Intervista

Shkamb Koshi … një histori suksesi

30 vjeçari Shkamb Koshi, para ca vitesh vendosi të kthehej në Kosovë, për të hapur  një biznes goxha të veçantë, të cilin e kishte filluar në Itali, ku dhe jetonte prej moshës katër vjeçare. Ai ka përfunduar studimet në degën e Inxhinierisë Mekanike dhe ushtron profesionin e “tuner-it”, një lloj modifikimi i veturave,  e në veçanti atyre sportive duke përdorur materialin e fibrave të karbonit. Në lidhje me këtë dhe shumë detaje të tjera, që kanë të bëjnë me këtë profesion dhe në përgjithësi punën që bënë në kompaninë e tij, do të na zbulojë përmes kësaj interviste.

 

Pse vendosët të ktheheni në Kosovë?

Pasionin për punimet me dorë për autovetura me material fibër karboni, e kisha zhvilluar që shumë i ri – moshë 16 vjeçare, dhe pas tre vite përvojë në Itali si sipërmarrës, vendosa të hap fabrikën në Kosovë. Kjo sepse kërkesat për këto produkte po rriteshin, në ndërkohë dëshira ime për të bërë sa më shumë gjëra të reja po rritej dhe nga ana tjetër të shtoje fuqinë puntore në Itali ishte e vështirë për një kohë më të shpejtë siç dëshiroja unë në atë kohë. Ideja për të ardhur në Kosovë ishte edhe një motiv më shumë që të sjellim dhe të zhvillojmë një gjë të re në vendin tim, ku të gjithë do të ishim përfitues. Ky motiv që, vendi im të ketë një shenjë, një inovacion për të cilën bota do të ketë nevojë, na shtyu edhe më fortë që sëbashku me prindërit të rikthehemi në Kosovë. Dhe jam shumë i kënaqur me vendimin që kam marr, përtej sfidave që na dalin herë pas here.

Themelimi i një biznesi, të tillë, duket se është një nga iniciativat e vetme jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, si lindi ideja?

E gjithë kjo ka filluar nga pasioni që kam për veturat dhe fascinimi ndaj materialit si fibra e karbonit, por duhet të them se kur kam qenë i vogël kam pasur dhunti edhe në vizatim. Më pas, me regjistrimin e Fakultetit Mekanik, u motivova të bëj gjërat vet me dorë, kështu që fillova fillimisht me modifikimin e moto-çikletave, pastaj veturave, por gjithnjë duke përdorur fibrat e karbonit, material, i cili gjithnjë e më shumë po më fasciononte. Kështu që i bëra bashkë këto dy interese. Sot funksionojmë si një kompani me 30 punonjës ku në fokus kemi kryesisht veturat e brendeve italiane ku dhe jemi më të specializuar, si Fiat Abarth dhe Alfa Romeo, duke ridizajnuar pamjen e pjesëve origjinale, kështu duke ofruar në treg për të apasionuarit e veturave një dizajn tërësisht të ri dhe që përshtatet për shijet personale të pronarëve të veturave. Me krenari mund të them që, KOSHI Group është lider botëror në “aftermarket” të pjesëve dhe aksesorëve nga fibrat e karbonit për këto dy brende. Dizajni unik dhe cilësia e produkteve tona, shtyjnë blerësit nga SHBA-të e deri në Japoni, të kërkojnë këto produkte. Ky dhe është një nga arsyet e suksesit tonë që, ne nuk bëjmë gjëra serike, por jemi krijues të gjërave të reja. Mbi të gjitha, fibra e karbonit është materiali kompozit i së ardhmes.  Produktet e KOSHI-t mund të gjenden në faqen e web-it www.koshigroup.com

Cilat janë sfidat tuaja më të mëdha ndërsa zhvilloni dhe i jepni jetë këtij biznesi?

