Intervista

Muzika klasike “pushton” Prishtinën

Intervistë me Lejla Pula, presidente dhe drejtoreshë artistike e Chopin PianoFEST- it, në këtë edicion jubile për sfidat, risitë dhe  atmosferën që krijon ky festival në kryeqytet.

 

Në 10 vjetorin e festivalit Chopin Piano Fest, çfarë do të thotë për ju?  

Për ne organizatoret e Chopin PianoFEST- it vetë arritja deri te edicioni i 10 i Festivalit, paraqet një sadisfaksion të jashtëzakonshëm!  Fakti që përkundër të gjitha sfidave të deritanishme, e duke pasur parasysh parametrat e larta të nivelit artistik, të parashtruara që nga fillimi i festivalit e që kërkojnë kosto të lartë, mendoj se e kemi arritur qëllimin tonë në masë të madhe! Është dëshmuar se kur ekziston dëshira e madhe, entuziazmi, bashkëpunimi i sinqertë kolegial ne organizim dhe vullneti i pashuar për ta bërë të pamundurën, lindin realizimet më të bukura, që na befasojnë edhe vetë neve!

Një rrugëtim i gjatë i festivalit që ka në qendër të vet pianon, si ka qenë për ju si themeluese e Chopin Piano Fest të Kosovës?

Në skenën e festivalit tonë ndër vite janë paraqitur emrat e mëdhenj të artit interpretativ botëror, gjë që ishte një nga synimet tona kryesore duke e pasur parasysh izolimin kulturor të Kosovës dhe nevojën për ta ofruar artin kulmor interpretativ muzikor në kryeqendrën tonë! Deri tani kemi ftuar një numër të madh instrumentistesh me famë botërore nga Austria, Gjermania, Britania e Madhe, Italia, Franca, SHBA, Argjentina, Finlanda, Kroacia, Norvegjia, Hungaria, Zvicra, Rusia, Çekia, Portugalia, Polonia, Japonia, Greqia, Spanja, Holanda, Belgjika, Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Bulgaria, Ukraina…., por gjithnjë duke e gërshetuar skenën programore të festivalit së bashku me artistet tonë të afirmuar nga Kosova të gjeneratave të ndryshme, sikur edhe talentet e rinj! Nga viti në vit, duke qenë dëshmitar të zgjerimit programor të  festivalit me cilësi të lartë dhe ruajtjen e fizionomisë së tij me fokusin kryesor në instrumentin e pianos, me kënaqësi mund të konstatojmë edhe ngritjen e madhe të interesimit, mbështetjes dhe përkrahjes për Chopin PuanoFEST- in!

Cilat janë risitë e këtij edicioni të Chopin Piano Fest qoftë në aspektin e emrave të mëdhenj të muzikës po ashtu edhe prurjeve të reja artistike?

Sivjet në program i shënojmë 16 mbrëmje koncertale ( 8-28 prill), nga të cilat kemi të parapara shtatë recitale pianistike: Giovanni Bellucci nga Italia, Eric Ferrer nga Franca, Hakon Austbo nga Norvegjia, Istvan Lajko nga Hungaria, Peter Donahoe nga Britania e madhe, Violetta Egorova nga Rusia, Malik Halçe dhe Melos Buza nga Kosova, dy Duo pianistike – Ariadita Duo ( Ardita Statovci, Ariane Haering) dhe Duo Gašparević, dy Duo violine- piano, Visar Kuqi – Clemens Rave dhe Suela Piciri- Klevis Gjergji; mbremja vokale me Flaka Gorancin, mezzosoprano, Arta Jasharin, soprano, Armando Likaj- bariton dhe Ardita Bufaj -piano. Pastaj kemi tri mbrëmje me talentet e rinj, (Podiumi pianistik, Skena Juvenis dhe Skena e talenteve të rinj), me laureatët nga rajoni, studentët e Fakultetit te Arteve në Prishtinë dhe nxënësit e shkollave të ulta dhe të mesme të muzikës nga gjithë Kosova!  Gjithashtu vazhdojmë edhe me Garën për  Çmimin special të festivalit!  Mbrëmja përmbyllëse e Festivalit,  tradicionalisht realizohet në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës për çka jemi shumë mirënjohës. Sivjet dirigjent dhe solist në piano është artisti i famshëm nga Austria Stefan Vladar, e solist na vjen edhe tenori nga Shqipëria Josif Gjipali!

Gjithmonë e më pak përkrahje institucionale,  por edhe private për artin, veçanërisht për muzikën klasike, cili është mendimi juaj në këtë aspekt? 

Jemi të falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Reiffeisen Bankës, Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë se Kulturës, si dhe Ambasadave të huaja të akredituara në Kosovë, të cilat na ndihmojnë aq sa kanë mundësi në mbështetjen e ardhjes së artisteve nga shtetet e tyre.  Mbesim me shpresë se kjo mbështetje do të rritet në të ardhmen dhe se së shpejti koncertet tona do të mund t’i mbajmë dhe dëgjojmë në ambientin e një salle koncertale, një mall të pashuar cilin meriton më në fund ta ketë kryeqyteti ynë!

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë