Arte Pamore

Vetmia artistike e Lorik Sylejmanit

Foto: Atdhe Mulla

 

Titulli ishte ai që fillimisht ngacmoi kureshtjen tonë. “Eja ta shohësh vetminë”, një grishje në të padukshmen, që e bënë edhe më të veçantë qasjen artistike të Lorik Sylejmanit. Vetëm para pak ditësh në Galerinë e Arteve të Kosovës, mundëm të shohim një përmbledhje veprash të 20 viteve karrierë të artistit. Në një hapësirë ekspozuese të ndarë në mes 25 punimeve, të vendosura në  katër dhoma: Dhoma pa pamje, Dhoma e Lauries dhe Lous, Arti imiton jetën dhe Videoplex.  Por cila është vetmia e shfaqur në këto krijime të artistit.

“Para një viti e kam realizuar një film eksperimental pesë minutash me titull ‘A nuk do vish ta shohësh vetminë?’ Së bashku me drejtoreshën e Galerisë Kombëtare, znj. Arta Aganin, vendosëm që mu kjo të ishte pikënisje për ta titulluar ekspozitën: Eja të shohësh vetminë!. Kur flas për vetminë nuk e përcaktoj si gjendje emocionale, gjendje personale, por e konceptoj si gjendje, si diçka që është pjesë e jona si kolektiv dhe të cilës nuk mund t’i ikim kurrsesi. Është, si të thuash fati i jonë.”

Ndërsa në lidhje me procesin e finalizimit të këtij projekti njëkohësisht sfidues dhe përmbushës, Sylejmani tregon se i është dashur kohë dhe punë e vazhdueshme për të bërë selektmin e veprave të disa viteve.

“Ekspozita  është një përmbledhje e punës sime profesionale në art që 20 vite. Natyrisht, për ta përmbledhë tërë punën në një hapësirë me 25 punime, vërtetë ka qenë një sfidë, por edhe një punë e përkushtuar deri ne ditën e hapjes. Unë për nga natyra kur punoj jam detajist, nuk lejoj asgjë t’i lë rastit dhe kështu ka ndodhë edhe me këtë ekspozitë. Në fund, mund të them se intezivisht me të jam marrë, që nga dhjetori i vitit të kaluar. Po ashtu, në ekspozitë prezantohen 12 vepra të reja, në medium të ndryshme.”

Arti i Sylejmanit është një refleksion personal dhe tendencë, që individin ta vë ne rend të parë. Ai thekson se arti sot shtron pyetje, merret me çështje, të cilat kanë të bëjnë me fenomene shoqërore nga ato sociale, politike e deri tek ato ekonomike, por nuk e ka misionin që të jep përgjigje në to apo t’i zgjidhë ato, duke shtuar se individi pak a shumë është i përjashtuar nga ky proces, prandaj atij i intereson individi, roli i tij në art dhe në përgjithësi në shoqëri, jo si i veçuar.

Artistët gjithnjë kanë momentin e tyre të frymëzimit, krijimit apo nëse mund ta quajmë të një lulëzimi krijues. Për artistin Sylejmani, ky moment vjen papritmas, atëherë kur nuk e mendon dhe nuk e vë në pah faktin se duhet krijuar, duke e trajtuar si një obligim apo siç thotë ai një detyrë shtëpie.

“Do të thosha se asnjëherë nuk i kthehem punës në art vetëm si detyrë shtëpie. Jo! Ndodhë që kalojnë 2 muaj dhe asgjë nuk punoj, por vjen një moment që më inspiron, çfarëdo e vogël të jetë ajo dhe pastaj kaloj ditë të tëra duke punuar. Janë momente që dinë të prekin ato fluturat në bark, t’i trazojnë ato dhe rezultati është aty.”

“Eja të shohësh vetminë”, një ftesë për të gjithë ne, për të përjetuar dhe prekur dimensione të ndryshme artistike, të cilat erdhën të artikuluara artistikisht nga Sylejmani, por para vetes ka projekte të tjera po kaq të rëndësishme, që prêt t’i realizojë së shpejti.

“Gjatë këtyre muajve kam marrë disa ftesa për ekspozita për tu prezantuar në botë, jo vetanake por kolektive dhe kjo kërkon përkushtim, prandaj nuk u jam përgjigjur asnjërës pozitivisht me qëllim që tërë energjinë ta kanalizojë nga ekspozita vetanake, e cila është një punë që kërkon tejet angazhim në të gjitha nivelet. Besoj se nga pjesa e dytë e vitit do këtë edhe të tjera në Evropë dhe SHBA. Shpresoj se ky vit do jetë edhe viti i realizmit, apo nisjes së xhirimit të filmit tim ‘’Kompleksi i kauçit’’, film ky i metrazhit të gjatë ku jam skenarist dhe regjisor. Është një film tjetër tejet dinamik në dialogje, por që prapë në fund të ditës flet për vetminë.”

Duhet të theksojmë se po këtë vit Sylejmani ka botuar  “Histori e dizenjit dhe multimedias’’dhe është në përfundim të librit të përvojave të tij rreth koncerteve të shumta, që i ka vizituar këto dhjetë vitet e fundit dhe do jetë një përmbledhje nga to. Por siç thekson edhe vet ai, ekspozitat e tilla artistike do të jenë gjithnjë në rend të parë.

admin

Artikujt e tjetrë