Intervista

“Edhe muret kanë veshë” tregimi i heronjve pa lapidarë

 “Edhe muret kanë veshë”, është një projekt i nisur fillimisht nga Kristale Ivezaj Rama, ide që lindi nga historia e dhembshme e stërgjyshes së saj, njëra nga shumë të persekutuar nga regjimi komunist shqiptar, për tu shndërruar më vonë në një vepër artistike dhe thirrje për të mos e harruar të  kaluarën. Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me artisten Alketa Xhafa Mripa dhe është organizuar në kornizën e projektit “Përkujtimit për shërim dhe parandalim” e implementuar nga Autoriteti për Qasje të Informacioneve të ish Shërbimit Sekret me mbështetje nga UNDP Shqipëri dhe nga Qeveria Italiane. Se si është projektuar dhe pse pikërisht një mënyrë e tillë për ta risjellë të kaluarën komuniste në ditët tona, znj. Ivezaj Rama, tregon më shumë në këtë intervistë në Flatra.

 

Çfarë ju “ngacmoi” që të realizoni një projekt të tillë, me një subjekt kaq të ndjeshëm?

Stërgjyshja ime Rina ka qenë inspirimi im që nga fillimi. Me arsyen e ikjes së  gjysmës së familjes së saj nga Shqipëria, për shkak të persekutimit, atë e kanë burgosur dhe torturuar. Kushdo që ka përmendur emrin e saj, gjithmonë e kanë përmendur me një respekt të madh.  Ajo ka qenë një grua fisnike edhe pse është trajtuar në mënyrën më çnjerëzore nga regjimi i Enver Hoxhës. Gjithë ky udhëtim ka filluar si një hulumtim personal i të kaluarës së familjes time.  Fillova të hulumtoj edhe për dëshmi  të tjera të të mbijetuarve të shkruar në gjuhën angleze, gjithashtu gjeta edhe tre libra me vlerë, të cilët përmbanin disa tregime të shkruara nga historianë dhe antropologë, në të cilët nuk kishte qasje të lehtë, mirëpo nuk gjeta asgjë që përfshinte zërat e shumtë te atyre që jetën  ua vodhën nga regjimi i skuadrave të terrorit. E di se ne gjuhën shqipe ka shumë libra të mirë të shkruar nga vetë të mbijetuarit, mirëpo vetëm  për shqip folësit,  ndërsa për gjeneratat që jetojnë jashtë vendit, tregimet nuk kuptohen për shkak të barrierave gjuhësore. Në mungesë të dëshmive të dorës së parë në gjuhën angleze të kësaj kohe të errët të historisë  shqiptare, ndjeva nevojën të kontaktoj heronjtë e komunitetit tonë pavarësisht  ku jetojnë nëpër botë, njerëz të cilët kanë qenë të pafajshëm dhe ashtu janë hedhur nëpër burgje ose kanë punuar si skllevër nëpër kampe për arsye se nuk kanë qenë pro regjimit. Jemi fatlum sepse kemi shumë të mbijetuar, të cilët ende jetojnë edhe pse jetojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Interneti tani na mundëson të jemi në kontakt me njëri-tjetrin.

Ideja ka filluar të evoluojë në diçka edhe më të sofistikuar se libri, në një lëvizje të përgjithshme, ku njerëzit janë autorët të tregimeve të tyre dhe mund të shpërndajnë këto tregime ashtu si i mbajnë  mend nëpërmjet portalit www.evenwallshaveears.com dhe në rrjetet sociale.

Platformë për shërim duke ndarë tregimet, platformë për edukim, platformë për kujtimin e sakrificës së të moshuarve të komunitetit tonë, për liritë të cilat ne i marrim si të dhëna. Alketa Xhafa Mripa, shoqja ime e mirë, e cila respektohet si artiste konceptuale, që i mbledhë komunitetet së bashku për të krijuar art, ka qenë përkrahëse që nga fillimi. Alketa ka vizualizuar fjalët e popullit në ndërtesa me interes përgjatë Shqipërisë dhe ka propozuar, që mënyra më e mirë për të  filluar biseda është nëpërmjet projeksioneve të mëdha, të cilat patjetër do të paraqiten para nesh.

Cili është qëllimi i projektit dhe si është pritur ai nga audienca?

