Letërsi

Elena Ferrante vjen me “Histori arratie e qëndrese”

“Kjo është një histori grash, e rrëfyer me shumë vërtetësi; më tepër se një vëzhgim, kjo është jeta e jetuar dhe e ndier në lëkurë.”

 

“Histori arratie e qëndrese” është vëllimi i tretë i sagës napolitane, pas romaneve “Mikesha gjeniale” dhe “Mbiemri i ri”. Elena vazhdon të rrëfejë historinë e jetës së saj e, në mënyrë të tërthortë, edhe atë të Linës. Ato janë tashmë gra: Lila është martuar, ka lindur një fëmijë dhe është ndarë nga bashkëshorti i saj abuzues. Elena është larguar nga lagjja e fëmijërisë, është diplomuar dhe ka botuar një roman të suksesshëm, ngjarje që i kanë hapur dyert e salloneve intelektuale e mondane. Të dyja gratë janë përplasur me muret e burgut që do t’i kishte mbajtur të ndrydhura në një jetë varfërie, injorance dhe nënshtrimi. Më në fund, atyre po u ofrohen mundësitë e mëdha, toka e premtuar e emancipimit femëror. E megjithatë, fantazmat e së shkuarës nuk janë larguar, hendeqet nuk janë mbushur dhe ndryshimet i kanë rrënjët ende të njoma. “Histori arratie e qëndrese” rrëfen mbi të gjitha për rrënjët dhe të kaluarën, për historinë personale që gëlon thellë brenda nesh dhe na dikton, me hir e me pahir, gjestet e vogla e deri zgjedhjet e mëdha, ato që na përkufizojnë ose na kufizojnë në diçka, në dikë, shumë herë më të vogël, të pisët e të varfër se ç’mendon se duhet të ishim, se ç’jemi të bindur se jemi. E megjithatë, arratia qëndron gjithmonë në imagjinatën kolektive si një nga zgjidhjet, ndoshta më e mira, e një sërë të këqijave të pakurueshme, si varfëria, injoranca dhe dhuna të nakatosura thellë në shoqëri. Askush nuk arrin të arratiset vërtet, por të gjithë mundohemi, qoftë edhe një herë të vetme të arratisemi nga lagjja, nga qyteti, nga vendi apo thjesht vetja jonë. Saga napolitane është botuar në 40 vende të botës dhe deri më sot, ka shitur rreth tre milionë kopje.

Elena Ferrante është pseudonimi i autores së dhjetë veprave letrare, ndër të cilat edhe saga napolitane, e konsideruar si kryevepra e saj, nga pikëpamja e kritikës letrare, por edhe falë suksesit të jashtëzakonshme me lexuesit. Emri i vërtetë i autores mbetet ende zyrtarisht i pakonfirmuar. Në 2011 u botua kapitulli i parë i sagës napolitane, “Mikesha gjeniale” (i botuar në shqip në nëntor 2016), i ndjekur nga libri i dytë, “Mbiemri i ri” (i botuar në shqip në korrik 2017), nga ky vëllim i tretë, i sapobotuar “Histori arratie e qëndrese”, dhe nga libri i katërt dhe i fundit, “Storia della bambina perduta”.

 

Kritika

Elena Ferrante është një nga romancieret më të mëdha të kohës sonë!

– The New York Times Book Review

 Kjo është një histori grash, rrëfyer me shumë vërtetësi; më tepër se një vëzhgim, kjo është jeta e jetuar dhe e ndier në lëkurë. Lexuesi rrëmbehet dhe i qaset botës me kujdes, me pyetje që nuk i shqiten nga mendja për tëhuajtjen dhe përkatësinë.

– The New York Times Book Review

Romanet e saj janë personale, në mënyrë intensive dhe të dhunshme, dhe për këto arsye duket sikur i joshin lexuesit duke tundur ca çelësa tringëllues, të vetmit që mund të çelin rrëfime sekrete.

– The New Yorker

Kur lexoj sagën napolitane, kuptoj që nuk dua të ndaloj kurrë. Bezdisem nga çdolloj pengese (puna, të njohurit që më përshëndesin në metro) që kërcënon të më ndajë nga librat. Mbaj zi për ndarjet (edhe një vit pritje për romanin e ardhshëm, si do t’ia bëj?). Një dëshirë e pangopur më shtyn për të vazhduar.

– The New Yorker

Saga napolitane është një histori klasash, përveçse gjinish; […] Ferrante ofron një portret të gjallë e të saktë të asaj që mbetet nga ndjenjat (irracionale) të pamjaftueshmërisë, të cilat përndjekin njerëzit që ia nisin nga hiçi. Si trillim, këta libra janë njëkohësisht dhe thellësisht realistë dhe çuditërish intimë.

– The Guardian

Personazhet femërore të Elena Ferrantes janë kryevepra të vërteta… Duket qartë që romani i saj është bir i neorealizmit italian, dhe ka një hir të parezistueshëm.

El Pais

 

 

admin

Artikujt e tjetrë