Arte Pamore

Ana tjetër e Pablo Picassos

“Keni një fytyrë interesante. Do të doja shumë të krijoja një portret tuajin. Unë jam Pikaso.”

Në galerinë parisiene Gagosian, ishte prezantuar ekspozita me vepra të rralla të mjeshtrit Pablo Pikaso, duke nxjerrë në pah një rol tjetër të artistit, atë të prindit, rolin e babait të vajzës së tij Maya. Kuratore e kësaj ekspozite ishte mbesa e Pikasos, e cila njëkohësisht ka zbuluar për mediat ndërkombëtare detaje për këtë raport kaq të ndjeshëm.

Në janar të vitit 1927, jashtë Galerisë Lafayette në Paris, Pikaso takon Marie Therese Walter, një 17 vjeçare që i përkiste një familjeje borgjeze.  Artisti ishte i njohur për jetën e tij ekstravagande dhe lidhjet e shumta romantike, por ky takim duket se e kishte magjepsur.

“Keni një fytyrë interesante. Do të doja shumë që të ju bëja një portret. Unë jam Pikaso.” Pas një jave ata nisën një lidhje dashurie, që do të zgjaste deri në vitin 1941. Walter frymëzoi artistin për të bërë disa nga veprat më të njohura në botë, të tri imazhet e veprës Guernica janë të frymëzuara pikërisht nga ajo, pastaj do të vinte në jetë edhe vajza e tyre, të cilën e pagëzuan me emrin Maria.

Pikaso u përkushtua shumë ndaj së bijës, e cila u bë subjekti i tij më i dashur i  një sërë krijimesh të njohura. “Është interesante të shohësh sesi artisti reagon ndaj fëmijës”, thotë historianja Diana Widmaier Picasso, e bija e Marias-Maya dhe mbesa e artistit, kuratorja e ekspozitës, “Picasso and Maya: Father and Daughter”, ekspozita e parë që shfaqë fëmijërinë e Mayas përmes punës së Pikasos

“Maya ishte vajza e tij e parë dhe unë sapo kam lindur vajzën time të parë, është një ndjenjë  e mrekullueshme të shohësh se si Pikaso ka vizatuar të gjitha detajet, që unë sot i shoh nga këndvështrimi i një nëne… edhe flokët, në të gjitha mënyrat e mundshme. Madje është e habitshme për një njeri të tillë ‘monster’ si Pikaso.”

Widmaier Picasso, gjithashtu kishte kuruar edhe ekspozitën “Picasso and Marie-Thérèse: L’Amour Fou”, në vitin 2011, në Nju Jork, e cila solli historinë e dashurisë së gjyshërve të saj, përmes portreteve, pikturave dhe skulpturave nga vitet e 30-ta dhe 40-ta, një dokumentim i jetës së tyre të lumtur familjare.

Kam kërkuar dhe mbledhur vepra nga tërë bota, që zbulonin atë. Disa ishin portrete të saj, e disa portrete përmes nënës së saj, kështu që ishte më kompleks identifikimi i saj.”

Maya e cila sot është 82 vjeçare, ka kontribuar me letra, fotografi dhe pjesë të tjera personale në këtë ekspozitë,  që Widmaier Picasso e përshkruan si diçka që më herët ka qenë e vështirë për nënën e saj ta ndajë me të tjerët. “Më është dashur të jem shumë e duruar me të. Nëna është treguar mjaft bujare dhe e hapur. Kur ai ka vdekur, ishte duke jetuar me gruan e tij të fundit Jacquelinë Roque, e cila e kishte mbajtur pak më të distancuar. Nëna ime nuk e kishte takuar me vite të tëra. Të gjitha veprat, këto vepra arti i ngjallnin asaj kujtime. Biografitë, ditarë, që është shumë i bukur e njëkohësisht i ashpër për fëmijën e tij sepse e kupton se çfarë realisht mendonte. Aty nuk ka filtra.”

Vet Maya kishte pohuar për pikturat dhe vizatimet e të atit, në vitin 1996, “Këto pamje janë kaq reale. Gjithçka këtu; veshmbathjet, flokët, madje edhe lodrat e mia…” Me këta rreshta është hapur edhe kjo ekspozitë e fundit në galerinë Gagosian, një përmbledhje dhe zbulim i raportit të veçantë të Pikasos me të bijën.

admin

Artikujt e tjetrë