Qëllimi është që të zgjohen shqiptarët, sidomos rinia jonë të cilët janë të shkëputur nga historia e kohëve të fundit. Është me rëndësi të mësojmë nga njerëzit që kanë jetuar në këtë kohë. Qëllimi është që ta ndërkombëtarizojmë këtë çështje e cila është tërësisht e lënë pas dore. Derisa shqiptarët e mohojnë të kaluarën e tyre dhe njerëzit, të cilët ndërtuan vendin me gjakun, djersën dhe lotët e tyre, e ardhmja do të ketë probleme dhe vlerat e paraardhësve tanë do të zhduken, identiteti ynë si njerëz do të shëmtohet. Të mbijetuarit kanë qenë shumë perceptues dhe kanë mirëpritur këtë iniciativë, shumë e më shumë njerëz çdo ditë janë lajmëruar nga çdo cep i botës, të cilët duan të tregojnë tregimet apo ndodhitë e tyre, apo dhe të lidhen me ndonjë anëtar të familjes dhe të sigurohen që kujtimet e tyre janë të ruajtura dhe të kujtuara. Ka qenë një përvojë shumë e prekshme. Ne jemi të nderuar që patëm mundësinë t’i tregojmë ngjarjet e tyre dhe t’i ruajmë fjalët e tyre me butësi ashtu sikurse të mbash një foshnje në duar.
Nëpër universitete, rinia ka reaguar me shumë befasi kur i kemi shpalosur tmerret e së kaluarës dhe kemi shfaqur instalacionin e Alketës, e po ashtu edhe tregimet që u dëgjuan për herë të parë nga i mbijetuari dhe i shumë respektuari z. Simon Mirakaj, se si ka qenë jeta në atë kohë, se si ka qenë të rritesh brenda kampit të koncentrimit. U befasuam kur mësuam se rinia e Shqipërisë që jetojnë në Shqipëri nuk dinë për historinë e tyre të fundit. Atëherë sistemi i edukimit duhet të ndryshojë  rrënjësisht dhe t’i inkorporojë rekomandimet e të mbijetuarve, të cilëve u kujtohet kjo kohë shumë qartë.

Rikthimi në  një epokë të errët të Shqipërisë, sipas jush cila do të jetë sfida kryesore?

Sfida kryesore është vetë koha. Ekzistojnë qindra mijëra njerëz, të cilët janë të gatshëm dhe që kanë kujtime të freskëta për këtë periudhë dhe se cilido, që dëshiron të përfshihet në këtë iniciativë është i mirëseardhur. Për këtë ne kemi nevojë për mbështetjen e shoqërisë, ne mbështetemi në njerëzit, që i ndajnë tregimet e tyre me ne, ne mbështetemi apo varemi në rininë që të angazhohet dhe të na dërgojë intervista, tregime, fotografi dhe incizime nga bisedat me komshinjtë apo me të moshuarit. Koha po ashtu sepse mund të ulesh dhe të bisedosh me këta njerëz të mrekullueshëm me orë, ditë apo javë të tëra që prapë nuk do të ishte e mjaftueshme për t’i ndjerë emocionet, fjalët, dhe tregimet e së kaluarës të hidhur që kanë pasur. Koha nuk është në anën tonë, pastaj i falënderohem burimeve mediale sikurse Flatra, që na ndihmon për të shpërndarë tregimet tona dhe që të kemi më shumë njerëz të interesuar rreth angazhimit apo ndihmës në këtë çështje.

Së fundi, sa jeni ju e përfshirë personalisht në këtë projekt?

Jam komplet e angazhuar, me trup, me zemër dhe me mëndje. Kjo për mua është një pune 24 orëshe edhe në momentin kur ndaloj së shkruari, tregimet qëndrojnë, gjatë netëve dhe  ditëve. Kam filluar të punoj në këtë projekt menjëherë pas lindjes së djalit tim. Kam punuar rreth zhvillimit të këtij projekti, rafinimin, prezantimin dhe dorëzimin e punës. Për mua dhe Alketën  gjithçka është një partneritet, ajo është përgjegjëse për pjesën artistike dhe si artiste qëndron prapa “Edhe Muret Kanë Veshë”. Unë kam ueb-faqen, rrjetet sociale, lidhjen me diasporë dhe librin tonë, ne si autore i kemi afruar të gjitha së bashku brenda një titulli dhe tani puna është nën mbështetjen e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, mbështetur nga UNDP dhe Qeverise Italiane.

admin

Artikujt e tjetrë