Shëndet

Kur guximi sfidon sëmundjen por edhe mentalitetin

“Mënyra më e mirë për të kapërcyer frikën është ta përballosh atë. Mos pretendoni se nuk keni frikë kur jeni të prekur nga tuberkulozi”- është ky mesazhi që dha një nga shkrimtaret e njohura, kur para një audience nisi të rrëfente historinë e saj. Revista Flatra gjithmonë i ka kushtuar një vëmendje të veçantë personazheve, që me shumë kurajë kanë ndarë përvojën e tyre me lexuesin tonë. Një “dhuratë” për të gjithë ata që luftojnë, për të dashurit e tyre dhe për të gjithë njerëzit që kujdesen për ta. Tregimet e këtyre personazheve, që dëshmojnë se si sëmundja i ka bërë shumë më të fortë dhe luftarakë deri në atë pikë, sa kanë bërë një kthesë vendimtare në jetën e tyre.

Dy histori, dy rrëfime, sa të ngjashme aq edhe të ndryshme, sa të dhembshme, aq edhe të guximshme…sepse të dy kuptuan që ia vlen të luftosh kundër çdo sëmundje deri në pikën e fundit të forcës, deri në shpresën e fundit. Dy personazhet tona, kanë dashur të mbeten anonimë, jo sepse kishin frikë nga paragjykimet, edhe pse këto të fundit janë të shumta, por sepse duan të mos lëndojnë të afërmit e tyre për frikën, urrejtjen pesimizmin dhe shqetësimet pa fund, që u kanë sjellë atyre, por mbi të gjitha të flasin hapur për çdo emocion.

 

 

 

Gegë. D, 57 vjeç

Historia e Gegës nuk është nga ato rrëfimet tipike të pacientëve, që shpesh herë e shohin sëmundjen si një pikë kthese në jetën e tyre. Përkundrazi. Largimi nga Kosova, me aq shumë mundime, me aq shumë peripeci dhe shpenzime të mëdha, ishte pika e kthesës në jetën e Gegë D. nga Gjakova. Megjithëse kishte lënë familjen, gruan dhe fëmijët, vendosi që të emigronte, në mënyrë ilegale, në Zvicër. Ishte nga ato udhëtimet e vështira, por zemra i mbushej me gëzim kur i shkonte nëpër mend se sapo të mbërrinte te të afërmit atje, do të fillonte menjëherë punë, do tu dërgonte familjarëve para dhe zgjidhja finale, fëmijët dhe gruaja të bashkoheshin shumë shpejtë me të. Ndërsa sëmundja nuk ishte pjesë e planeve të tij, nuk i shkoi asnjëherë nëpër mend, qoftë edhe ato ditë të ftohta që iu desh të përshkonte netët jashtë në Hungari. “Bëja plane me gruan vetëm për tu larguar nga Kosova, kishim kushte shumë të vështira, 4 fëmijë, ajo pa punë, unë herë gjeja dhe herë nuk gjeja punë, të afërmit më dërguan pare për tu nisur nga Hungaria, planifikuam gjithçka, por asnjëherë që do të sëmuresha. Kisha vetëm temperaturë dhe djersija, disa ditë rresht, por nuk ia vura veshin. Isha i lumtur që mbërrita në Valais, Zvicër. Por fati nuk ishte në anën time”- na tregon Gega, në fytyrën e të cilit ende reflektohet mërzia, trishtimi I lajmit të sëmundjes. Për javë të tëra vazhdoi ashtu me kollë dhe temperaturë, këputje të trupit, ndërsa ende vazhdoi të mendonte se e kishte nga lodhja, fundja nga ndonjë ftohje që mund të kishte marrë ato ditë. U mundua të vazhdonte përditshmërinë, punën edhe pse ende punonte në të zezë, ishte shumë i lumtur. “Flisja me gruan, asaj i tregoja që isha sëmurë, por duhej të kujdesesha për punën se ishte fillimi derisa motra më detyroi të shkoja të bëja një vizitë pasi vetëm po përkeqësohesha dhe kisha humbur shumë peshë.. Pas pak ditësh ai u diagnostikua me tuberkulozë. Ishte si një rrufe në qiell të hapur, kishte dëgjuar shumë herë për këtë sëmundje, por nuk dinte asgjë për simptomat e saj, madje as e motra, as kunati, askush, asgjë…Gega ishte sëmurë rëndë ndërsa mjekët rekomanduan shtrim të menjëhershëm. Ai vazhdonte të mendonte për vendin e punës, familjen dhe planet e tyre. “As atëherë, por as tani nuk mund ta besoj që kalova sëmundjen e tuberkulozit, ishte si një ëndërr, mendova kaq e pat jeta ime, jeta e fëmijëve të mi, vetëm për ta mendoja. Mu këputën shpresat, i lutesha vetëm Zotit për një mrekulli, asgjë tjetër”-, rrëfen Gega. Këtu nisi dhe rrugëtimi i tij, i gjatë, sfilitës drejt terapive dhe kurave, per 6 muaj, megjithëse pas asnjë shpresë për jetën, siç mendonte Gega. “Iu luta motrës të mos I tregonte askujt, sidomos familjes, nuk doja ta dinin, ata nuk kishin asnjë mundësi për të më vizituar, por nuk doja ta merrnin vesh as të afërmit e tjerë për sëmundjen time. Gruas më vonë i tregova të vërtetën, por ajo as sot e kësaj dite që kanë kaluar 1 vit e gjysmë nuk i ka treguar askujt. Janë sëmundje dhe probleme që duhet të rrinë brenda familjes”-thotë Gega. Ishin 6 muaj të gjatë, pothuajse i vetëm në spital, përveç vizitave të motrës së tij, ai ishte i izoluar, pa ditur mirë gjuhën, i frikësuar, edhe pse e dinte që askush nuk ka ndonjë siguri në jetë se sa apo si do të jetojë… “Mjekët aty i thanë motrës dhe familjes së saj me i bë analizat, se ndoshta unë ua kisha ngjitur edhe atyre tuberkulozin.”Gega ishte gëzuar pa masë në shpirt që motra dhe familja e saj nuk ishin me këtë sëmundje. “Çka me bë? Me dëshirë nuk ngjitet. Por për fat ata janë mirë.”- thotë Gega ndërsa shton se jeta e tij ka ndryshuar, ka gjithmonë frikë se sëmundja mund t’i kthehet, dhe se kësaj radhe nuk do të gjej forcë të merret me të. Kjo ishte edhe një ndër arsyet pse nuk pranonte të fliste për revistën tonë, për ata që do të lexonin rrëfimin e tij, nuk e dinte nëse do të gjeja fjalë ngushëlluese, por donte të tregonte vetëm atë që ndjente realisht pa emër dhe mbiemër të vërtetë. Sepse, ashtu si ka pasur frikë se mos vdiste atëherë ashtu ka edhe tani, kjo frikë është ende gjallë te ai.

