Lifestyle

Kur veshja nxjerrë në pah personalitetin

Një grua e fortë, mes klasikes dhe modernes, të thjeshtës me ekstravaganten, një dizajnere si Erlehta Imeri, e cila përpiqet të nxjerrë në pah, nëpërmjet modës, personalitetin e një gruaje. Profili i një dizajnereje të re në rrugëtimin e saj në botën e modës.

 

Ajo ka dëshirë të njihet i një stiliste, që sjellë ndryshime në konceptimin e modës, pasi veshjet e saj janë përtej të zakonshmes. Erlehta Imeri vjen në këtë profil në revista Flatra për të folur më shumë për pasionin e saj, por edhe rrugëtimin e nisur tashmë prej dy vitesh. “Quhem Erlehta Imeri, jetoj në Prishtinë dhe jam kreatore e modës. Përditshmëria ime është e mbushur me energji dhe pozitivitet më së shumti nga njerëzit që më rrethojnë, të cilët gjithashtu janë pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi drejt botës së modës”- shprehet Erlehta. E rrethuar gjithmonë me njerëz që i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë, modës, detajeve që e përbëjnë atë, Erlehta, me shumë lehtësi zgjodhi rrugën dhe profesionin e saj. “Në fakt, unë me modë kam filluar të merrem këto dy vitet e fundit, por që nuk më ka munguar kurrë pasiqë familja ime ka qenë e apasionuar pas modës, dhe kjo ka qenë arsyeja pse unë këtë pasion e ktheva në profesion. Ishte një ndjenjë që më ka shoqëruar gjithmonë në jetën time, e rrethuar me të bukurën dhe dashurinë ndaj saj, jo thjeshtë si trend apo një veshje mode, por si një mënyrë jetese, e cila shpesh herë nxjerrë në pah personalitetin e secilit prej nesh.”- thotë dizajnerja.

Sigurisht që edhe ky profesion ka sfidat e veta, duke kërkuar shumë përkushtim dhe pasion, por asnjëra prej këtyre nuk i mungon Erlehtës, çdo ditë e kalon në atelienë e saj të vogël, por duke dizajnuar dhe krijuar fustane dhe veshje gjithnjë e më shumë unike, e fokusuar në detaje dhe materiale shumë cilësore. “Një ndër qëllimet e mia është që të kem një brend nën logon e emrit tim, gjë që nuk është shumë e lehtë. Ky brend do të ketë një rëndësi të madhe sepse do të përfaqësojë karakterin tim si stiliste, krijimtarinë, dizajnet, kreativitetin tim për të dhënë një mesazh frymëzues dhe kuptimplotë.”- na tregon ajo. Dalëngadalë Erlehta Imeri ka filluar të krijojë identitetin e saj në veshjet dhe kreacionet nën logon “eré”, me shumë vullnet dhe dëshirë të zjarrtë për të lënë gjurmët e saj në industrinë e modës në Kosovë.

“Në dizajnet e mia përpiqem që të ndërthur klasiken me modernen, të thjeshtën me ekstravaganten, që në fund të jetë paraqitja e një gruaje të palodhur e të fortë. Qëllimi i punës time ka të bëjë me aftësinë time në kombinimin e ngjyrave, dizajneve dhe detajeve më karakteristike, në mënyrë që çdokush të ndihet i veçantë në veshjet e brendit tim.”- thotë dizjanerja. Në fakt në veshjet e saj shohim ngjyra të forta, por edhe më të buta, modele dhe prerje, të cilat të japin përshtypjen e një gruaje sa rebele, po aq edhe moderne, klasike dhe të fortë. Por çfarë e frymëzon Erlehta Imerin në veshjet e saj?!

“Frymëzimi im më i madh është forca e gruas, pasiqë simbolizon faktin që sado të lodhemi, të harxhojmë orë të tëra pune në fund marrim rezultatin edhe themi që ia ka vlejtur.”- përfundon ajo.

admin

Artikujt e tjetrë