Kulturë

Baleti është një univers pa mure

Teuta Krasniqi vjen në këtë intervistë në Flatra duke rrëfyer botën që e rrethon, baletin, hapat e parë në karrierë si balerinë, por gjithashtu duke shpalosur edhe një anë tjetër, atë të koreografes, duke ngjitur në skenë premierën “Pa mure”.

 

 Na flisni pak për veten tuaj?

Me baletin kam filluar mjaft me vonesë për fat të keq, kam qenë afër 17 vjeçare, moshë kjo që nuk është shumë e përshtatshme për të filluar një profesion të vështirë siç është baleti. Më është dashur të mundohem shumë, shumë punë për të arritur sukses! Por ndjehem mjaft mirë për të gjitha sfidat, të cilat i kam kaluar edhe pse kanë qenë shumë të vështira!

 Pse zgjodhët baletin dhe si ka qenë karriera juaj si balerinë?

Baletin nuk e kam zgjedhur vet sepse unë isha në shkollën e muzikës në drejtimin teorik dhe jo me atë të baletit, por gjithmonë shkoja për t’i shikuar shokët e klasës që ishin në drejtim të baletit dhe një ditë drejtori i baletit prof. Ahmet Brahimaj më tha që nëse do të dëshiroja mund t’i bashkangjitem shokëve të mi në klasën e baletit dhe pranova menjëherë sepse gjithmonë i shikoja me shumë dashuri dhe më bënë që të filloja ta pëlqeja shumë baletin! Nga ai moment nisa të ushtroj profesionin e baletit dhe nuk e ndërpreva asnjëherë dhe këtë duke e falënderuar drejtorin Ahmet Brahimaj! Karrierën time deri më tani e shoh mjaft të suksesshme duke parë punën e përbashkët me të gjithë kolegët e mi,dhe sukseset e secilit prej nesh janë suksesi i gjithë trupës së baletit të Kosovës me gjithë rrugëtimin që e kemi bërë dhe do ta bëjmë së bashku!

 Ndërkohë patët edhe debutimin tuaj si koreografe në shfaqjen “Pa mure”, si ishte kjo përvojë për ju?

Shfaqja “Pa mure” është një ide që më ka lindur shumë kohë më parë, kur përballesha gjithmonë me pengesat dhe sfidat nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë. Gjithmonë dhe tash e pas shumë viteve ne ndodhemi të izoluar duke na u ndaluar e drejta të udhëtojmë nëpër Evropë, të cilës i përkasim edhe ne si shtet! Pa mundësitë që i ofrohen të rinjve shumë mure të tjera që i kemi para! Gjitha këto kam dashur ti shpreh me anë të  lëvizjes gjuhën të cilën di ta flas më së miri dhe di ta shpreh më së miri! Për të bërë koreografi me baletin kombëtar me gjithë koleget e mi e familjen time të dytë ka qenë një ëndërr, e cila më është realizuar dhe besoj do të më shtyj të punoj edhe më tepër edhe në këtë drejtim si koreografe!

Nëse do të duhet të bësh një krahasim mes të qenët soliste, balerinë, dhe koreografe, kë shikoni si më sfiduese dhe pse?

Sa i përket krahasimit për të qene soliste balerinë dhe koreografe, janë dy sfida të pa ndashme sepse edhe të  qënurit balerinë është profesion që kërkon shumë sakrifice dhe disiplinë dhe i ka vështirësitë e saj, por edhe të qenët koreografe gjithashtu është mjaft e vështirë sepse nuk është e lehte të krijosh një histori ose një ngjarje te vërtetë dhe ta krijosh atë përmes lëvizjeve edhe emocionit. Të bësh shfaqje të cilën do t’ia dhurosh publikut shfaqje që krijohet nga vet vetja jote dhe duhet ta dish mjaft mirë se si të dërgosh atë edhe tek balerinët dhe si balerinët ta dhurojnë atë para publikut, është një përgjegjësi mjaft e madhe prandaj nuk mund t’i dalloj se cila është më sfiduese.

 Cilat janë disa nga synimet tuaja për të ardhmen?

Synimet e mia për të ardhmen gjithmonë janë për të vazhduar me qenë balerine dhe të jap kontributin tim për vendin tone përmes këtij profesioni. Gjithashtu të filloj me ide tjera për ndonjë koreografi tjetër edhe pse të qenët balerinë të kufizon edhe për të qenë koreografe në të njëjtën kohë sepse si balerinë duhet gjithmonë të jesh pjese e shfaqjeve që bëjmë ne dhe pjesë e koreografive të ndryshme! Gjithashtu që sa me shume baleti i Kosovës të prezantohet edhe jashtë vendit në mënyrë që ti tregojmë të gjithëve vlerat tona!

admin

Artikujt e tjetrë