 

 

Drita, 65 vjeçe

Drita ka qenë mësuese, është nga Prishtina, e rrëfen me aq shumë detaje betejën e saj me sëmundjen e tuberkulozit, sikur të ishte një orë e Gjeografisë apo Historisë. Nuk lodhet, rrëfen shtruar, gjithmonë me një qeshje të lehtë ironie, sikur ende ka përpara vetës së saj sëmundjen dhe e sfidon me qetësinë e saj. E njoha rastësisht, bisedë e shkujdesur rreth gripit të sezonit, e pikërisht aty zbulova se mësuese Drita kishte vuajtur nga tuberkulozi, tash, nuk lë rast pa i sensibilizuar tjerët për të shkuar të mjeku për çfarëdo simptome. “Ne shqiptarët shkojmë të doktori vetëm kur nuk mundemi më, kur është bërë boll, natyrisht atëherë sëmundja e ka bërë punën e vet. Nuk e kam aspak të rëndë të flas se kam kaluar sëmundjen e tuberkulozit, sëmundja nuk është marre, nuk është hajni. Nëse nuk flasim ne, kush do ta bëj atëherë, ata që nuk e dinë as çfarë është tuberkulozi! Kush e kalon e din se çka është! Vetëm një gjë di të them, se tuberkulozi nuk njeh as të pasur as të varfër, as me shkollë as pa shkollë, të vjen një ditë në pragun e shtëpisë tënde”- ma nisë rrëfimin të ulura tashmë të dyja në kafenë ngjitur me furrën ku u njohëm. Megjithëse ka disa vite që ka dalë në pension, vetëm pak kohë para asaj moshë u diagnostikua me tuberkuloz, sigurisht që dhembja më e madhe ishte ta linte profesionin që e donte aq shumë më herët sesa e kishte menduar dhe në atë formë. “Isha së bashku me burrin, më thanë doktorët që isha sëmurë dhe do të ishte më mirë mos të shkoja në shkollë, por të filloja menjëherë nga trajtimi. Vajza ime është mjeke, u mor ajo me gjithçka, më tha menjëherë “Mami nuk do vdesësh, por do të luftojmë të gjithë së bashku, barnat janë falas, mjekët janë shumë të mirë dhe do të bëhesh mirë shumë shpejt. Sot nuk vdes kush nga tuberkulozi! Nëse shkojnë shpejt në kohë tek mjeku, bëjmë analizat dhe fillojmë trajtimin, shanset për shërim janë mbi 90%.”- më rrëfen Drita. Me rekomandimin e mjekut ju bënë analizat edhe nxënësve të klasës sa saj dhe familjareve. “Për fatin tim të mirë dhe të atyne, asnjë nuk rezultoi i sëmurë nga tuberkulozi. Oh çfarë lehtësimi në shpirt! Sëmundja mu duk shumë më e lehtë dhe e parëndësishme kur mora vesh se askujt nuk ja kisha ngjitur”. “Si çdo njeri edhe unë e dua jetën, në asnjë moment nuk e mendoja vdekjen apo të shtrihesha në shtrat e mos të ngrihesha më, jo. Ia nisëm menjëherë terapitë, doktorët më kanë qëndruar te koka, familja ime gjithashtu, të gjithë familjarët. Sot mendoj se në shërimin tim më së shumti ka ndikuar pozitiviteti që kisha, dashuria për jetën, por mbi të gjitha vajza ime, të cilën nuk doja ta shikoja të mërzitur.”- përfundon Drita. Asnjëherë nuk ka menduar se kjo ishte një betejë, të cilën nuk do ta fitonte, asnjëherë nuk ka menduar se a do të paragjykohej nga rrethi nëse do tu tregonte, që ishte e sëmurë me tuberkulozë, gjithmonë mendonte për jetën…

Sot tuberkulozi është një sëmundje, e cila diagnostikohet dhe trajtohet. Nuk ka asgjë për të ardhur turp! Sëmundjen nuk e merr me dëshirë! Sot është koha për tu vetëdijesuar se të jesh me TBC nuk ka asgjë të keqe e të çuditshme! Diagnostikohet, trajtohet dhe shërohet ! Çfarë duam më shumë!

Bruna Merko

Artikujt e tjetrë