Shëndet

Panairi i Librit 2018, tituj të rinj nga Dituria

Në një intervistë për revistën Flatra, Mariana Ymeri, drejtore e botimeve të Shtëpisë Botuese DITURIA, tregon për titujt e rinj që do të prezantojnë në Panairin e Librit në Prishtinë.

 

Panairi i Prishtinës është në prag: çfarë titujsh të rinj do të sjellë Dituria në këtë panair?

Dituria u jep një rëndësi të veçantë panaireve profesionale të librit si një mundësi promovimi për letërsinë më të mirë. Panairi i librit të Prishtinës na jep dorë jo vetëm të prezantojmë titujt tanë më të mirë, por edhe të realizojmë atë kontakt aq të rëndësishëm dhe jetik me lexuesin, kësaj here nga Kosova, si dhe me botën e librit në përgjithësi në Kosovë. Dituria ka botuar shumë tituj të ndryshëm këtë vit, por që i lidh kujdesi në përzgjedhje dhe cilësia e lartë e tyre në përkthim dhe në të gjitha aspektet editoriale: Do të përmendja vetëm disa dhe shkurt:

PAPE SATAN ALEPE  shkruar nga Umberto Eco, një superstar ndërkombëtar për kulturën. Libri përmban më shumë se 100 artikuj editorialë rreth problemeve të jetës së përditshme, politikës, fesë, letërsisë, medias, “teprimit të budallallëkut, që po bllokon linjat e internetit” etj.
Ky libër është një dhuratë për lexuesin e zgjuar, të mprehtë dhe që dëshiron të ndriçohet. Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin europian është shkruar nga një grua, që mban të njëjtin mbiemër dhe që me kujdes ka sjellë dokumente, artikuj e studime, libra e autorë, sidomos të huaj, të cilët kanë shtjelluar gjerësisht disa nga problemet kryesore të Shqipërisë së atyre viteve. Dimensioni i perjetimit dhe perceptimit ne arkitekture i shkruar nga një arkitekt i ri nga Kosova, Albert Mustafa, për një temë interesante : kur arkitektura kërkon emocionin dhe perceptimin shpirtëror… Për të interesuarit për historinë vjen libri Udhetime ne ballkan 1857-1870, kujtime nga gjeografi Guillaume Lejean etj.

Po disa tituj librash artistike, a mund të përmendni?

Për ata që pëlqejnë historitë e dashurisë, intrigën e fortë, emocionet dhe përfshirjen në subjekt do të propozoja:

Udhëtim i çuditshëm i një sendi të humbur, historia e një djali të ri 25-vjeçar, braktisur nga e ëma që në vogëli dhe që për këtë arsye mendon se bota është vetëm një lëmsh dhimbjeje dhe urrejtjeje.

Simfonia e pambaruar shkruar nga Grigor Banushi, një roman që së fundmi u “rrëmbye” edhe nga botuesi italian, një simfoni e vërtetë e dhimbjes dhe e dashurisë në kohërat e “kolerës” shqiptare.

Kopshti i luleve sekrete, romani i tretë pasionant, romantik dhe hipnotizues, i Cristina Cabonit, tani një mit në botën e letrave, ku bëhet fjalë për dy motra binjake të ndara që në fëmijëri…
Kanali musolini 2: Kush ka lexuar vëllimin e parë të do të jetë i interesuar të shohë si mbyllet kjo ngjarje e madhe në vëllimin e dytë. Diana Kastrati, përkthyesja e këtij libri, është fituese e Çmimit për Përkthimin 2016!

Trainspoting, një libër tjetër: I furishëm, vulgar, përqeshës, rrëfen jetën e një grupi djemsh nga Edinburgu, mes seksit e drogës, grindjeve, vërdallosjeve dhe inateve. Tanimë një klasik që nuk rresht së të befasuari për origjinalitetin e mjeteve shprehëse, për agresivitetin, për vrazhdësinë e gjuhës dhe shumëllojshmërinë e regjistrave, “Trainspotting” është romani tronditës, që ka bërë epokë dhe i ka dhënë zë një brezi.

E di që ju keni gjithmonë  tituj interesantë edhe për fëmijët:

Në stendën tonë fëmijët janë gjithmonë të pranishëm: fillimisht për Harry Potterin, që tani po e lexojnë brezat më të rinj, në fakt në Kosovë ka lexues të etur për titujt e kësaj sage, pastaj gjenden gjithmonë para befasive: do të veçoja Princin e vogël të Antoine  Exyperi, për mesazhet e forta që përcjell, një libër për fëmijë po aq edhe për të rritur, Çadra e purpurt dhe Kostandina,  të shkrimtares tashmë klasike greke, për moshën 10 -16 vjeç, SKELLIG dhe Princesha Histamine, për moshën 7-14 vjeç të cilat fëmijët i kanë pritur si zbulime, në botën e librave.  Olga prej letre është një tjetër libër i mrekullueshëm që flet për një vajzë të vogël të brishtë e të fortë njëherazi që rrëfen historinë e rritjes së saj.

Dhe mos harroj, një xhevahir nga letërsia italiane, libri me të cilët janë rritur breza të tërë fëmijësh, që konkurron librin Zemër të Amicisit, Dëgjoni zemrën time, ku tre vajza ne klasën e trete te shkollës fillore “luftojnë” për drejtësi! Ja ç’ndodh kur qëllon që mësuesja mendon se vetëm të pasurit kanë të drejtë!

Është e vërtetë Dituria dallohet për cilësinë e përkthimeve. A përbën një kosto për shtëpinë tuaj botuese ky standard?

Kur e percepton si një parim në punën tënde, e ke llogaritur koston që në fillim. Por libri për ne nuk është një “mall” i zakonshëm, është një kontribut kulturor dhe formues.  Botimi, promovimi, përhapja, shitja është një aktivitet kompleks dhe delikat, të cilat duhet të bëhen me kujdes dhe vëmendje të madhe. Me kënaqësi dhe dashuri. Që bashke me argëtimin të përcjellësh mesazhe në gjuhën e duhur  dhe me cilësi.

Ju këto ditë do të mbyllni një projekt europian kulturor “Lexuesit e vegjël”. Mendoni se mund të ketë një nismë të ngjashme edhe në Kosovë?

Në 11 qershor e mbyllim këtë projekt dyvjetor, të mbështetur nga Europa Krijuese, ku lider ishte DITURIA dhe partnerë Italia dhe Maqedonia. Projekti kishte në fokus lexuesin e ri, fëmijët, si mund të edukojmë një lexues të fortë dhe çfarë mund të bëjnë “të rriturit” për këtë. Ishte një projekt që na kushtoi shumë energji, por pati rezultate konkrete. Janë organizuar me qindra aktivitete kulturore për librin, për lexuesin, për autorët, për profesionistët e sektorit etj. Me mbështetjen e institucioneve shtetërore për kulturën, në Kosovë mund të organizohet fare mirë një projekt i tillë. Kosovës nuk i mungojnë mendjet intelektuale dhe organizatorët e mirë të kulturës. Është koha që të ndërgjegjësohemi të gjithë që nëse nuk e kultivojmë lexuesin që në fëmijëri, do të jetë shumë e vështirë, madje e pamundur ta formojmë si lexues të rritur.

admin

Artikujt e tjetrë