Arte Pamore

Gjurmëve të një artisteje

Ju sjellim këtë numër një rrëfim shumë të veçantë, rrugëtimin e një piktoreje, e cila lidhjen me artin e krijoi në moshën e mesme. Valbona Pajaziti përtej sfidave dhe paragjykimeve flet për jetën e saj, pikturën si oazën e qetësisë shpirtërore dhe betejat për t’ia dalë mbanë kurdoherë.

 

 

Së pari na flisni pak për veten tuaj?

Natyrisht, nuk e kam lehtë të flasë për veten time. Sidoqoftë  do ta ndajë me ju një histori tejet personale e cila, shpresoj, do të shërbejë si frymëzim për lexueset e Flatrës. Quhem Valbona, e lindur  në Pejë në  mars të vitit 1969. Që në moshën e re kisha prirje për art dhe  këtë e shfaqja me këndim, vallëzim, vizatime… Mjerisht, kjo prirje e imja nuk zgjonte ndonjë interes tek  mësimdhënësit e mi! Kjo zatën bëri që tek unë të shuhej madje edhe dëshira për shkollim, meqë  lëndët shkencore nuk ishin ana ime më e fort. Kjo rezultoi fundja me braktisjen e shkollës nga ana e  ime në moshën 17 vjeçare. Pas kësaj, u punësova në fabrikën e njëjtë, ku punonte edhe im atë. Pa i mbushur 18 vite edhe u martova. Martesa ime, fatkeqësisht, nuk ishte fare e lehtë, kishim shumë konflikte. Prandaj, pas 22 viteve  kësaj  martese edhe i erdhi fundi. Nga kjo martesë kam për fat tre fëmijë të shkëlqyer, në ndërkohë jam edhe gjyshe e dy nipërve të mrekullueshëm. Deri në moshën dyzet vjeçare jeta ime ishte tërësisht e fokusuar në ndërtimin dhe mirëmbajtjen e  familjes. Kjo mori fund pikërisht në këtë kohë, kur unë fillova procesin e divorcit dhe më në fund  mora  timonin e jetës sime në duart e mia. Pas shumë përpjekjeve mblodha gjithë forcën që më  kishte mbetur dhe fillova ta krijojë një jetë të cilën mendoja se e meritoja. E hapa një kapitull të ri në  jetën time dhe fillova ta zbuloj një botë për të cilën nuk isha e vetëdijshme që ekzistonte. E gjithë kjo nuk ishte aspak e lehtë, por unë megjithatë ia dola. Edhe sot, natyrisht, vazhdoj të  ballafaqohem me sfida të ndryshme, por tash jam më e lumtur se kurrë dhe, në fakt, nuk do të  ndryshoja asgjë në jetën time, meqë përndryshe nuk do të isha ajo që jam sot.

Ndërsa duhet cekur se sot iu jeni kthyer bindshëm pasionit tuaj artistik, konkretisht pikturës?

Në martesën time nuk ka pasur asnjëherë vend për ndonjë zhvillim timin personal. Shpesh e pyesja vetën: është kjo vallë e tëra, çfarë ka jeta për mua? Arti dhe piktura ishin vetëm një ëndërr e bukur, në  të cilën zhytesha, nganjëherë ëndërroja madje me sy  të hapur. Pasioni për pikturën erdhe në formë  ringjalljeje në jetën time në moshën 45 – vjeçare. Që atëherë, këtë pasion e kultivoj me shumë xhelozi.

 Pse pikërisht në këtë moshë, kishe dilema?

Menjëherë pas divorcit, e ndërpreva marrëdhënien e punës pas 14 vitesh dhe iu riktheva shkollimit, plot pas  23 vitesh pauze. Tani isha njëkohësisht e zonja e shtëpisë, nënë e tre fëmijëve, amvise dhe, mbi të  gjitha këto, edhe studente. Nuk ishte lehtë, nganjëherë humbisja shpresën, mendoja se nuk do t ́ia  dalë dot. Por, përkrahja dhe dashuria e fëmijëve të mi, si dhe ajo e familjes, dhe sidomos e prindërve,  më jepte forcë të vazhdoj rrugëtimin drejt cakut tim. Diplomova suksesshëm si komercialiste e sektorit të patundshmërive dhe punoj aktualisht si e tillë në  një nga kompanitë më të mëdha  të kësaj fushe në Gjermani. Tashmë kisha arritur në një shkallë  relativisht të lartë të karrierës dhe një shkollim adekuat. Mirëpo, e vëreja se diçka ende më mungonte. Në fillim mendoja që shkollimi do të ishte realizimi im personal, por jo. Ishte arti ende ai, që ndizte në  shpirtin tim shkëndija emocionesh. Përherë i kam vështruar pikturat e huaja me shumë admirim dhe gjithmonë e pyesja vetën, si do të dukeshin vallë pikturat e mia, sikur të isha vetë piktore. jo është e pamundur! Unë nuk di as të  vizatoj si duhet dhe lëre më të pikturoj. Për të pikturuar duhet edukimi përkatës!!!“, këto ishin mesazhet  qortuese që vinin nga brendia ime si përgjigje të përsiatjeve të mia. Për ta filluar një shkollim artistik,  do të më duhej ta braktisja sërish punën, e cila ma siguronte bukën e përditshme. Kisha përgjegjësi   ndaj familjes, sidomos ndaj birit tim të vogël. Andaj, me kohë këto shkëndija artistike, që ma ngazëllenin shpirtin, filluan të shuheshin dalëngadalë dhe përfundonin diku në kthinat e harresës. Dy vite  pas divorcit takova një person  që kësaj shkëndije do t ́ia rikthente forcën dhe shkëlqimin. Ishte  ky Holger, partneri im i tanishëm, i cili e kishte vërejtur që gjatë telefonatave të mia unë e kisha bërë  shprehi ta merrja një letër dhe të vizatoja në të.  Por, këto fletë me vizatime përfundonin zakonisht në  koshin e letrave. Unë këtë gjë e bëja në fakt me vite të tëra, por kjo asnjëherë nuk më kishte lënë  përshtypje. Por, për Holgerin kjo ishte megjithatë një gjë e jashtëzakonshme. Pas ca kohësh, në  ditëlindjen time të 45- të,  Holger ma dhuroi një arkë me plot mjete vizatimi, lapsa profesional, letër  vizatimi dhe gjithçka tjetër, për të filluar me kultivimin e kësaj dhuntie time. Pa humbur kohë, fillova t ́i  vizatoja fytyrat e fëmijëve të mi. Kështu nisi e tëra. Përveç obligimeve dhe angazhimeve të mëdha që kam si menaxhere e sektorit të patundshmërive, e  kam ende edhe të birin 17 vjeçar, i cili ende ka nevojë për përkujdesjen time, për punët e shtëpisë të  mos flasim fare. Megjithatë, edhe pse skajshmërisht e  angazhuar, unë edhe sot çdo minutë të lirë ia  përkushtoj artit, herë duke e marrë brushën në dorë dhe duke punuar në pikturat e mia, dhe herë duke  lexuar libra për piktorë dhe artistë të ndryshëm. Momentalisht planifikoj ta reduktojë paksa orarin e  punës për të pasur më shumë kohë për art dhe për vetveten tim. Jeta është tejet e shkurtër për ta   harxhuar pa ndonjë kuptim. Pse të ngurrojmë? Piktura është për mua një lloj meditimi, ku hapësira dhe koha nuk ekzistojnë më, ku çdo gjë ndalet,  pushon, dhe ku më  jepet mundësia që pastërtinë e shpitit tim ta pasqyroj në pikturë. Ndjenjat,  ndjeshmëritë shkrihen në shpirtit tim, përmes pikturës komunikoj pa e thënë asnjë fjalë, përmes  brushës artikulohem në një gjuhë të cilën të gjithë e kuptojnë dhe kjo është piktura. Kritikët më të  mëdhenj të artit tim janë pjesëtarët e familjes sime. Familja është mbështetja ime më e madhe në  botën e artit, por edhe përgjithësisht, në çdo hap të jetës sime.

Çfarë i karakterizon pikturat tuaja, sa i përket subjektit, ngjyrave?

Të gjitha subjektet e pikturave të mia deri tash kanë qenë femrat. Femra, sepse është një gjini e  bukur dhe e butë, sepse ka shumë durim, sepse është shumë e fortë. Mirëpo, megjithë forcën e  saj, edhe ajo ka nevojë nganjëherë të pushojë, t ́i mbyllë sytë dhe ta rimbushë shpirtin e saj me  energji. Ngjyra mbisunduese në pikturat e mia është ngjyrë ari. Ngjyra e arit përçon ngrohtësinë e  diellit që mbanë të ngrohtë planetin tonë, është simbol i fuqisë hyjnore, i mirësisë dhe mëshirës, i shërimit nga vuajtja, si dhe  i shpëtimit të shpirtit.

 Ndërkohë po merrni pjesë në ekspozita të ndryshme në Gjermani, po në Kosovë keni menduar të prezantoheni para publikut shqiptar?

Me shumë kënaqësi! Nëse jo  këtë  vit, atëherë gjithsesi vitin që vjen!

Çfarë mendoni se është më e rëndësishme në jetën e një gruaje, një artisteje?

Unë mendoj se për të gjitha gratë, ndjenjat dhe nevojat e tyre duhet të jenë nga prioriteti më i lartë.  Një grua e lumtur e bën të lumtur edhe burrin e saj, ndërsa një nënë e lumtur i  rritë fëmijët me shumë dashuri dhe lumturi. Një grua duhet të ndjekë ambiciet e saj. Më mirë vonë se kurrë!

admin

Artikujt e tjetrë