Shëndet

Probleme me frymëmarrjen … ja zgjidhja

Nga dr. Jani Sulo

Frymëmarrja me hundë është mënyra më e mirë dhe më e përshtatshme që ne kemi për për t’u furnizuar me oksigjen  mirëpo shpesh qytetarët gabimisht mendojnë se frymëmarrja nëpërmjet gojës mund ta zëvendësoj hundën. Trupi i njeriut i ka specializuar gojën për të ngrënë e shijuar ndërsa hundën për të marrë frymë e nuhatur .  Kjo gjë shpesh neglizhohet dhe shumë qytetarë që i kanë hundët e bllokuara vazhdojnë për vite me radhë të marrin frymë me gojë duke menduar gabimisht se kjo është e njëjta gjë. Ndërhyrjet kryesore që ne bëjmë në Klinikën Metropolis janë pikërisht ato që synojnë zhbllokimin e rrugëve të frymëmarrjes që mund të jenë bllokuar si pasojë e shtrembërimit të perdes së hundës ose siç quhet ndryshe devijimi i septumit; si pasojë e zmadhimit të konkave hundore apo si pasojë e bajameve të zmadhuara. Shumë persona vendosin të bashkëjetojnë me këto probleme për vite me radhë dhe nuk bëjnë ndërhyrje për t’i zhbllokuar hundët duke ushqyer iluzionin se goja është duke e zëvendësuar hundën e prandaj këto ndërhyrje nuk janë të domosdoshme.

Së pari duhet kuptuar që oksigjeni është burimi ynë kryesor i jetës dhe kuptohet sa më shumë oksigjen të marrim aq më cilësore është jeta. Gjithashtu nxjerrja e frymës është mënyra kryesore për të dëbuar toksinat nga trupat tanë.  Mirëpo frymëmarrja e kufizuar mund të shkaktojë një numër të madh shqetësimesh shëndetësore duke nisur nga presioni i lartë i gjakut, gërhitja, apnea, pagjumësia e deri tek sëmundje më serioze si kanceri. Mund të duket çdudi në pamje të parë mirëpo shkenca ka dëshmuar se ka një lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë mes mos-furnizimit me oksigjen dhe kancerit. Në vitin 1931, Otto Warburg fitoi Çmimin Nobel për mjekësi duke vërtetuar se vetëm qelizat që nuk janë të furnizuar mjaftueshëm me oksigjen mund të transformohen e të shndërrohen në kancerogjene.Kjo do të thotë që sa më shumë oksigjen të marrim aq më pak shanse do të kemi që të na kapi kanceri.

Qytetarët duhet ta kuptojnë se frymëmarrja me hundë shërben si një sistem filtrimi me katër faza: 1. Qimet e hundës filtrojnë grimcat që gjenden në ajrin që thithet 2. Mukoza ka një enzimë që i kap dhe i  vret viruset dhe bakteret 3. Konkat hundore dhe sinuset përshtatin temperaturën, lagështirën dhe intensitetin e ajrit që futet në hundë në varësi të nevojave dhe 4 në zgavrat e sinuseve prodhohet oksid nitrik që përmirëson funksionimin e mushkërive e vret mikrobet e viruset. Përpara se të hyj në mushkri, ajri i thithur nga hunda kalon edhe dy filtrat e fundit, adenoidet dhe bajamet dhe ky sistem është shumë i përshtatshëm pasi mushkëritë janë shumë të ndjeshme dhe prandaj reagojnë shumë më mirë ndaj ajrit që ka kaluar nëpër këto faza të filtrimit të hundës, sesa përmes gojës.

Nëse ajri futet vetëm prej gojës shtohen gjasat që mikrobet e viruset të futen pa u filtruar në mushkri e po ashtu adenoidet dhe bajamet si barrierat e vetme të ngelura mbingarkohen e infektohen shumë dendur. Po ashtu duhet vënë në dukje se mushkëritë nxjerrin oksigjenin nga ajri jo vetëm gjatë thithjes së tij por edhe gjatë daljes. Duke qenë se vrimat e hundës janë më të vogla se goja, ajri del hunda më ngadalë duke i lënë më shumë kohë mushkërive për të nxjerrë oksigjenin nga ajri tashmë gjendet brenda trupit. Kur frymëmarrja bëhet me gojë ajri del menjëherë duke mos u shfrytëzuar maksimalisht dhe këtë fenomen e quajmë hiperventilim. Dalja e ajrit nga goja përshpejton gjithashtu edhe humbjen e lëngjeve të trupit, duke çuar në dehidratim.

Por në mënyrë të veçantë dua të ndalem tek oksidi nitrik. Sinuset tona prodhojnë këtë substancë e cila, kur bartet në trup nëpërmjet frymëmarrjes me hundë, lufton bakteret dhe viruset e dëmshme në trupin tonë, rregullon presionin e gjakut, nxit sistemin imunitar dhe potencën seksuale. Një grup prej shkencëtarësh amerikanë, ku përfshihej edhe profesori me origjina shqiptare Ferid Murati,  morën në vitin 1998 çmimin Nobel në mjekësi sepse zbuluan aftësinë e oksidit të azotit për të zgjeruar enët e gjakut. Ata zbuluan se oksidi i azotit shërben si vazodilatator pasi i bën muret e enëve të gjakut të relaksohen duke rritur rrjedhjen e gjakut në to. Një ndër aplikimet kryesore të këtij zbulimi ishte edhe ai seksual duke çuar në shpikjen e pilulave të viagras kundër imnpotencës seksuale. Si pasojë e këtij zbulimi u vërtetua se kur merret frymë nga hunda, ajri i thithur merr me vete edhe oksidin e nitratit të prodhuar në hundë dhe e kalon në mushkëri ku i bën enët e gjakut nëpër që të zgjerohen. Ky zgjerim bën të mundur që enët e mushkërive të përcjellin një vëllim më të madh të gjakut e për rrjedhojë të nxjerrin një vëllim më të lartë oksigjeni. Oksidi i azotit jo vetëm që ndikon në oksigjenim të mirë të trupit por ka kontribut edhe tek sistemi imunitar pasi eleminon me sukses shumë bakterie e viruse.

Pra me pak fjalë sinuset tona prodhojnë oksid nitrik, i cili, kur bartet në trup nëpërmjet frymëmarrjes me hundë, lufton bakteret dhe viruset e dëmshme në trupin tonë, rregullon presionin e gjakut, shton thithjen e oksigjenit, nxit sistemin imunitar dhe potencën seksuale. Kur ju merrni frymë nga goja, ajri nuk mbushet me oksid nitrik e për rrjedhojë trupi ynë nuk i merr të gjitha këto përfitimet e mësipërme që vijnë prej kësaj substance të dobishme.

Një tjetër problem që dua të vë në dukje është fakti që studimet shkencore kanë dëshmuar se frymëmarrja me gojë për një kohë të gjatë ndikon edhe në deforimin e fytyrës ose më saktë në një zhvillim anormal të kockave të fytyrës. Mund t’ju duket e çuditshme por  frymëmarrja përmes gojës mund të ndryshojë formën e fytyrës tuaj dhe të ndryshojë pamjen tuaj. Kjo është veçanërisht e vërtetë për fëmijët apo adoleshentët, sepse ata janë ende në rritje. Nëqoftëse ata marrin frymë vetëm me gojë ata rymëmarrja e gojës së të mund të vuajnë nga një zhvillim anormal i fytyrës dhe dhëmbëve duke patur fytyrë apo gojë të gjatë e të ngushtë, kocka më pak të definuara ,  nofullat të vogla të ulëta  apo  dhëmbë të parmë të grumbulluar. Të gjitha këto deformime që shëmtojnë paraqitjen.

Siç pra shihet shumë arsye të tjera se përse duhet marrë frymë nga hunda e jo nga goja, prandaj, nëse i keni hundët e bllokuara dhe për një kohë të gjatë merrni frymë kryesisht me gojë, unë ju këshilloj që të konsultoheni me mjekun për  të gjetur një zgjidhje efikase e të përhershme.

admin

Artikujt e tjetrë