Gruaja

Gruaja mes sfidave dhe sukseseve

Në rrugën e suksesit gjithnjë hasim në pengesa e sfida, të cilat e bëjnë edhe më të vështirë ngritjen dhe realizimet e synimeve, sidomos  për gratë shqiptare, të cilat duhet të punojnë edhe më shumë që të arrijnë të jenë të suksesshme sepse siç pohon edhe Arbëresha, konkurrenca e pabarabartë ekziston në të gjitha sferat e jetës në raport me burrat. 

 

Arbëresha Kuqi, është koordinatore e Sigurimit Kufitar në Byronë Kosovare të Sigurimit dhe drejtoreshë e bordit në KRU “Gjakova” në Gjakovë, një grua mjaft e suksesshme në karrierë dhe një nënë e përkushtuar. Angazhimi i saj nis, që në moshë të re duke punuar vazhdimisht për të krijuar një ambient më të mirë për veten dhe gratë e tjera dhe në këtë mënyrë dukë insistuar në thyerjen e barrierave dhe paragjykimeve të shumta.  Ajo vazhdon të angazhohet edhe sot në mbështetjen e grave duke qenë zëri i tyre në të gjitha aktivitet e saj profesionale e humanitare.

“Periudha e pas luftës më solli një sfide dhe mundësi tjetër,  që të filloj punën në organizatën ndërkombëtare  Medica Mondiale Kosova,  ku  për shumë vite punova për të ofruar mbështetje shëndetësore me një qasje psikosociale grave dhe vajzave, që kishin përjetuar dhunën seksuale gjatë luftës, por edhe të grave dhe vajzave të traumatizuara gjatë  luftës. Shërbimet tona kryesisht janë përqendruar në viset rurale. Ndërsa pas kësaj përvoje shumë profesionale dhe në kërkim të zhvillimit tim në një fushë tjetër, ndërrova krejtësisht profesionin, duke përfunduar studimet si ekonomiste në fushën e menaxhimit dhe marketingut dhe aktualisht jam pjesë e Byrosë Kosovare të Sigurimit.”

Megjithë përkushtimin dhe vështirësitë për të ecur në rrugën që kishte përzgjedhur, ishte edhe përkrahja e pakusht e familjes së saj, babait e vëllezërve dhe familja e saj e ngushtë që përbëhet nga artistë e intelektualë, të cilët i dhanë shtytje dhe ndikuan në formësimin e saj profesional. Por në rrugën e suksesit gjithnjë hasim në pengesa e sfida, të cilat e bëjnë edhe më të vështirë ngritjen dhe realizimet e synimeve. Kjo vihet re edhe më shumë kur flasim për gratë shqiptare, të cilat duhet të punojnë edhe më shumë që të arrijnë të jenë të suksesshme sepse siç pohon edhe Arbëresha, konkurrenca e pabarabartë ekziston në të gjitha sferat e jetës në raport me burrat.

“Sfidat me të cilat përballem unë, por besoj edhe gratë e tjera në Kosovë, janë pikërisht stereotipet gjinorë, që pengojnë në ngritjen profesionale, pastaj mundësitë e pabarabarta për gratë në raport me burrat, kushtet tjera si ato ekonomike, financiare dhe të mirëqenies sociale, që vështirësojnë rrugëtimin tonë profesional, si dhe më e rëndësishmja është mungesa e mbështetjes morale nga familja. Shumë gra veniten dhe mbesim të pashpërfaqura si në karrierë po ashtu edhe në jetën e tyre sociale, si rrjedhojë e gjithë këtyre sfidave e pengesave.”

Por çfarë duhet të bëjmë ne si shoqëri, që bashkë me institucionet përkatëse të krijojmë një ambient të përshtatshëm, ku gratë do të ndihen të barabarta me burrat, të jenë të lira si në aspektin e të shprehurit të vetvetes ashtu edhe në marrjen e vendimeve, qoftë për karrierën apo profesionin që zgjedhin ashtu edhe në jetën e tyre personale. Arbërsha vë në pah faktin se edukimi dhe parandalimi i paragjykimeve gjinore duhet të nisë në familje.  Prindërit dhe shoqëria duhet të edukojnë brezat e rinj, që si vajzat ashtu edhe djemtë janë të barabartë me kërkesa e nevoja të ndryshme, por të cilët trajtohen njëjtë, pavarësisht gjinisë, qasje të barabartë në shkollim, përgjegjësi, në pronë, trashëgimi etj.

“Edukimi më tutje vazhdon në edukim. Shkollat si dhe institucionet arsimore duhet të korrigjojnë  kurrikulat shkollore duke parandaluar stereotipat gjinorë dhe duke promovuar barazinë gjinore në çdo lëndë mësimore. Mediat, po ashtu luajnë një rol shumë të rëndësishëm në promovimin e imazhit të gruas në shoqëri, sepse jo çdo herë gazetat dhe portalet sociale dhe elektronike duhet të mbulohen me shembuj negativ të gruas duke e portretizuar atë si viktimë dhe jo si një heroinë. Gjithashtu për të arritur promovimin e barazisë gjinore dhe luftimin e stereotipave gjinorë,  vlerësoj se ne kemi një infrastrukturë të mirëfilltë ligjore dhe të politikbërjes, vetëm se nevojitet zbatim i mirëfilltë në çdo fushë të jetës, një angazhim më proaktiv i zyrtarëve për barazi gjinore, të cilat janë në komuna dhe në ministri, një planifikim i përgjegjshëm gjinor si dhe një përfshirje e perspektivës gjinore në çdo aktivitet të planifikuar dhe zbatuar nga komuna, shoqëria civile dhe nga ofruesit e shërbimeve.”

Arbëresha thekson se kjo, jo gjithmonë është e lehtë për tu arritur, por kërkohet punë e këmbëngulje për të realizuar qëllimet, ndërsa thekson se në formësimin e saj profesional gjithnjë ka mbizotëruar interesi kolektiv para atij vetanak, parimi i sinqeritetit dhe transparencës, besueshmërisë dhe punës së palodhshme, që frytet e kontributit të dhënë, të shijohen edhe nga gjeneratat që do të vijnë.

admin

Artikujt e tjetrë