Shëndet

Bullizmi…gjithçka që duhet të dimë!

Një interviste me psikologen klinike Shqipe Vitija rreth fenomenit të bullizmit, shkaqet, pasojat dhe çfarë duhet të bëjmë si prindër, mësimdhënës dhe shoqëri. Shqipe Vitija, mr.sci. psikologe klinike si dhe trapiste për fëmijët me çrregullime pervazive, çrregullime në sjellje, ADHD, autizëm, por edhe për të rritur me psikotraumatologji EMDR therapy, e diplomuar në Universitetin e Tiranës, në Psikologji Klinike Shkencore, thekson rëndësinë që duhet t’i kushtojmë bullizmit dhe cilat janë “shenjat” alarmante e viktimës se bullizmit, të cilat duhet t’i njohin prindërit dhe të kërkojnë ndihmë profesionale.

 

Kohëve të fundit është aktual dhe në rritje fenomeni i bullizmit, çka është bullizmi dhe ku është më së shumti i përhapur?

Tashmë bullizmi nuk është  një fjalë e pa dëgjuar, të gjithë në një formë apo tjetrën kemi dëgjuar diçka mbi këtë fenomen, kaq prezent dhe shqetësues. Një nxënës është objekt veprimesh bullizmi, pra është shkelur ose viktimizuar, kur ekspozohet, vazhdimisht me kalimin e kohës, ndaj veprimeve ofenduese të vëna në zbatim nga një apo më shumë studentë të tjerë. Këto veprime negative mund të realizohen me kontakt fizik, fjalë, ose mënyra të tjera, si përqeshje dhe gjeste dhe me përjashtime të qëllimshme nga një grup. Është një lloj veprimi që shënjestron me qëllim për të bërë keq apo të dëmtoji, shpesh është i vazhdueshëm, ndonjëherë zgjat me javë, muaj edhe vite dhe për viktimat është e vështirë të mbrohesh . Në bazë të shumicës së sjelljeve shfrenuese ka një abuzim të fuqishëm dhe një dëshirë për të frikësuar e dominuar. Bulizmi në shkollë është në rritje të vazhdueshme. Ky shqetësim po prek si të rinjtë  adoleshentë, edhe  të  vegjlit në shkollat fillore.

Si ta dallojmë bullizmin nga një episod zemërimi, tallje apo ngacmimi?

Është mirë të theksohet se bullizmi dallon qartë nga ngacmimet e zakonshme në mes moshatarëve apo shokëve, dallon nga inatosja apo hidhërimi i zakonshëm Nuk është bullizëm nëse marrësit e akteve dëmtuese ndryshojnë dhe nuk ka të bëjë me tallje momentale apo vandalizëm. Bullizmi është fenomen më i thellë dhe më kompleks.

Cilat janë karakteristikat kryesore të bullizmit dhe si manifestohen ato?

Bullizmi paraqet tre karakteristika kryesore:

Asimetria: marrëdhënia bullist dhe viktimë karakterizohet nga një çekuilibër forcash; nuk ka grindje midis dy fëmijëve me forcë fizike ose psikologjike të njëjtë.

Vazhdimësia: veprime të vëna në zbatim vazhdimisht  përgjatë muajve. Edhe një veprim i vetëm, nëse është e një mase të madhe, mund të konsiderohet akt bullizmi.

Qëllimshmëria: akte abuzimi të kryera me qëllim për t’i shkaktuar dëm personit tjetër, duke mos arritur të kuptohet vuajtja e viktimës.

Bullizmi mund të manifestohet në mënyrat e mëposhtme;

Bullizëm direkt verbal: veprime ofenduese të kryera nëpërmjet përdorimit të fjalëve, përshëmbull, duke kërcënuar apo tallur viktimën.

Bullizëm direkt fizik: sulme direkt ndaj viktimës, si për shembull, të rrahi, të marri me shkelma, të shtyjë, të tërheqë, të pickojë, të marri në pronësi apo të shkatërroji objektet e dikujt tjetër.

