Gruaja

Një rrëfim ndryshe për jetën, karrierën dhe gruan

Sot është e rëndësishme të evidentojmë personalitete dhe tregime, të cilat të fortë, na frymëzojnë dhe na tregojnë anën tjetër të shoqërisë sonë, shpesh herë të lënë në heshtje, edhe pse janë zërat më autentikë. Në kemi përzgjedhur në këtë intervistë Mrika Gashi- Macula për të na rrëfyer karrierën dhe jetën, sfidat dhe arritjet, si një shembull të gruas që përpiqet çdo ditë me guxim dhe dinjitet për të kontribuar në vendin e saj. Një shembull pozitiv dhe frymëzues bashkë me gra të tjera, që i sjellim çdo herë në Flatra, të cilat na tregojnë se progresi është i mundur me vullnet, punë dhe përkushtim.

Intervistoi: Bruna Merko/Foto: Shenoll Zehri

 Na flisni pak për profesionin tuaj, çfarë keni studiuar dhe puna juaj aktuale?

Jam diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë, ndërsa aktualisht po ndjek edhe studimet master për menaxhim. Njëkohësisht një tjetër sfidë ka nisur, sa i përket studimeve të mia, paralelisht po ndjekë jnë specializim për  Life Coaching në Noble Manhattan Coaching. Fillimisht iu bashkova ARDA-s në vitin 2014, si kordinatore e rrjetit dhe vetëm një vit më vonë mu besua detyra e Kryeshefes Ekzekutive të organizatës dhe së fundi drejtoreshë në AZHR Qendër. Nga gjitha eksperiencat e punës paraprake, punën në ARDA dhe AZHR Qendër e vleresoj pë shkak të mundësive që më ofron për të kontribuar drejtëpërdrejtë në mbështetjen e njerëzve ndërmarrës, të cilët përpiqen të sjellin ndryshim në jetën e tyre nëpërmjet nismave kreative dhe të guximshme. Në fakt, është një përpjekje e vazhdueshme personale, të cilën kam munduar ta shpalos gjatë gjithë karrierës sime, si në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ambasadën e ShBA-së, Babcock Hiberna Facilities Management, etj. Shërbimin ndaj shoqerisë dhe progresit shoqëror mundohem ta shtrij edhe përmes angazhimit tim si anëtare e bordit në Qendrën për Zhvillimin e Grupeve Shoqerore (CSGD), që merret kryesisht me të drejtat e komunitetit LGBTI, anëtare e bordit të Odës Ekonomike Amerikane dhe anëtare e rrjetit të Kosovo United State Alumni.

 Cila është pjesa më e bukur dhe ajo më sfiduesja e punës tuaj?                       

Puna më përmbush në tërësinë e saj, ndërsa pjesën më të bukur të saj dhe që më plotëson është rezultati i suksesshëm pas çdo projekti dhe angazhimi. E theksova më lartë se përmes ARDA-s dhe AZHR Qendrës kam mundësinë të mbështes ndërmarrës të rinj, me ide inovative për përmirësim të shoqërisë sonë. Kjo mundësi, megjithatë vjen edhe me sfidat e veta. Jo gjithmonë e kemi në dorën tonë mundësinë për mbështetje të të gjitha nismave që iu besojmë fuqishëm. Në këtë mes, rol të rëndësishëm ka financimi, apo thënë më mirë, kufizimet financiare Andaj, pamundesinë për mbështetje e shoh si një ndër sfidat kryesore të punës sime.

Cila është motoja që ju udhëheq drejt shtigjeve të reja?

Çdo mëngjes e shoh si një shteg të ri për më shumë njohuri, dashuri e punë. Kurreshtja për gjithçka të re në ekonomi, teknologji, shkenca sociale, më mban aktive në jetë. Sa i përket një moto që më përshtatet, do të nënvizoja “më pak kureshtje ndaj njerëzve, më shumë kureshtje ndaj ideve”.

Në fakt, ka kaq shumë gra të mençura dhe ambicioze në Kosovë, por shumë pak prej tyre zgjedhin të bëjnë karrierë. Pse ndodh kjo?

