Intervista

Qëndron Kastrati, politikani përtej kornizave

Një intervistë e veçantë me kryetarin më të ri të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati rrëfen arsyet pse u bë pjesë e politikës, kandidimi dhe premtimet e mbajtura…dhe më e rëndësishmja, kultura si prioritet kryesor.

 

 Së pari na flisni pak për veten tuaj, nga vini, arsimimi juaj?

Unë jam Qëndron Kastrati, familja ime vjen nga fshati Hogosht në Kamenicë, ndërsa unë një pjesë të madhe të jetës sime e kam kaluar në Prishtinë deri kur jam zhvendosë në Kamenicë sërish pasi jam zgjedhë Kryetar i kësaj komune. Shkollën fillore dhe të mesme i kam kryer në Prishtinë, dhe aktualisht jam absolvent në Fakultetin Teknik, drejtimi Sisteme Elektroenergjetike.

Çfarë ju nxiti që të bëheni pjesë e politikës?
Gjatë tërë jetës sime, në njëfarë forme, politika ka qenë interesim imi, por formalisht u bëra aktiv në politikë në vitin 2010 duke iu bashkuar Lëvizjes VETËVENDOSJE! me të cilën ndaja të njëjtin mendim se si Kosova do të duhej të bëhej një shtet i mirëqenë për qytetarët e saj. Kjo në fakt ishte arsyeja pse u aktivizova , duke parë që vendi ynë i keq qeverisur nga pushtetarët kishte marr kahje të gabuar. Fakti që Kosova, atëbotë  dhe sot, nuk qëndron fare mirë, më shtyn të punoj vazhdimisht që të kontribuoj sa të mundem për ta bërë Kosovën një vend ku ekonominë e forcojnë prodhuesit vendor, ndërmarrjet publike, arsimi prodhon studentë si cilësi e jo sasi, dhe sistemi shëndetësor që i shëron qytetarët këtu në Kosovë, e jo të dërgohen jashtë vendit për shkak të mungesave bazike.


Aktualisht jeni në krye të Komunës së Kamenicës, cilat janë sfidat që po përballeni?
Prej se kam marr mandatin në Komunën e Kamenicës, kam pas plot sfida, duke filluar nga QKMF-të, shkollat e deri te infrastruktura. Problemeve, të cilat na i kanë lënë pushtetet e kaluara, po iu gjejmë zgjidhje si ekip. Unë së bashku me drejtorët e Komunës së Kamenicës, kemi një vullnet të jashtëzakonshëm që qytetarëve t’ua sigurojmë një jetë të dinjitetshme, duke filluar nga drejtoria e arsimit e cila ka bërë skanimin e gjendjes nëpër shkolla, duke hapur rrugë për përmirësimin e cilësisë së edukimit. Duhet cekur drejtorinë e shëndetësisë e cila përveç se ka risistemuar orarin e QKMF-ve në Kamenicë, i ka përfunduar edhe kontrollat e të gjithë nxënësve në shkollat e komunës sonë. Është tejet e rëndësishme për mua që sfidat, në të cilat hasim, të kthehen në punë me rezultate në të gjitha fushat në Kamenicë.

Vlen të përmendet mbajtja e premtimit sa i përket kuotave gjinore në komunën tuaj, gjithashtu edhe përbërja etnike e tyre, cila është pikëpamja juaj për barazinë gjinore, por edhe integrimin e pakicave?

Po, një nga premtimet gjatë fushatës  ka qenë kuota gjinore në Kamenicë, ndonëse është menduar se është vetëm një premtim i zakonshëm zgjedhor, për mua është jashtëzakonisht  e rëndësishme që gratë të jenë së pari të përfshira aktivisht në politikë e vendimmarrje, dhe së dyti të jenë barabartë të përfshira me burrat.  Kuota gjinore është një hap i rëndësishëm deri në momentin kur vetëdijësohemi të gjithë dhe në fund ajo nuk do të jetë më e nevojshme.
Poashtu,  jashtëzakonisht i rëndësishëm është edhe integrimi i minoriteteve, duke bërë çmos që grupet etnike minoritare të jenë pjesë e jetës publike pa u diskriminuar për shkak të etnisë. Ne së fundmi, kemi përpiluar një projektpropozim,  të cilin ia kemi dërguar Bashkimit Europian, për t’i bashkuar shkollat shqiptare dhe serbe në një objekt, pikërisht për t’i pamundësuar këto diskriminime e konflikte ndër-etnike.

Do të doja të flisnim pak më shumë për kulturën, artin, a është prioritet i qeverisjes suaj dhe si do të reflektohet në jetën e qytetarëve tuaj?

Kamenica fatkeqësisht që nga lufta e tutje ka pasur shumë pak organizime kulturore, dhe ne jemi të interesuar që ta ndryshojmë këtë fakt, duke organizuar festivale, gara të dijes nëpër shkolla dhe aktivitete sportive. Si komunë jemi ende në fillim të këtyre iniciativave, së fundmi drejtoria e Kulturës ka organizuar festimin e ditës së fëmijëve, 1 qershorin dhe besoj që është një nismë e mirë, për kategorinë e cila përfaqëson të ardhmen. Ne do të rifunksionalizojmë kinemanë e qytetit dhe do të angazhohemi që gjatë qeverisjes të gjejmë fonde të mjaftueshme për gjurmimin e objekteve arkeologjike me rëndësi kulturore. Poashtu për ne është shumë e rëndësishme që të krijohen kushte për sportistët tanë, duke u projektuar terrene sportive dhe duke i mbështetur klubet dhe sportistët e Kamenicës.


Meqenëse jemi te kultura, ju personalisht, çfarë ju pasionon nga kultura (teatri, filmi apo libri)?
Në fakt, nuk e di se a mund t’i ndajë këto të tria, meqenëse besoj që janë mediume shumë të rëndësishme ku njeriu jo veç që zbavitet por edhe ka mundësinë të marr shumë dije dhe informacion. Por, nëse do të duhej të zgjidhja patjetër, atëherë besoj që filmi është një formë më lehtë e qasshme e artit në kohërat tona.

admin

Artikujt e tjetrë