Bullizëm indirekt: mënyrë më e devijuar dhe latente. Izolim të viktimës, përjashtim nga grupi dhe përhapje shpifjesh. Më e vështirë për tu evidentuar. Fjalë jo ofenduese të përjetuara nga viktimat si poshtëruese.

Cyberbullizëm: e vënë në akt nëpërmjet mjeteve teknologjike.

A dallon bullizmi (manifestimi) tek meshkujt dhe tek femrat? Nëse po, në çka dallojnë?

Meshkujt, përgjithësisht, bëjnë veprime dëmtuese si me meshkujt ashtu edhe me femrat.  Mënyrat e tyre shprehen nëpërmjet bullizmit direk, në mënyrë shfrenuese si atë verbal (gojor) ashtu edhe fizik (shkelma, grushte apo dëmtimi i gjërave të të tjerëve, vjedhja etj).Ndërsa bullizmi tek femra është më dinak, delikat dhe në përgjithësi e bëjnë në mënyrë indirekte, persekuton “të përjashtuarën” me thashetheme, etiketime duke arritur të ndryshojë marrëdhënie shoqërore.

Çka e shkakton bullizmin, ose kur dikush bëhet në fakt bullist?

“Një bullist nuk është i fortë. Ai ka frikë të mos jetë qendra e vëmendjes, të qenët i përjashtuar, të mos qenët i dashur. Shpesh, ai ka qenë gjithashtu viktimë e bullizmit në të kaluarën ose jeton në situata të vështira familjare. Për të mos treguar dobësinë e tij, ai vendos një mur dhe sillet në një mënyrë prepotente, duke e rrethuar veten me njerëz që e mbështesin atë. Disa djem/vajza janë viktima bullizmi për shkak se kanë disa kile shtesë, sepse nuk kanë rroba origjinale, sepse ata kanë një besim fetar që është ndryshe nga i yni ose sepse janë homoseksualë. Sot shumë njerëz janë viktima bullizmi thjesht sepse ata vendosin të bëjnë zgjedhje kundër rryme: ata duan të studiojnë, ata zgjedhin të mos pinë duhan apo të mos vjedhin në një dyqan, ata nuk janë të interesuar të vesh rroba origjinale, ata rrinë me shokët të përjashtuar.

Cilat janë pasojat e të qenët viktimë e bullizmit?

Fëmijët e ekspozuar shpesh ndaj bullizmit mund të zhvillojnë psikopatologji të ndryshme kur rriten, edhe nëse nuk ka simptoma psikiatrike infantile. Në veçanti, sipas grupit Sourander dhe kolegë, ekspozimi ndaj sjelljeve agresive në fëmijëri asociohet në moshë adulte me skizofreninë, psikozën, depresionin dhe abuzimin me substanca Viktimat e bullizmit gjatë fëmijërisë shkojnë drejt një rreziku më të madh për të zhvilluar çrregullime ankthi në moshë të rritur, ndërsa ata që kanë qenë si viktima ashtu edhe bullistë kanë një rrezik më të madh depresioni në moshë të rritur dhe çrregullime ankthi. Viktimat e gjinisë femërore duket se janë në rrezik agorafobie, ndërsa meshkujt janë një rrezik më të madh për vetëvrasje. Bullistët duket se janë një rrezik për një çrregullim antisocial në moshë të rritur.

Kush janë viktimat apo kush është në  “shënjestër” të bullisteve?

Ndër faktorët kryesore që të bëjnë të jesh pre e këtij fenomeni mund të përmendim:

  • Të qenët i izoluar në aspektin social (tip antisocial)
  • të qenët me aftësi të veçanta (aftësi të kufizuar)
  • nëse shihesh si një tip që nuk mund të vetëmbrohet gjithashtu ka më shumë mundësi të biesh pre e bullizmit;
  • nxënësit me vetëbesim të ulët;

Cilat janë “shenjat” alarmante e viktimës se bullizmit, të cilat duhet t’i njohin prindërit dhe të kërkojnë ndihmë profesionale?

Një nga problemet më të vështira për t’u zgjidhur, për sa i përket bulizmit në shkollë, qëndron pikërisht tek evidentimi i sinjaleve të tij. Nuk është e rrallë që vetë prindërit nuk e kuptojnë situatën ose bëjnë sikur, duke ia lënë atë fazës tipike të adoleshencës apo duke mos e vënë në pah këtë shqetësim Por ekzistojnë disa sinjale treguese për ndonjë situatë të vështirë që po kalon fëmija juaj: gërvishtjet dhe lëndimet pa asnjë shpjegim, izolimi në vetvete ndaj shokëve dhe shoqeve të klasës, dhembjet fizike (dhembje barku, dhimbje koke,) ose probleme emocionale të cilat rriten sidomos në mëngjes përpara se të shkojnë në shkollë, refuzojnë të shkojnë në shkollë me ndonjë justifikim të thjeshtë, mungesë apo shtim oreksi, çrregullim gjumi.

Roli i prindërve, mësimdhënësve dhe rrethit social në parandalimin dhe zbulimin e viktimave të bullizmit?

Në secilën sferë të jetës, për mirëqenien e te gjithëve, patjetër kërkohet bashkëpunim i mirëfilltë në mes prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësit, sidomos në zbulimin dhe parandalimin e bullizmit. Kjo do të thotë se, nëse prindërit kanë një dyshim bulizmi mbi fëmijën e tyre, këtë duhet t’ua thonë menjëherë mësuesve dhe anasjelltas, nëse mësuesit vërejnë raste dhune fizike dhe psikologjike ndërmjet nxënësve të tyre, atëherë duhet të bëjnë menjëherë mbledhje me prindërit. Është shumë i vështirë edhe zbulimi i atyre prindërve, të cilët ndikojnë për keq te fëmijët e tyre me situate buliste. Në këtë rast u takon mësuesve që të zhvillojnë mbledhje të herëpashershme me prindërit për të kuptuar natyrën e tyre apo sjelljen që kanë me fëmijët. Gjithashtu, është e rëndësishme të ndërhyni dalëngadalë.

Si mund ta ndihmojmë një fëmijë që është viktimë e bullizmit?

  • Normalisht që prindërit, stafi i shkollës si mësuesit apo psikologu/i apo kujdestarë të fëmijëve mund të bëjnë shumë për këtë gjë.
  • Pikësëpari, duhet të dimë se si t’ju flasim fëmijëve për bullizmin, të sigurohemi që ata e kanë kuptuar çdo të thotë bullizëm dhe të kuptojnë se në asnjë moment nuk duhet ta pranojnë atë.
  • Nëse duam të ndihmojmë fëmijët, atëherë duhet të përpiqemi të jemi edhe shokët e tyre, të tregojmë interes për jetën e tyre shkollore, aktivitetet e përditshme, shokët, ecurinë e çdo dite apo edhe shqetësimet e tyre.
  • Po sikur të mund t’ju modelojmë fëmijëve se si mund të trajtojnë të tjerët me mirësjellje dhe respekt, dihet tashmë që fëmijët modelojnë sjelljet që shohin

Ndërhyrje që synojnë reduktimin e probalitetit që të verifikohet fenomeni

  • Takime sensibilizuese për prindërit dhe mësuesit
  • Laboratore në shkollat e tetëvjeçares
  • Psikoterapi individuale

Ndërsa mesazhi  për te gjithë prindërit dhe mësimdhënësit do të doja të ishte që mos të jeni dhe ju një “bullist” i pa vetëdijshëm  ndaj fëmijëve apo nxënësve tuaj. Dhe të mos neglizhoni  shqetësimet e cekura më lartë. Bëhuni dëgjues të mirë.

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë