Intervista

Pajtimi i Gjaqeve… kujtesa e një ngjarje historike

Kujtesa mbijeton dhe është pjesë formative e gjeneratës së ardhshme ndërsa Fushata e Pajtimit të Gjaqeve është adresa më e çmueshme për të shkuarën, e cila kishte si kryefjalë faljen. Erëmirë Krasniqi, kuratore e ekspozitës “Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990—1991”, por njëkohësisht edhe udhëheqëse e OJQ-së “Oral History Kosovo” në Flatra për këto rrëfime të jashtëzakonshme, të cilët zbulojnë para nesh atë moment historik ndërsa e kthejnë në një tregim edhe për brezat që do të vijnë.

 

 Rikthyet në vëmendjen e opinionit publik një ngjarje të rëndësishme siç ka qenë Fushata e Pajtimit të Gjaqeve 1990—1991, pse pikërisht këtë moment?

Fushata e Pajtimit të Gjaqeve zë vend në një moment shumë specifik politik e kulturor. Në një moment ku e tëra që e kemi krijuar pas Luftës së Dytë Botërore merr fund, bashkë me të edhe autonomia e Kosovës përbrenda Jugosllavisë. Pra, një moment që kërkon pozicionim të theksuar politik, por poashtu reflektim se kush jemi në këtë hapësirë post-Jugosllave.

Fushata e Pajtimit të Gjaqeve vjen si reagim ndaj ngjarjeve politike, dhe mundëson të paktën dy gjëra: rikonceptualizimin e vlerave tradicionale dhe homogjenitet brenda përbrenda vlerave të reja të krijuara. Mandej, pajtimi si akt në vehte na jep një mësim të çmueshëm: faljen. Fushata e Pajtimit të Gjaqeve në përgjithësi është një moment i rikthimit të vlerave humaniste, dhe me shumë kujdes i vë këto vlera në qendër të saj. Andaj, duke i pasur parasysh të gjitha këto deshëm t’ia kujtojmë vetës, por në njëfarë mënyre ta krijojmë një adresë për këtë tregim edhe për gjeneratat e reja.

Zgjodhët të na e rikujtonit apo rrëfenit përmes fotografive dhe dëshmive të dëshmitarëve, sa kohë iu mori, cilat ishin vështirësitë?

Iniciativa për Histori Gojore, një organizatë jo-qeveritare të cilën e udhëheq për dy vite, është angazhuar në hulumtimin e Pajtimit të Gjaqeve që nga fundi i vitit 2015 dhe kemi përmbyllur këtë hulumtim më 2017. Pra të gjitha burimet e organizatës, ato njerëzore dhe të tjera janë kanalizuar në këtë hulumtim. Meqenëse ka qenë hulumtim i gjatë kemi arritur që të mbledhim shumë tregime, rrëfime personale nga dëshmitarë, ndërmjetësues të gjaqeve, aktivistë, klerikë të religjioneve të ndryshme dhe anëtarë të familjeve që kanë falur gjak. Përndryshe, të gjitha intervistat janë arkivuar në platformën online të Iniciativës për Histori Gojore: www.oralhistorykosovo.org

Nga secila intervistë kemi mbledhur edhe fotografi nga ceremonitë private e publike të pajtimit. Me përfundimin e hulumtimit Iniciativa për Histori Gojore ka arritur të mbledh aq shumë materiale sa që ka qenë e domosdoshme të kurohen në një formë që ky tregim të përkthehet në hapësirë fizike dhe të tregohet me një gjuhë vizuele enkas të krijuar për këtë rrëfim. Në ekspozitë nuk ka vetëm rrëfime dhe fotografi, aty ka edhe dokumente të mbledhura nga pajtimtarët rreth rasteve që i kanë pajtuar, ka poashtu një video e krijuar nga Pajtim Osmanaj, ku ai rrëfen historinë e emrit të tij, e cila lidhet me Fushatën e Pajtimit të Gjaqeve.

Pastaj kemi prodhuar edhe një zinë (gazetë të vetëpublikuar) që përmban dymbëdhjetë tregime mbi emrin Pajtim, Pajtime dhe Pajtesa, të shkruara nga ‘fëmijët’ me këtë emër. Të gjithë këta ‘fëmijë’ janë lindur në vitin 1990. Kjo pjesë e hulumtimit ka qenë një mënyrë e regjistrimit të post-kujtesës. Pra, kujtesa e cila mbijeton dhe është pjesë formative e gjeneratës së ardhshme. Në këtë rast, këta janë ‘fëmijët’ Pajtim, Pajtime dhe Pajtesa të cilët edhe pse nuk kanë qenë pjesë e Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve, emri i tyre bartë më veti këtë histori dhe ata rriten me një kujtesë e cila nuk është parësisht personale, por trajtohet si e tillë. Zina, përndryshe është pjesëza lëvizëse e ekspozitës, e cila do të gjejë shtëpi edhe në ambiente tjera nga ajo e hapësirës së ekspozitës.

Vështirësitë kanë qenë të llojllojshme, por nuk kanë qenë serioze. Njerëzit me të cilët kemi qenë në kontakt, të cilët i kemi intervistuar kanë qenë bashkëpunues, ndonjëherë nuk janë ndier që kanë shumë për të treguar, duke menduar që kujtesa e tyre nuk ka kredibilitet të mjaftueshëm për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje. Mirëpo, ne kemi qenë pikërisht të interesuar në kujtesën e tyre dhe mënyrën se si e kanë ruajtur ata këtë ngjarje. Sidoqoftë, vështirësinë që i kam hasur tek të gjithë ka qenë identifikimi i njerëzve dhe vendeve nëpër fotografi në rastet kur ato i kemi pasur. Shumë prej njerëzve të intervistuar nuk kanë pasur fotografi të vetës së tyre përgjatë kohës së Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve, kjo pasi që përgjatë të ‘90-tave jo të gjithë kanë pasur luksin të shkrepin fotografi siç e kemi sot mundësinë.

