Arte Pamore

Angjelin Nenshati… dëshmitari mes dy kohëve

Në një intervistë për revistën Flatra, drejtori i muzeut Marubi, Luçjan Bedeni, flet për ekspozitën “Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, fotografit të mirënjohur shkodran që fokusoi me aparatin fotografik ngjarje dhe njerëz, por edhe për ekspozitat e radhës në këtë muze.

 

Muzeu Marubi hapi ekspozitën retrospektive “Angjelin Nenshati: Dëshmitar mes dy kohëve”, na flisni pak rreth kësaj ekspozite, çfarë përfshin?

Ekspozita retrospektive e Angjelin Nenshatit (1929-2008) sjell një ndër fotografët e arkivës Marubi, me të riun prej tyre, me një fond prej 228.000 imazhesh. Ai e fillon aktivitetin e tij gjatë periudhës së komunizmit atëherë kur fotografia duhej t’i përgjigjej propagandës së diktuar nga regjimi. Kjo ekspozitë vjen e orientuar në dy drejtime: në periudhën e diktaturës komuniste dhe në atë të tranzicionit të viteve ’90. Gjatë periudhës së parë gjejmë momente nga puna, jeta e përditshme, paradat ku detyra e fotografit ishte t’i përgjigjej klisheve të kohës në pasqyrim e njeriut të ri, triumfues dhe i lumtur, imazhi “më i lartë” i Partisë. Në kontrast me këtë, me fillimin e viteve ’90, Nënshati është fotografi i lëvizjeve të para demokratike, i demonstratës së 2 prillit 1991 në Shkodër, i rihapjes së kulteve dhe vizitave të Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit II në Shqipëri. Në të dyja këto periudha, në thelbin e fotografisë së tij, mbetet ngjarja të cilën ai e ndjek me interesin dhe me syrin e reporterit të mirëfilltë dhe të vëmendshëm.

 Për të gjithë ata që nuk e njohin personalitetin dhe artin e Angjelin Nenshatit, sipas jush, çfarë ka përcjellë apo ka lënë gjurmë ai?

Nenshati lind në Shkodër, një qytet ku Pietro Marubbi hap edhe studion e parë fotografike në Shqipëri në 1865 e ku arti i fotografisë do të kultivohej më pas nga breza të tjerë fotografësh. Ai e fillon formimin e tij si autodidakt, por duke asistuar në atë kohë, një ndër fotografët më të njohur të qytetit- edhe ai pjesë e arkivës së muzeut- Pjetër Rraboshta, nga i cili formohet më tej në proceset e laboratorit. Në vitin 1958 hyn në kooperativën shtetërore ku punon si fotograf deri në 1989, vit kur del në pension. Është një reporter i kudondodhur i ngjarjeve social-kulturore të qytetit, por edhe i jetës së përditshme dhe ritualeve të ndryshme. Ajo që bie në sy në krijimtarinë e tij, është mungesa e një vlerësimi autorial ndaj ngjarjes, duke i qëndruar gjithnjë besnik momentit dhe pasqyrimit të tij.  Shumë prej qytetarëve të Shkodrës, përfshirë këtu edhe ne si brez më i ri, kanë patur fatin ta njohin nga afër, ta kenë pjesë të momenteve të ndryshme familjare, ta takojnë gjithnjë në shoqërinë e  aparatit të tij, në të gjitha ngjarjet e qytetit, pjesë e historisë të së cilit është tashmë edhe ai vetë.

Angjelin Nenshati

 Ashtu si ceket edhe në titullin e kësaj ekspozite, ishte dëshmitar i dy epokave, si është reflektuar kjo në artin dhe fotografitë e tij, ose e thënë ndryshe, subjekti qendror?

Për të kuptuar më mirë rolin e Nenshatit si fotograf, duhet filluar nga raporti i fotografisë me propagandën e periudhës komuniste. Fotografia shërbente si një instrument, si një sy tjetër i vëmendshëm që kapte e përjetësonte momentet “e lavdishme”, që ndërtonte figurën e “njeriut të ri” me anë të një mediumi që lejonte përhapjen e këtij imazhi në shtypin e kohës e arrinte kudo. Një ndër frymëzimet e mia për këtë ekspozitë ka qenë një intervistë e studiuesit Gëzim Qendro, i cili na flet për një “lloj laboratori të formësimit të prototipit” që përtej vullnetit për ta shfaqur modelin e njeriut të ri në çdo aspekt artistik dhe kulturor, në të vërtetë e mbante atë “të fshehur nga fotografia, të fshehur nga kinematografia, të fshehur nga piktura, nga skulptura, nga gjithçka”. E kjo vërehet në imazhet e Nenshatit të viteve ’90 kur ngjarjet çlirohen nga inskenimi, ku shohim shqiptarët dhe situatën e vërtetë, të pashfaqur ndër vite.

 Sa i përket muzeut Marubi, duket se është kthyer në një destinacion kryesor, çfarë do të thotë ky muze, për kulturën tonë, por edhe më gjerë?

Muzeu Marubi sjell përmes imazheve një harku kohor qindravjeçar ku dokumentohen ngjarje të rëndësishme historike, personazhe, momente nga jeta e përditshme. Ky muze i cili zotëron një ndër arkivat fotografik më të pasur në Ballkan me mbi 500.000 negativë, objekte e dokumente është dëshmia më e vlefshme për ndërgjegjësimin e brezave ndaj një të kaluare historike, ndaj momenteve që kemi bashkëndarë e sidomos ndaj vlerave artistike e kulturore që përbëjnë identitetin tonë kombëtar.

Cilat janë projektet e ardhshme të Muzeut Marubi?

Që nga hapja në godinën e re, e përuruar në maj 2016, Marubi ka një program vjetor ekspozitash të përkohshme ku vëmendja është kryesisht tek arkiva e muzeut dhe koleksionet e paekspozuara më parë, por edhe tek prurjet në fushën e fotografisë bashkëkohore me promovimin e artistëve të rinj vendas e ndërkombëtarë. Në kuadër të kësaj kemi hapur edhe një thirrje për fotografë mbarëshqiptarë për të na dërguar portfoliot e tyre me synim eksplorimin e skenës artistike të vendit.  Krahas kësaj, muzeu ofron edhe një program mujor eventesh, bisedash e aktivitetesh edukative me fëmijë të grupmoshave të ndryshme.  Përsa i përket kalendarit artistik në vazhdim, në muajin tetor mirëpresim ekspozitën e njërit prej fotografëve më të rëndësishëm për historinë e fotografisë, Félix Nadar, si një bashkëpunim me muzeun e fotografisë Jeu de Paume në Paris ndërsa në nëntor do të hapim një ekspozitë në La Triennale di Milano, një ndër hapësirat më të mira për artin bashkëkohor në Itali.

admin

Artikujt e tjetrë