale. Madje ata mendojnë se këto janë qëndrime të qarta antifeministe? Përkufizimi i feminizmit, në fund të fundit, nuk ka asnjë lidhje me epërsinë e grave apo aftësitë e tyre vendimmarrëse. Përkufizimi i zakonshëm dhe i drejtpërdrejt për feminizmin nga Merriam Webster është feminizmi si “teori e barazisë politike, ekonomike dhe sociale e gjinive.”

Megjithatë Atwood nuk është lëkundur asnjëherë nga qëndrimet e saj në lidhje me këtë çështje, pavarësisht kritikave dhe opinioneve kundërshtuese. Ajo në çdo paraqitje të saj këmbëngul në atë se gratë janë qenie njerëzore, që do të thotë gabojnë dhe kanë të meta si çdo njeri tjetër, madje në një intervistë për Nju Jork Times, ajo shprehet:

“Po, mendoj se gratë mund të bëhen bashkë për ta kundërshtuar një grua tjetër. Po, ato mund të akuzojnë grate tjera, në mënyrë që ta mbrojnë veten. Këtë e shohim çdo ditë në rrjetet sociale, një platform që e ka bërë edhe më të dukshëm këtë fakt. Gratë nuk hezitojnë të vihen në pozita superiore dhe të kritikojnë gratë tjera.”

Këtë e vëmë re edhe në veprën e autores, ku bashkëshortet dhe shërbëtoret ndihmojnë në burgosjen e grave të tjera, që kanë status më të ulët social. Natyrisht se asnjëra nga to nuk gëzojnë privilegje si leximi, ngasja e makinës apo punësimi, por ato kanë vetëm një mundësi, atë të kontrollimit të grave tjera.

Një nga aspektet më alarmante të veprës dystopiske të autores kanadeze, është se shoqëria e justifikon tiraninë seksiste përmes idealeve feministe. Qytetarët në veprën e saj bëjnë të gjitha llojet e vërejtjeve në lidhje me mënyrën se si struktura e tyre sociale i mbron gratë nga përdhunimi dhe inkurajon respektin për mëmësinë, tema këto që ishin aktuale në vitet e 80-ta, kur Atwood publikoi “The Handmaid’s tale”.

Sipas saj është shumë e lehtë të bërtasësh për të drejtat e grave dhe feminizmin, ndërsa merr pjesë aktive në lëvizje që kufizojnë lirinë e grave. Ajo na kujton se një dozë e shëndetshme e skepticizmit është gjithmonë e mirëseardhur.

 

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë