Intervista

Të drejtat e fëmijëve, sfidë shoqërore dhe institucionale

Respektimi i të drejtave dhe garantimi i mbrojtjes së fëmijëve janë pjesë e rëndësishme e çdo legjislacioni demokratik. Megjithatë të dhënat e fundit tregojnë se Kosova ka një hapësirë të theksuar në mes ligjeve të miratuara dhe zbatimit të tyre në praktikë. Drejtoresha e Koalicionit e OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, znj. Donjeta Kelmendi, në këtë intervistë për Flatrën, flet për të arriturat, sfidat dhe projektet e subjektit që drejton, duke nënvizuar se gjithashtu sensibilizimi i shoqërisë është një faktor i rëndësishëm në luftimin e dukurive negative, të cilat kërcënojnë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve.

 

 

Mund të na tregoni se cila është panorama e përgjithshme në Kosovë, sa i përket mbrojtjes  dhe garantimit të të drejtave të fëmijëve në Kosovë?

 Fëmijët në Kosovë përbëjnë 30% të popullsisë së përgjithshme. Kjo nënkupton se investimet në fëmijë do të përkthehen në zhvillim të mbarë vendit pas disa vitesh. Aktualisht Kosova ka hartuar ligje dhe politika mjaft të mira për mbrojtjen e fëmijëve. Por, Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijëve si mjet monitorues, konstaton se Kosova ka një hendek të madh në mes të legjislacionit të aprovuar dhe zbatimit të tij. Për këtë Kosova duhet të bëjë investime financiare që momentalisht mungojnë, për të ndërtuar kapacitetet që do të mundësonin zbatimin efikas të legjislacionit duke siguruar se fëmijët mbrohen dhe të drejtat e tyre respektohen.

Cilat janë disa nga fenomenet negative, ndaj të cilave janë te ekspozuar fëmijët në Kosovë?

 Të dhënat tregojnë një situatë jo të mirë të mbrojtjes së fëmijëve. Kosova ka një shkallë prej 20.7% të varfërisë së fëmijëve. 10.7% e fëmijëve në Kosovë janë të përfshirë në punë, ndërsa 6.8% e tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61.4% e fëmijëve deri në moshën 14 vjeç kanë përjetuar dhunë psikologjike dhe fizike ndërsa vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara përfitojnë nga shërbimet shëndetësore, arsimore dhe sociale.

Programi për vlerësimin ndërkombëtar të nxënësve “PISA”, e ka radhitur  Kosovën në vendin e 68-të në mesin e 72 shteteve, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim. Në anën tjetër, vetëm 18% e fëmijëve të moshës 0-5 vjeç janë të përfshirë në institucionet parashkollore. Investimet në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, janë më të ulëtat në rajon. Shpenzimet nga xhepi i qytetarëve janë të larta, kjo në mungesë edhe të implementimit të fondit për sigurime shëndetësore. Raportet nga institucionet qeveritare dhe jo qeveritare flasin për rritjen e përfshirjes së fëmijëve në sjellje, që janë në kundërshtim me ligjin, përfshirë edhe dhunën, pasojat e së cilës në disa raste kanë qenë fatale për vetë fëmijët.

 Mund të na flisni shkurtimisht për disa nga arritjet e KOMF-it në misionin e tij për të  mbrojtur dhe avancuar të drejtat e fëmijëve në Kosovë?

 KOMF bazuar në misionin e tij; avokimin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ka arritur që të jetë zë i fuqishëm i 27 organizatave të shoqërisë civile për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe adresë kyçe për institucionet vendore dhe ndërkombëtare. KOMF pati ndikim në avancimin e legjislacionit, që rregullon të drejtat e fëmijëve, përfshirë  ndikim në “Ligjin mbi Shërbimet Sociale dhe Familjare” duke ruajtur të drejtën e fëmijës në adoptimin ndërshtetëror, përkundër qëllimeve për ta larguar këtë të drejtë me ligj. Një rezultat tjetër ishte edhe avokimi i KOMF gjatë plotësim-ndryshimit të “Ligjit mbi Skemën e Asistencës Sociale”, pas së cilës më shumë se 60,000 fëmijë filluan të përfitojnë nga përfitimet shtesë të ndihmës sociale. KOMF ka kontribuar në hartimin e Projektligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve, i cili u hartua për herë të parë në Kosovë. Ai po ashtu ka kontribuar në plotësim ndryshimin e dispozitave që prekin mbrojtjen e fëmijëve në kuadër të Kodit Penal, duke kërkuar ashpërsimin e denimeve për veprat penale ku fëmijët janë viktimë. Aktualisht, KOMF është duke mbajtur konsultime me shoqërinë civile lidhur me nevojën për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Familjen, me qëllim të avancimit të formave të mbrojtjes për fëmijët pa përkujdesje prindërore. Në anën tjetër, KOMF përmes monitorimit dhe hulumtimeve, ka identifikuar boshllëqe në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe i ka adresuar ato institucioneve publike, duke kërkuar përgjegjësi, llogaridhënie, duke ofruar zgjidhje dhe duke kërkuar veprime dhe ndryshime të menjëhershme.  Çështjet e mbrojtjes së fëmijëve janë trajtuar nga KOMF gjerësisht edhe përmes mediave, me qëllim të ngritjes së vetëdijes dhe vendosjen e të drejtave të fëmijëve si pjesë e debatit publik. Po ashtu, fuqizimi i koalicionit dhe organizatave anëtare mbetet një ndër objektivat e koalicionit. KOMF ka ndarë nën financime për organizata për fuqizimin e kapaciteteve të tyre dhe mbështetjen e komunave në hartimin e rregulloreve, strategjive dhe planeve të veprimit komunale për mbrojtjen e fëmijëve. Përderisa aktualisht, është duke u punuar në zhvillimin e një programi për“ngritjen e kapaciteteve” për organizatat anëtare të koalicionit.

 Sipas jush cilat janë disa nga hapat apo strategjitë, që duhen të ndërmerren si nga institucionet, por edhe nga akterë të tjerë, për të përmirësuar edhe më tej këtë sektor në Kosovë?

 Kosova bazuar në Kushtetutën e saj, ka obligime të qarta për siguruar mbrojtjen e secilit fëmijë brenda juridiksionit të saj. Hapat e ardhshëm duhet të përfshijnë rritjen e investimeve financiare për ndërtim të kapacitetit adekuat në mënyrë që të përmbyllet boshllëku mes politikave dhe zbatimit. Është e domosdoshme ndarja e buxhetit për Projektligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve, në mënyrë që ky projektligj pas aprovimit, të gjejë zbatim dhe të ndikojë në mbrojtjen dhe mirëqenien e fëmijëve. Për të siguruar një financim të qëndrueshëm qeveria duhet të krijoj një Grant Specifik për Shërbime Sociale, grant ky i cili do të siguronte mbrojtje për të gjithë fëmijët në nevojë. Hapat tjerë përfshinë rritjen e investimeve për rritjen e cilësisë së arsimit dhe zbatimin e legjislacionit që rregullon gjithëpërfshirjen në arsim, parandalimin e braktisjes dhe parandalimin e dhunës në shkolla. Investimet duhet të rriten edhe në sektorin e shëndetësisë, për të siguruar shërbime cilësore shëndetësore, implementimin e ligjit për sigurime shëndetësore si dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së fondit për fëmijët me sëmundje të rënda e që kërkojnë trajtim jashtë shtetit. Institucionet duhet të  krijojnë  mekanizma të pavarur të inspektimit për të inspektuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve si dhe të bëjnë hulumtimin dhe mbledhjen e të dhënave për të përcaktuar numrin e fëmijëve brenda komunave dhe dominimin e çështjeve në mënyrë që të planifikojnë ndërhyrjet adekuate.

 Mendoni se ka një sensibilizim për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e fëmijëve qoftë nga opinioni publik, por edhe nga mediat?

Konsiderojmë që akoma nuk ka një sensibilizim të lartë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e fëmijëve qoftë nga opinioni publik, por edhe nga mediat, megjithatë krahasuar me vitet e kaluara, sensibilizimi dhe vetëdijesimi është në rritje.

Një vetëdijesim më i madh duhet të bëhet edhe tek prindërit. Aktualisht, dhuna dhe ndëshkimi fizik i fëmijëve në Kosovë mbetet një normë sociale e pranuar dhe e aplikuar nga prindërit dhe shoqëria jonë, duke u parë më shumë si formë e disiplinimit. Rekomandohet fuqishëm vetëdijesimi drejtuar popullatës së gjerë për të promovuar metodat pozitive të prindërimit dhe disiplinimit për të eliminuar metodat e dhunshme të disiplinimit dhe ndëshkimit trupor. Poashtu, rekomandohet zhvillimi i programeve të prindërimit të disiplinës pozitive për prindërit, kujdestarët dhe profesionistët që punojnë në mbrojtje të fëmijëve, për të zvogëluar praktikat e dhunshme, duke krijuar një brez të ri gjeneratash të cilët do praktikojnë metoda jo të dhunshme në rritjen e fëmijëve.

                                                                                                                            

admin

Artikujt e tjetrë