Fillimi, besoj si në çdo vend, nuk është gjithmonë i lehtë. Në ato kohë kur hapëm kompaninë në Kosovë, unë qëndroja dy javë në Kosovë e dy javë në Itali, por erdhi puna deri në atë pikë – punësimi i punëtorëve të parë, sa nuk ishte e mundur të mos isha i pranishëm. Ky ishte momenti, kur ua kam parashtruar idenë prindërve për kthimin në Kosovë dhe njëkohësisht u kam kërkuar që edhe ata të më bashkoheshin. Sot, prindërit punojnë me mua në pozicionet kyçe të kompanisë, nëna ime është përgjegjëse për financat dhe administratën, kurse babai duke qenë se është inxhinier i teknologjisë dhe vjen me eksperiencën e industrisë si gjatë kohës që ka jetuar në Gjakovë, ashtu edhe në Itali, udhëheq procesin e prodhimit në KOSHI Gorup. Natyrisht, e vlerësoj tej mase gatishmërinë e tyre për të mu bashkuar në ndjekjen e ëndrrës sime dhe ata ma bënë shumë më të lehtë sfidën e ndërrimit të mjedisit dhe mendësisë në përgjithësi. Kur flasim për aspektet e të bërit biznes në Kosovë, patjetër që lehtësia dhe përparësia kryesore ka qenë kostoja më e ulët e fuqisë punëtore dhe statistikat e larta të papunësisë, që të shtyjnë të shohësh një perspektivë të mirë për të zhvilluar biznesin sepse motivi qëndron nga të dyja palët: biznesit dhe komunitetit. Megjithatë, është sfidë kur sjell një produkt të ri, një ide të re me të cilën nuk ka qenë i rrahur tregu më parë, kështu që të gjesh njerëzit e duhur për këtë industri ka qenë dhe vazhdon të jetë sfidë. Por me kohë (për fat të mirë, shumë herët në fillim) e kemi kuptuar dhe pranuar këtë fakt dhe kemi orientuar strategjitë tona, që të përkushtohemi në krijimin e një ekipi të mirë pune brenda kompanisë, duke i trajnuar nga ana teknike në vazhdimësi fillimisht nga unë, më pas nga stafi me parimin “transferim të dijes” dhe sot me krenari them që 30 punonjësit që janë në kompani, janë motori i kompanisë dhe shumë punë mund t’i mbështes tek ata në mënyrë të pavarur. Ka ende për tu bërë sepse siç dihet, të jesh i përfshirë në një industri inovative, siç është puna me fibrat e karbonit (një material i teknologjisë së lartë high-tech dhe i konsideruar si luks në botë), çdo ditë kërkohet inovacion, ngulmim i vazhdueshëm dhe të provohet diçka e re. Përndryshe do të ishte e vështirë të arrish të jesh konkurrues me tregun botëror. Unë me dëshirën më të madhe do të doja të shihja ekipin tim, që edhe ata të shohin një perspektivë të rritjes me këtë material kaq të vlefshëm e të njohur në botë dhe të kenë pasionin dhe guximin për të provuar diçka më shumë, për të sjellë diçka më shumë në zhvillim dhe inovacion brenda ekipit. Ne si kompani, po punojmë që t’jua krijojmë këtë hapësirë të të menduarit të lirë dhe ndryshe brenda “familjes tonë” dhe që ata fillimisht, të duan të krijojnë gjëra të reja. Kjo është një hapësirë që ne si kompani, synojmë që nëpërmjet partnerëve tanë profesionalë (të brendshëm dhe të jashtëm), t’i zhvillojmë këto kompetenca dhe qëllime. Sfida tjetër ka qenë shitja apo promovimi në tregjet e huaja. Kosova është një vend, që ende nuk njihet si emër në botën perëndimore dhe ata që e njohin, e kanë cilësuar si vendin e konfliktit. Kjo situatë më ka stimuluar më shumë që të jem edhe më i vendosur në objektivat e mi, më saktë, të ngre një brand “Made in Kosovë” që i jep edhe Kosovës një vlerë të shtuar që rivlerësohet për më mirë duke konkurruar me brendet botërore të kësaj industrie. Kjo në njëfarë mënyre ka qenë një pengesë për t’i bindur klientët përse duhet të blejnë një prodhim nga Kosova, por pas punës intensive, rezultatit të produktit, klientët janë të bindur në cilësinë e produktit dhe çdo ditë e më shumë po kërkohen produktet KOSHI Design dhe kjo konfirmohet edhe nga përshtypjet pozitive, që gjithnjë klientët tanë nëpër botë shkruajnë dhe postojnë në mediat sociale. Shërbimet e transportit nëpërmjet postës së shpejtë nuk janë për t’u dëshiruar në Kosovë. Shpeshherë ndodh që ndonjë aksesor më i vogël kushton më lirë sesa transporti, kjo bënë që klienti edhe të tërhiqet nga blerja. Megjithatë, këto janë gjëra, shpesh të ndryshme e të papritura, që kompanitë përballen në përditshmërinë e tyre, e ne mundohemi t’i tejkalojmë me sukses dhe t’i përballojmë aty për aty me zgjidhjet më të mira. Jashtë mureve të kompanisë, tregu është dinamik, nuk pret dhe ne bëjmë çmos të përshtatemi aty për aty. Ky fleksibilitet është dhe suksesi i depërtimit të biznesit sot në terma afatgjatë.