Sipas jush, çfarë do të thotë kjo ngjarje, iniciativë në historinë e një populli, kombi?

Mendoj që kjo ngjarje parësisht ka qenë me rëndësi për familjet që kanë falur gjakun, ato e kanë bartur peshën më të madhe në këtë histori. Shumë shpesh më kujtohet një rrëfim mbi nënën Sabile, të cilën kur e pyetën se si po ndihej pas faljes së gjakut të djalit, ajo u kishte thënë, “Si me pasë përbi bjeshkën.” Falja e gjaqeve ka qenë tejkalim i vetëvetës për këto familje, pasi që me rastin e pajtimit ata hoqën dorë prej një mënyre tradicionale të definimit të nderit familjar; ata hoqën dorë nga gjakmarrja si formë e arritjes së drejtësisë dhe pozicionimit si të barabartë përbrenda bashkësive të tyre. Do të thotë, këto familje kanë bërë një akt të cilin kulturalisht e kanë pasur vështirë ta procesojnë. Andaj, tregimi i nënës Sabile m’duket shumë deskriptiv kur mendoj për domethënien e kësaj ngjarje; me faljen e gjakut, si shoqëri, kemi arritur të bëjmë të pamundurën, ta përbijmë bjeshkën.

Mendoni që kjo ekspozitë të jetë “lëvizëse”, pra qytete apo kryeqytete të tjera të njihen nga afër me këtë ngjarje?

Prodhimi i ekspozitave që bazohen në hulumtim kalojnë nëpër procese të gjata. Kur e kemi vendosur që ekspozita të mbahet në Pejë, ka qenë vendim më se i natyrshëm, sepse aty ka filluar Fushata e Pajtimit të Gjaqeve, dhe në njëfarë forme e kthyem këtë tregim në shtëpi me mbajtjen e ekspozitës në Pejë. Sidoqoftë, përzgjedhja e materialeve për këtë ekspozitë është diktuar nga lokacioni i ekspozitës. Shumëçka që është prezantuar në Pejë, janë tregime që dalin nga ato rrethe. Muri qendror i ekspozitës që është një fotografi që përmban një segment nga tubimin në Nabërgjan, fshat në komunën e Pejës, reagimi i audiencës karshi fotografisë ka qenë fascinant. Të gjithë kanë bashkëvepruar me atë fotografi dhe janë munduar t’i identifikojnë njerëzit e pranishëm në tubim. Çfarë dua të them me këtë është që, ekspozita do të udhëtojë, mirëpo ajo gjithnjë do të marrë një trajtë të re. Varësisht nga lokacioni kur do të hapet ekspozita, rrëfimet që do të tregohen do të vijnë apo do të jenë të përafërta me përvojat e atij komuniteti ku mbahet ekspozita. Fatmirësisht, Fushata e Pajtimit të Gjaqeve ka pasur shtrirje në të gjitha vendet e banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi dhe në diasporë. Tregimi i Fushatës së Pajtimit të Gjaqeve ka shtrirje të madhe dhe është i pasur me rrëfime e përjetime personale, të cilave besoj do t’ua krijojmë një gjuhë vizuale për t’ia komunikuar audiencës shqiptare dhe të huaj.

 Gjithashtu Oral History Kosovo, ku ju jeni drejtoreshë ekzekutive duket se është kthyer në një “arkiv” i artë për ngjarje, personazhe apo dëshmi që dëshmojnë Kosovën, si lindi kjo iniciativë?

Iniciativa për Histori Gojore, ndryshe në rrjetet sociale identifikohemi si Oral History Kosovo u lind në verën e vitit 2012 si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Rrjetit të Grave të Kosovës (Prishtinë)  dhe The New School for Public Engagement (New York), në momentin kur disa gra hulumtuese dhe aktiviste nga Prishtina dhe Nju Jorku u mblodhën për të diskutuar si ta realizojnë ëndrrën e kahmotshme dhe të përbashkët: shpëtimin e zërave të njerëzve nga harresa.

Arkivi, apo ndryshe si e quajmë “arkivi i gjallë” është një adresë online ku ngarkohen video-intervistat; rrëfime të njerëzve nga të gjitha profilet, historitë e të cilëve sado personale koincidojnë me historinë kolektive. Arkivi ka më shumë se tetëdhjetë intervista të cilat grupohen nën temat hulumtuese si: Aktivizmi i Grave të Kosovës; Lufta e Dytë Botërore; Fushata e Pajtimit të Gjaqeve; Post-Pesimistët; Artistët dhe Shkrimtarët e Kosovës, e kështu me radhë. Të gjitha këto intervista transkriptohen dhe gjenden në tre gjuhë: Shqip, Serbisht, dhe Anglisht. E tërë kjo punë bëhet për të krijuar resurse për hulumtues vendor dhe ndërkombëtar, por poashtu është resurs i pasur për ata të cilët kanë interesim në historinë bashkëkohore të Kosovës të treguar nga prizmi personal.

admin

Artikujt e tjetrë