Kulturë

Ngjyra dhe numra

Ata janë 1650. Kishin emra dhe e deshën jetën ashtu si ne. Që tetëmbëdhjetë vjet i kujtojmë me fotografitë e varura në rrethojat e parlamentit. Koha ecën e s’ndalon, e bashkë me të edhe kujtimet. Nga emra ata u shndërruan në ngjyra, kurse tani kanë mbetë vetëm numra.

 

 Nga Aulonë Memeti

***

“Mbeç, more shok, mbeç
Përtej urës së Qabesë […]”

 ***

Ata presin, sepse s’u ka mbetur tjetër. Zëri u ka shteruar qyshkur. Presin në udhëkryq. Sa janë? Kushedi. Duken shumë. Me sytë shpellë nga horizonti, të lodhur e të braktisur. Vetëm zemrat e nënave të zhuritura nga malli, sa e sa vite, nuk i braktisin kurrë. Në mëshirë të borës, shiut dhe vapës përvëluese ata presin rikthimin;

– Drita, sa i bukur fustani yt, më thoshte nëna sa herë e vishja, se dukesha bukur.

– As ti nuk dukesh keq me bluzën e bardhë.

– Pa shihe Gencin, në shtatin e gjatë sa bukur i rri kostumi.

– Po ajo nëna plakë që rri shtrirë? Sigurisht mosha e ka bërë të veten dhe ndihet e lodhur.  Kur më rrëfente histori të ndryshme nga jeta e saj e vështirë për tw më dhënë kurajo, më ngeli në kokë rrëfimi i saj se si i kishte stolisur sa e sa vajza për t’i përcjellë nuse.

– Sa më dhimbset ai djali me ato këpucat ngjyrë kafe të grisura. Duket shumë i ri, duhet të ketë qenë në shkollë të mesme. Sigurisht këpucat i janë grisur nga ecja e gjatë.

– Ç’po flasim edhe ne! Po kush nuk do ta donte jetën dhe të dukej bukur? Eeh, moj shoqe, edhe ndonjë ditë e s’do kemi për se të flasim. A s’e sheh që nga vapa e lagështia po na humbin edhe ngjyrat? Eja të shkojmë në hije, bëju zë dhe tjerëve se po të qëndrojmë kështu në diell, rrobat do na grisen e do na zbehen edhe më. Të mundohemi t’i ruajmë edhe pak ngjyrat që të mos zhdukemi krejt.

Ata janë 1650. Kishin emra dhe e deshën jetën ashtu si ne. Që tetëmbëdhjetë vjet i kujtojmë me fotografitë e varura në rrethojat e parlamentit, e me protestat e vazhdueshme të familjarëve me kërkesën që ata të kthehën aty ku e kanë vendin. Koha ecën e s’ndalon, e bashkë me të edhe kujtimet. Nga emra ata u shndërruan në ngjyra, kurse tani kanë mbetë vetëm numra.

Janë emra për ata që i kujtojnë në përjetësi; janë ngjyra sepse janë gjini, rini e moshë, rrobat në bazë të cilave do të identifikohen; janë numra për ata që nuk u  bëhet vonë, numra që përdorën për negociata e poena politik. E si të mos mjaftonte kjo, të zhukurve nga regjimi serb u referohen si të “pagjetur”. Ç’ironi! Se ata paskeshin humbur diku e se ditkan rrugën e kthimit, e ne u dashka t’i gjejmë.

Sipas fjalorit shqip-shqip kuptimi i parë i fjalës gjetur  i referohet sendeve të gjetura “që është gjetur a është zbuluar diku”; kuptimi i dytë i referohet një diçkaje (prone) të huaj “që është i burrit të mëparshëm a i gruas së mëparshme”, etj. Andaj, kur shtojmë parashtesën pa, që përdorët për të formuar emra dhe mbiemra me kuptim të kundërt nga ai fjalës pa këtë parashtesë, atëherë formojmë fjalën pagjetur që i referohet në kuptimin e parë kryesisht sendeve të pagjetura. Ndërsa fjala zhdukur, sipas fjalorit, ka këtë kuptim të parë “që nuk është më i gjallë, që është shfarosur; që nuk shfaqet më asgjëkundi..” Ndërsa kuptimi i dytë kur përdorët si emër “ai që nuk është më i gjallë; ai që ka ikur diku dhe nuk jep njoftime për një kohë të gjatë.”

Ndoshta ky emërtim për të zhdukurit në luftën e fundit nga regjimi serb ka prapavijë politike dhe është i qëllimshëm. Ndoshta është një nga kompromiset e shumta të politikanëve tanë për tu hyrë në hatër ndërkombëtarëve meqë si i tillë termi paraqet një neutralitet të qartë politik. Pra, nuk nënkupton të ketë pasur agresorë, dhunues e shfarosës. Ky nocion e zbehë rëndësinë politike të çështjes së të zhdukurve, duke evituar thelbin e problemit, atë se kush i zhduki ata.

Kështu, dalë ngadalë e të shkujdesur, nga emra e ngjyra i shndërruam në numra. Numra për të cilet u premtua se do të bisedohej në Bruksel qysh në vitin 2011, kurse kaluan shtatë vite dhe as nuk u bënë temë e diskutimeve. Numrat janë pa emocion, abstrakt e të ftohtë. Mund të presin. Prandaj pritën edhe në Ditën Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur kur nuk u votua Rezoluta në mungesë kuorumi.

Ishim emra, u bëmë ngjyra e përfunduan në numra. Këta numra do të jenë makth në ndërgjegjet e vrara e të sëmura të gjithë atyre që kishin përgjegjegjësi të bënin më shumë për t’i kthyer ata në shtëpi.

 

admin

Artikujt e tjetrë