 Mund të na tregoni gjithashtu rreth sukseseve apo objektivave, që keni arritur deri më sot?

Në radhë të parë, jam shumë i kënaqur personalisht që kam arritur pasionin tim ta kthej në përfitim dhe vet-kënaqësi dhe jo vetëm për mua, por edhe për njerëzit e ngushtë që më rrethojnë si familja dhe stafi i KOSHI-t. Ky pasion dhe përkushtim që kemi reflektohet në produktet tona përfundimtare dhe kënaqësisë së raporteve të mira, që kemi me partnerët tanë. Jam gjithmonë e më i bindur, se pa pasur një punë ekipore të mirë dhe raporte të mira me të gjitha palët me të cilët merr dhe jep, nuk mund të arrish suksesin për ngritje të një brendi. Një nga vlerësimet më pozitive, që KOSHI merr sot është pikërisht nga shërbimi virtual, që marrin klientët dhe partnerët tanë nga departamenti i Kujdesit ndaj Klientit, apo pas momentit kur klientët/partnerët tanë të huaj vijnë dhe e njohin kompaninë dhe njerëzit nga afër ose në takimet që realizojmë në prezantimet tona në panairet ndërkombëtare. Natyrisht, kjo na bën të ndjehemi krenarë që arrijmë të përcjellim edhe te ata, pasionin që përcillet pas gjithë kësaj pune, vlerat e mikpritjes dhe dashamirësisë tonë si ekip dhe si vlerë karakteristike e popullit tonë. Sukses interesant dhe që e ndaj me të gjithë është puna shumë vjeçare që më është dashur të bëj me projektet e mia të para dhe që sot e kanë bërë KOSHI-n të njohur në botë si numër një për produkte aftermarket. Bëhet fjalë për veturat sportive të tipit Abarth dhe Alfa Romeo, me të cilat pas nënte viteve punë në ridizajnim dhe prodhim të pjesëve (kryesisht gjatë kohës kur isha në Itali), kanë arritur të kenë suksesin që ka sot dhe të jenë brendet njohëse/shënjuese të KOSHI-t. Nuk është e lehtë të arrihet një sukses, por kur mbrapa asaj pune qëndron një ëndërr, bindja dhe ngulmimi i përditshëm, patjetër që çdo gjë arrihet.

 Ambiciet tuaja për të ardhmen?

Kompania jonë çdo vit e sfidon veten me projekte të reja, të cilat për momentin kryesisht vijnë për sektorin automobilistik. Deri tani mbulojmë me sukses brendet e Fiat dhe Alfa Romeo, pra brende italiane, por paralelisht punojmë në brendet e veturave gjermane si Mercedes, Volkswagen, Audi, BMW. Së shpejti KOSHI do të ketë në portfolion e vet edhe veturat super-të-shpejta (super cars) si Ferrari dhe Lamborghini. Dua që në të ardhmen, të rinjtë e Kosovës ta shohin KOSHI-n si një vend ku mund të prekin teknologjinë më të re dhe të zhvillojnë inovacionin në dorë.

 

admin

Artikujt e tjetrë