Kulturë

Shpërfaqja e vlerave përmes tingujve

Muzikën kontemporane të kompozitorit Lowell Liebermann, flautistja jonë e shquar, Enkelejda Zajmi Gorani, e solli me mjaftë mjeshtëri, duke shpalosur edhe një herë vlerat dhe tingujt e mirëfilltë në skenën kosovare.

Foto: Bardha Neziri

 

Një koncert i flautit dramatik dhe romantik, me vepra të përfshira në një repertor që karakterizohej nga dominimi i krijimeve më sfiduese të shek. 20 për secilin instrumentist, që synon të çimentojë një profil artistik të qenësishëm. Flautistja jonë e nderuar Enkelejda Zajmi Gorani, vetëm para pak kohësh  “shkaktoi” një efekt hipnotik tek të pranishmit në Sallën e Kuqe në kryeqytet. Ajo shpalosi pikërisht këto vepra të njohura të cilat rrallë herë kemi rastin dhe fatin t’i dëgjojmë e shohim të interpretuara nga artistë vendor, duke qenë se vështirësia e sjelljes në një formë origjinale dhe në përgjithësi realizimi i tërë projektit kërkon kohë e profesionalitet për ta materializuar me përpikëri.

Duhet vënë në pah faktin se artistja Zajmi Gorani përgjatë tërë këtyre viteve karrierë të suksesshme dhe profesionale në skenën shqiptare të artit është shquar për prurje të veçanta e njëkohësisht të vështira për tu realizuar, por profesionalizmi është elementi kryesor i çdo artisti të suksesshëm dhe në rastin e artistes tonë të talentuar nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe. Vetë artistja ka shpalosur procesin e tërë rrugëtimit drejt finalizimit të mrekullueshëm të këtij solo koncerti, duke theksuar se pavarësisht sfidave të shumta që hasen sot në sferën e artit e veçanërisht për artistët e mirëfilltë, përmbyllja dhe duartrokitjet e pa pushim të publikut janë motivi dhe arsyeja më e mirë që artisti duhet të vazhdojë dhe të mos zmbrapset nga barrierat, që shfaqen gjatë karrierës së tij.

Solo koncerti i flautistes Zajmi Gorani ishte një reflektim rreth vlerave dhe cilësisë, të cilat shpërfaqen me aq mjeshtëri aty ku është e brumosur dashuria për të bukurën, artin dhe kulturën e mirëfilltë. Se pas zhgënjimeve të përditshme që mund t’i hasim në të gjitha sferat e jetës madje dhe në atë të kulturës e artit, gjithnjë ekzistojnë artistët e vërtetë që nuk e lënë të venitet profesionalizmi.

 

Megjithatë për të sjellë një performancë të tillë të veçantë e të kompletuar në prapaskenë bëhet një punë e pashembullt, Artistja Zajmi Gorani na tregon se procesi në fjalë është me të vërtetë sfidues dhe kërkues, duke qenë se po flasim për vepra të jashtëzakonshme të kompozitorëve të njohur botëror.

“Ka rreth 6 muaj që po përgatitesha për këtë koncert ku në qendër të tij ishte muzika kontemporane e kompozitorit Lowell Liebermann. Një koncert të këtij lloji e kisha në plan për një kohë të gjatë mirëpo meqë një koncert i këtij kalibri është punë ekipore dhe kërkon mbështetje menaxheriale dhe organizative atëherë duhet te prisja derisa të plotësoheshin të gjitha kushtet, që të më mundësohej ta realizoja dhe padyshim me ndihmën e kolegëve të mi dhe drejtorit të Filharmonisë së Kosovës  Baki Jashari, e posaçërisht kontributi i veçantë i drejtorit të festivalit  DAM Dardan Selimaj.”, -është shprehur artistja Zajmi Gorani, ndërsa ka treguar se koncerti është karakterizuar nga 3 kohë sepse forma e tij ishte jokonvencionale, që ofronte mundësi, që çdo instrumentist të ketë kohë për ta interpretuar dhe personalizuar.

“Koha 1 është hapur me një tempo moderator, hapja dhe mbyllja e pjesëve të kohës e kanë të dedikuar një temë të njëjtë të veçantë, që është aq sa lirike, intime dhe tërheqëse. Muzika ka qenë e ngjashme me tingujt e veprave të vonshme të Sergei Prokofiev sikurse është Romeo dhe Julieta,  por prapë se prapë kompozimi ishte mjaft i dallueshëm prej Prokofievit.   Koha e 2 Adagio ishte e mrekullueshme, një vepër lirike e zgjatur duke krijuar një efekt hipnotik gjatë gjithë kësaj kohe. Derisa koha e 3 dhe e fundit erdhi në formën, që shpesh haset në finalet e koncerteve që është Rondo dhe e cila kërkon nga flautisti virtuozitet kulminant dhe qëndrueshmëri.”

Gjithashtu artistja Zajmi Gorani ka falënderuar edhe dirigjentin dhe pianistin e talentuar Gregory Charette për bashkëpunimin dhe kënaqësinë për të pasur në krah një artistë të tillë.

“Një artist me energji pozitive dhe relaksuese, që e bëri edhe më të veçantë këtë koncert dhe krijoi tek unë një lloj entuziazmi të duhur për të ju qasur një vepre të vështirë duke më dhuruar njëkohësisht një siguri interpretuese në skenë.” Ndërsa dirigjenti Gregory Charette theksoi faktin se ka qenë një bashkëpunim shumë i ngrohtë me flautisten dhe se është shumë e rëndësishëm që audienca në Prishtinë të njihen më mirë me veprat bashkëkohore.

“Jam shumë i  kënaqur që Enkelejda zgjodhi të interpretojë në këtë koncert muzikën e kompozitorit Loëell Liebermann. Është e rëndësishme që audienca në Prishtinë dhe orkestra të njihen më mirë me veprat bashkëkohore. Ka qenë një bashkëpunim shumë i lehtë, i ngrohtë dhe i hapur me Enkelejdën. Ka qenë një gëzim i vërtetë për mua ta realizoja këtë pjesë me artisten.”

admin

Artikujt e tjetrë