Lifestyle

Fortesa Orana, vajza e artë e karatesë

Megjithëse një garë shumë e vështirë,Fortesa ia doli mbanë, një garë ballkanike e mbushur me emocione dhe nga ana tjetër një shtysë e madhe për të synuar gara edhe më të rëndësishme. Kampionia e shumëfishtë e Kosovës në një rrëfim në Flatra.

 

Kosova sërish në vëmendjen e botës, sërish në sport dhe sërish një vajzë e artë. Fortesa Orana fitoi pak kohë më parë Medaljen e Artë në karate, këtë numër në Flatra e sjellim më të plotë si profil, vajzën 21 vjeçare, e cila po prezanton Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Jam anëtare e klubit Ippon në Prishtinë, gjithashtu edhe anëtare e përfaqësueses së Kosovës. Aktualisht jam duke studiuar në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, në Prishtinë ndërsa si çdo 21 vjeçare kam pasionet e mia përtej karrierës si sportiste në sporti e karatesë.”- shprehet Fortesa Orana. Ajo është kampione e shumëfishtë e Kosovës, prej vitesh tashmë ka fituar me dhjetëra medalje kombëtare dhe ndërkombëtare ndërsa ka filluar të merret me sportin e karatesë në moshë shumë të re. “ Kam filluar të merrem me karate që nga viti 2005, ku nga ajo kohë kam pasur shumë suksese në vazhdim si në garat kombëtare ashtu ndërkombëtare. Vlen të theksoj këtu disa prej tyre, të cilat janë më të rëndësishme jo vetëm për karrierën time personale, por edhe për Kosovën, kampione e Kosovës e shumëfishtë, Sportiste e Vitit e shpallur nga Federata e Karatesë disa vite me radhe, gjithashtu sportiste e vitit në Komunën e Gjilanit për shumë vite. Ndërsa medalja ime e parë e arte ishte në vitin 2012 në garën ndërkombëtare në Austria Junior Open 2012. Kjo medalje ishte edhe motivi im për të ardhmen që të vazhdoj edhe tutje me suksese tjera, sië ishin të tjera suksese si në Dubai open me Medalje të Artë, Las Vegas Open, Medalje e Artë, Turkish Open, Medalja e Artë, Sëis Pen, Medalje e Argjend, fituese në Kampionatin Ballkanik për të reja  etj. Ndërsa sukseset  më të reja ishin në Kampionatin Evropian, vendi i 5 në Evropë, kampionat i cili u zhvillua në Bullgari, Premier liga në Roterdam vendi i 5 , ishte ndër turnet më të forta në botë, jam shpresë olimpike e zgjedhur nga Komiteti Olimpik I Kosovës për katër vite me radhë për Tokyo 2020. Ndërkaq edhe suksesi im më i madh këtë vit ishte Medalja e Artë në kampionatin ballkanik që u mbajt në Turqi, ku vlen të theksohet se në këtë garë arrita ti mposht dy garuese nga Serbia.”- tregon kampionia.

Ishte një garë shumë e vështirë, megjithatë Fortesa ia doli mbanë, një garë ballkanike e mbushur me emocione dhe nga ana tjetër një shtysë e madhe për të synuar gara edhe më të rëndësishme. “Medalja ime e parë ballkanike e artë, u ndjeva shumë e emocionuar, dhe një motiv shtesë që të garoj edhe për Medaljen e Artë në Kampionatin Evropian që do të mbahet në muajin maj, në Novi Sad të Serbisë, ku shpresoj dhe besoj në vetvete që do t’ia dal me medalje. Gjithashtu po ashtu të garoj edhe për medalje në Kampionatin Botëror që do të mbahet në nëntor të këtij viti.”- thotë Fortesa Orana.

Për vajza të forta dhe luftarake si Fortesa nuk ka shumë rëndësi gjinia, por më e rëndësishme për të është ta duash këtë sport dhe të japësh maksimumin nga vetvetja për të arritur majat.

“Me të vërtetë nuk është e lehtë të merret me sportin e karatesë, sepse duhet punë, kohë dhe përkushtim i madh, mbase përveç që është sport luftarak duhet të jesh e përgatitur mirë si në aspektin fizik, psikologjik për të arritur deri te suksesi. Unë besoj në vete dhe me punën që po bëj kohët e fundit shpresoj të arrijë suksese edhe më të mëdha në këtë sport.”- përfundon Fortesa.

admin

Artikujt e tjetrë