Kuzhina

Pastarella, adresa e kuzhinës mesdhetare në Prishtinë

Janë dy gjëra të rëndësishme, të cilat e përkufizojnë kuzhinën e restorant Pastarella në Prishtinë, ruajtja e origjinalitetit të ushqimeve si edhe kreativiteti pa fund në çdo pjatë që servohet aty.

Pastarella është një restorant autentik italian i krijuar me pasion para disa viteve, në Itali, Greqi, Shqipëri, së fundi edhe në Kosovë, dhe kudo  ofron thjeshtësi, pastërti dhe aroma të lehta italiane, me kualitet dhe çmime të arsyeshme. Ushqimet e shijshme që ofrohen nga restoranti, janë  bazuar në recetat italiane të përshtatura me kulinarinë greke. Endrit Kanushi, menaxheri i këtij restoranti, tregon për revistën Flatra se përse vendosi të hapë Pastarellën edhe në Prishtinë. “Tashmë kam një përvojë gati gjashtë vjeçare në Kosovë, jam njohur nga afër me kulinarin vendase, por edhe të tjera që shërbehen këtu, kam mësuar se një restorant me cilësinë, kuzhinën e larmishme dhe të pakufizuar që ofron Pastarella në vende të ndryshme të ishte pjesë e Kosovës. Sigurisht që ishte një sfidë e madhe, por nga ana tjetër dëshira ky brend i ushqimit më jepte garancinë që më duhej”- shprehet Endriti. Megjithëse vetëm 6 muaj që është hapur në zemër të Prishtinës, te Kafet e vogla, Pastarella tashmë është kthyer në një adresë kryesore për të gjithë ata që duan një ushqim të freskët dhe me shije.

“Ne si restorant ofrojmë një meny shumë të pasur, mbi 17 lloje të ndryshme pjatash sallate dhe antipasta, pjata kryesore, rreth 30 lloje recetash të zgjedhura, si pulë, proshutë vici, salmon dhe perime, të kombinuara në mënyrë perfekte me pastat. Gjithashtu, meny-ja  përfshinë edhe variacione të verërave nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe Greqia. Si gjithmonë në fund është ëmbëlsira e cila është e gatuar nga kuzhinierët me fruta të freskëta dhe më profesionalizëm. Të gjithë përbërësit e kuzhinës sonë janë të freskëta dhe pjatat gatuhen gjithmonë në momentin e parë që merret porosia”- tregon Endriti.

Dhe së fundi, nuk mund të mos flasim për ambientin e Pastarellës, një kornizë me një dizajn të sofistikuar – ekspertët do të thoshin elegancë urbane – për një elegancë dhe bardhësi në të njëjtën kohë, me tavolina minimale prej druri, enë dekoruese të përzgjedhura me kujdes, ndërsa muret janë të zbukuruara me piktura që të japin aromën e detit Jon.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë