Lifestyle

Prishtina, kryeqyteti i ri evropian

Është atdheu i dy prej këngëtareve më të famshme për momentin, Dua Lipës dhe Rita Orës, kryeqyteti i shtetit më të ri në Evropë, që fsheh pjesën më “cool” të Ballkanit, sipas New York Times. Përpara jush Prishtina, kryeqyteti i Kosovës, një qytet i ri për tu vizituar.

 

Nga FRANCESCA MASOTTI

 

Që Kosova ka ndryshuar, e vëren sapo vendos këmbën në Prishtinë. Kryeqyteti i gjallë, me 200 mijë banorët e saj, është qendra kulturore, ekonomike dhe artistike më e rëndësishme e Kosovës. Një vend i ri, madje shumë i ri, (mosha mesatare e kosovarëve është 25 vjeç, 20 më pak se në Itali), me një histori të rëndësishëm mbrapa saj dhe një të ardhme të pasigurt. Por si është Prishtinë, sot, gati 20 vjet pas luftës dhe spastrimit etnik aq të dëshiruar nga presidenti i atëhershëm serb Slobodan Milosheviq kundër popullatës shqiptare, e cila ende pret drejtësi dhe respekt? Pjesa më e madhe është ende atje, ndërtesat e stilit brutalist, kujtimet e gjalla në mendjet e njerëzve, por kaq shumë janë shtuar ndërkohë në qytet, si monumenti Newborn, i ngritur më 17 shkurt 2008, katedralja mbresëlënëse kushtuar Nënë Terezës (murgesha e lindur në Shkup nga një familje shqiptare nga Kosova) e shenjtëruar në shtator të vitit të kaluar.  Prishtina është një destinacion që po hyn ngadalë në radarët e agjencive të ndryshme që, të lodhur nga destinacionet e zakonshme, vendosin të ndërmarrin aventura në zbulimin e një prej vendeve më të bukura dhe më pak të njohura të Ballkanit. Është pikërisht kryeqyteti që të zbulohet tani, para se gjithkush të jetë i vetëdijshëm për të, një qytet që e viziton lehtë në fundjavë. Të gjitha të bazuara në art, kulturë dhe jetë nate. Zemra e kryeqytetit të Kosovës është Bulevardi Nëna Terezë, shëtitore e gjerë rreth të cilës zhvillohet një labirint i rrugëve të ngushta, ku restorantet, baret dhe kafenetë kanë “mbirë” si kërpudha.  Këtu, në shkurt, këngëtarja me origjinë kosovare Rita Ora mbajti një koncert për të festuar Pavarësinë dhjetëvjeçare të vendit. Për të hyrë menjëherë në përditshmërinë vendore, gjëja e parë që duhet të bëni është të porositni një kafe. Zgjedhja mund të jetë në mes Soma Book Station dhe Dit’e’Nat ‘, dy restorantet më të njohura në Prishtinë. Në të dyja vendet ka një koleksion të konsiderueshëm librash, një koktej bar, një kuzhinë ku përgatiten ushqime cilësore me produkte nga fshatrat e afërta dhe një klientelë të rinj, studentë universiteti dhe të rritur që jetojnë dhe punojnë në kryeqytetin e gjallë të Kosovës. Për ata që nuk e dinë, kafja, në këto anë, nuk është thjesht një pije, por një mënyrë jetese, një ritual nga i cili është e pamundur të arratisesh. Prandaj është e këshillueshme që të marrësh pak kohë për të shijuar këtë moment të shenjtë.

Për të gjetur veten në lagjet piktoreske turke, të cilat e kanë përshkruar gjithmonë fytyrën e qytetit, thjesht largohuni nga kafenetë e qendrës. Mos u shqetësoni se do të humbisni në labirintet e rrugicave që formojnë qytetin e vjetër të Prishtinës, sepse këtu, nëse kërkoni informacion në rrugë, gjithmonë është dikush që dëshiron t’ju shoqërojë personalisht në destinacionin tuaj. Meriton një vizitë edhe Muzeu Etnologjik Emin Gjiku, i vendosur në një shtëpi otomane tradicionale të shekullit të tetëmbëdhjetë, e cila ofron një afresk interesante të kulturës së vendit dhe mbi të gjitha, vitet e sundimit osman. Dy hapa më tutje gjendet Xhamia e bukur Mehmet Fatih, zbukuruar në brendësi dhe jashtë saj, me një kopsht ku fëmijët e të gjitha moshave luajnë pa kujdes. Vizioni i islamit të dukshëm, të paktën rreth meje, është më i relaksuar sesa ai i paraqitur nga mediat perëndimore. Ndodh shpesh që të shohësh grupe të vajzave, disa në pantallona të shkurtra, të tjera të mbuluara, duke biseduar në mënyrë natyrale, pa gjykuar tjetrën. Një pamje e paimagjinueshme në anët tona.

Nëse ju pyesin se çfarë tjetër ka për të parë në Prishtinë, mos harroni për të bërë një ndalesë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, një ndërtesë e çuditshme projektuar nga Andrija Mutnjaković, arkitekt kroat, emblemë e Jugosllavisë socialiste. Pavarësisht se Telegraph  e ka renditur në vendin e 18 në listën e ndërtesave më të shëmtuara në botë, Biblioteka është një domosdoshmëri për tifozët e arkitekturës socialiste, me 99 kupola e saj prej qelqi, të gjitha forma të ndryshme, dhe fasadat e mbuluara me rrjetë teli. Sapo të futeni brenda mund të admironi koleksionet e librave që tregojnë historinë e vendit, dhoma leximi, një dhomë takimi dhe ju mund të shihni kupolat nga një perspektivë të ndryshme. Pranë bibliotekë ka edhe një hapësirë ​​të madhe të gjelbër dhe Kisha Ortodokse serbe e Krishtit Shpëtimtar. Sipas planeve të Millosheviqit duhej të bëhej kisha më e madhe në vend, por për shkak të shpërthimit të luftës asnjëherë nuk është përfunduar. Sot serbët, në qytet, janë të pakët. Pas luftës, shumë prej tyre kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe janë kthyer në Serbi, të frikësuar nga hakmarrja e shqiptarëve. Kundër krimeve të dyshuara të kryera nga UÇK-ja, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në dëm të civilëve serbë, gjithashtu, një gjykatë speciale u ngrit, e krijuar rreth tre vjet më parë, por situata ka ngecur aktualisht.

Në mbrëmje, atëherë, magjia zbret në Prishtinë. Ekspozita, koncerte, shfaqje, festivale (si PriFest, ngjarje kinematografike) ndjekin njëra-tjetrën në kalendarin e qytetit. Vështirë se mund të gjesh në atë orë një kafe ose një pub bosh. Vështirë për të zgjedhur midis ngjarjeve të shumta kulturore që e animojnë kryeqytetin. Një turmë e të rinjve mbushin pubet e qendrës, një brez i ri që mbart mbi supe barrën e ndërtimit të një shteti të ri, dhe që duket se ka lënë pas tragjeditë dhe padrejtësitë e asaj marrëzie njerëzore, e cila në vitet nëntëdhjetë të turbullta tronditi një popullatë të tërë. Shumë prej tyre i kanë ende  të gdhendur në fytyrat e tyre, të përulur, shumë kanë humbur të dashurit e tyre dhe nuk kanë marrë ende drejtësi dhe ndoshta kurrë nuk do ta marrin atë. Nuk ka sesi të mos mendoj për fatin që kam pasur atë kohë, në të njëjtat vite, unë isha duke luajtur me kukulla me motrën time dhe shkoja në det me prindërit e mi, ata ishin viktima të një nga momentet më tragjike të historisë bashkëkohore evropiane.

Ka një frazë të bukur nga Italo Calvino, i cili më vjen në mendje në mbrëmjen e fundit në Prishtinë. “Merrni lehtë jetën, se lehtësia nuk është sipërfaqësi, por rrëshqitje mbi gjëra nga lart, duke mos pasur gurë në zemër”. Dhe kështu këta njerëz nga Prishtina shfaqen në sytë e mi, dritë. Lehtësia nuk është sinonim me sipërfaqësinë, në të vërtetë. Lehtësia, në jetë, është e nevojshme për të reduktuar problemet thelbësore, për të hequr mendimet e panevojshme dhe për të zgjidhur pengesat me thellësi. Ashtu si ata bënë. Ndërsa ngjarjet e jetës kanë vënë një tendosje mbi ta, ata kanë një dinjitet njerëzor që më lë pa fjalë. Lodhja, dhimbja, vuajtja e kanë zbutur gjakun e tyre dhe e kanë forcuar shpirtin e tyre, duke i nxitur ata të shikojnë përpara, por kurrë mos ta harrojnë të kaluarën. Pa gurë në zemër.

 

admin

Artikujt e tjetrë