Është shumë e vërtetë që ka gra të mençura dhe ambicioze në Kosovë, dhe menaxhimi i karrierës dhe jetës personale mbetet një sfidë e madhe për gratë. Tendenca për të zgjedhur familjen përpara karrierës mendoj se i takon të kaluarës dhe tani ndjej shumë kënaqësi me sukseset e vajzave dhe grave tona në art, kulturë e sport. Gjithashtu edhe vetë fakti që kishim një presidente grua, e cila sot gëzon respekt global, flet shumë për progresin shoqeror që kemi përjetuar viteve të fundit. Ndoshta një nga arsyet që gratë përcaktohen të mos vazhdojnë karrierë mund të jetë ambienti i tregut të punës që nuk është mjaftueshëm i fokusuar në krijimin e politikave që favorizojnë gratë me familje. Pak kohë më parë, ligji i lehonisë është amandamentuar me shumë pak zhurmë dhe gratë kanë humbur tre muaj të pushimit të lehonisë që u takonin më parë. Këto politika janë shumë dekurajuese për gratë kosovare. Megjithatë, parë nga prizmi pozitiv, sot gratë në Kosovë nuk e shtypin talentin dhe ambiciet e tyre, sikur ka ndodhur në kohën e nënave tona.

Në përgjithësi ekziston pyetja se si arrijnë gratë të balancojnë jetën e tyre personale dhe karrierën, sidomos për një grua të divorcuar?

Tashmë jam mësuar që gjithçka në jetë arrihet me punë, mund dhe meritë. Jeta është e përbërë prej shumë hallkave, e jeta bashkëshortore është vetëm një hallkë, e cila edhe pse mungon në jetën time, nuk ka ndikuar asnjëherë që une ta humb balancin mes jetës personale dhe karrierës. Tashmë fokusi i jetës sime personale janë dy vajzat e mia, të cilat me sukseset e tyre më përmbushin çdo ditë.

Çfarë mendoni, cila është barriera kryesore me të cilën përballen gratë lidere apo të suksesshme sot në botë?

Besoj fuqishëm që “tavani i qelqtë” por edhe mungesa e vetëbesimit tek gratë janë ndër pengesat kryesore me të cilat ballafaqohen gratë në Kosovë. Sado që në teori tingëllon se gratë gëzojnë të drejtat e barabarta për punë, shkollim, avancim e qasje në pasuri familjare, fryma patriarkale nuk është zhdukur ende në shtëpitë, zyrat e institucionet tona. Gjithashtu, ne duhet të vazhdojmë betejën tonë e të këmbëngulim që e ardhmja të jetë më e përballueshme për vajzat e gratë tona. Kjo betejë duhet patjetër të përqendrohet në rritjen e vetëbesimit tek grate se ne jemi të zonja, ofrojmë progres e kujdes amnor për gjithçka.

Cilat janë çështjet që ju personalisht ngrini shpesh zërin?

Padrejtesia ndaj grave është çështje shumë e ndjeshme për mua. Si grua e divorcuar, sfidat e grave me sistemin ligjor në Kosovë i konsideroj jashtëzakonisht të rëndëshishme. Mungesa e mekanizmave funksional që detyrojnë dhe monitorojnë palët dhe detyrimet e tyre pas divorcit e vështirëson edhe më shumë zgjedhjen për autonomi të grave kur divorci bëhet i paevitueshëm. Këtë padrejtësi e lidhi edhe me qasjen dhe pjesëmarrjen e grave në ekonomi dhe ndërmarrësi; kur e ardhmja është e pasigurtë nga mekanizmat që e kanë këtë detyrim, atëherë edhe gratë ndihen të pasigurta që resureset e tyre t’i fokusojnë në planifikim dhe ndërtim të së ardhmes.

 Keni ndonjë personalitet që e admironi dhe pse?

Një ndër gratë më madhështore që vazhdoj ta admiroj është Margaret Thatcher. Si gruaja e parë kryeministre e Britanisë së Madhe, Thatcher mbetet simbol i jonkonformitetit me standardet e një kohe që u takonte burrave. Në kuptimin e plotë të fjalës, ajo ndikoi në mënyrën se si gratë shihen në politikë. Thënia e saj “Nëse doni diçka të thuhet, kërkoni nga burrat. Nëse doni diçka të bëhet, kërkoni nga gratë” më përcjellë çdo ditë dhe e dëshmon të vërtetën e saj. “Zonja e Hekurt” mbetet e admiruar nga unë për shkak të vizionit të saj për gratë në gjithë botën dhe botëkuptimin e saj se misioni i grave duhet të jetë krijimi i një bote me elemente feminile, dhe jo prezervimi e një bote të dominuar nga burrat.

Cila do të jetë sfida më e madhe për gjeneratën e grave që do të vijë më vonë ?

Historikisht, secila gjeneratë në ardhje ka më pak sfida në krahasim me gjeneratën paraprake. Megjithatë fatkeqësisht, sfidat që besoj se do t’i rezistojnë kohës janë pabarazia ekonomike, qasja në mundësi të barabarta dhe navigimi mes karrieres e amësisë.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë