Shëndeti

Humbja e dëgjimit, ja si mund ta kuroni

Humbja e dëgjimit është një ndër shqetësimet më të shpeshta të njerëzve duke prekur pothuajse 20 për qind e njerëzve mbi moshën 12 vjeç kanë njëfarë humbjeje dëgjimi.

 

Megjithatë shumë qytetarë nuk janë të vetëdijshëm sa nevojitet për problemet e dëgjimit dhe shpesh në rastet kur humbja e dëgjimit është i pjesshëm ky problem neglizhohet dhe nuk trajtohet. Për këtë arsye Revista Flatra vendosi që të intervistojë doktorin otorinolaringolog Dimitris Ramantanis për problemet e dëgjimit. Doktor Ramantanis ka një përvojë të gjatë si mjek specialistik në spitalet kryesore të Athinës e së fundmi punon edhe pranë Klinikës Metropolis në Prishtinë.

 

Doktor Ramantanis, çfarë e shkakton humbjen e dëgjimit?

Problemi i humbjes së dëgjimit është shumë i përhapur dhe na prek të gjithëve pasi me kalimin kohës herët a vonë të gjithë e humbasim dëgjimin pasi kjo gjë është pasojë e natyrshme e rritjes së moshës. Një tjetër arsye e zakonshme për humbjen e dëgjimit është ekspozimi ndaj zhurmës. Ne jetojmë në një botë gjithnjë e më të zhurmshme dhe shpesh në mënyrë të vullnetshme ekspozohemi ndaj zhurmave të larta që dëgjohen në  klubet e natës, diskot, koncertet apo nga përdorimi i kufjeve me muzikë me volum të lartë. Humbja e dëgjimit mund të ndodhë edhe si pasojë e sëmundjes, infeksioneve, tumoreve ose drogave si dhe mund të vijnë edhe si pasojë e dëmtimit fizik të veshëve apo lëndimeve të rënda në kokë. Për një pjesë të qytetarëve humbja e dëgjimit është e trashëguar. Kemi dy lloje kryesore të dëmtimit të dëgjimit, konduktive dhe sensoro-neurale. Në rastin e parë kemi të bëjmë me bllokimin e zërit në kanalin e veshit ose në veshin e mesëm duke reduktuar nivelin e tingullit që shkon në veshin e brendshëm. Rasti  i dëmtimit sensoro-neurale ka të bëj me dëmtimin në veshin e brendshëm dhe zakonisht ky lloj i humbjes së dëgjimit është  i përhershëm. Mirëpo ka qytetarë të cilët i hasin të dy këto lloje dëmtimi njëherësh.

Përse duhet trajtuar humbja e dëgjimit?

Humbja e dëgjimit është gjendja e tretë më e shpeshtë shëndetësore kronike me të cilën përballen të rriturit sot dhe shumë njerëz që e kanë këtë problem e mohojnë atë ose hezitojnë që të kërkojnë trajtim nga frika apo sikleti. Statistikat tregojnë se nga ata individë që kanë probleme me dëgjimin e mund të përfitojnë nga trajtimi mjekësor, vetëm 20% shkojnë tek mjeku. Humbja e dëgjimit të pa trajtuar ka qenë e lidhur me një numër problemesh të tjera shëndetësore, jo vetëm fizike por edhe psikologjike. Këtu përfshihet rënia e aftësisë për të njohur e kuptuar,  ankthin, depresionin dhe rrezikun në rritje për t’u rrëzuar. Njerëzit me humbje të dëgjimit shpesh kanë vështirësi të marrin pjesë në bisedat e  përditshme dhe mund të fillojnë të tërhiqen nga aktivitetet dhe gjërat e tjera që ata gëzojnë duke u izoluar. Humbja e dëgjimit është një problem goxha mirë i studiuar dhe i njohur mirë nga shkenca e mjekësisë gjë që do të thotë se sot kemi në dispozicion mjete efektive për të kuruar këtë shqetësim prandaj qytetarët  duhet të paraqiten tek një mjek në rastin më të parë që kanë një shqetësim. Simptomat kryesore të rënies së dëgjimit janë shfaqja e zhurmave në vesh,  nevoja për të rritur volumin e televizionit apo radios, vështirësia për të dëgjuar saktë në telefon, të folurit me zë të lartë, probleme me kuptimin e zërit sidomos kur ka zhurmë në sfond ose kur bëhet fjalë për bashkëtingëllore etj.

Çfarë duhet të bëjnë qytetarët që kanë humbje dëgjimi?

Trajtimi i duhur varet nga një numër faktorësh si niveli i humbjes së dëgjimit, shkaku themelor që ka dëmtuar dëgjimin, lloji i humbjes së dëgjimit si dhe stili i jetës së pacientit. Në rastet kur ka dyshim për humbje të dëgjimit gjëja e parë që duhet bërë është testimi i saktë i aftësisë për të dëgjuar. Bëhet fjalë për teste të thjeshte dhe pa dhimbje. Këtë gjë tek ne në klinikën  Metropolis e bëjmë në një dhomë të vogël speciale të izoluar mirë dhe me një pajisje moderne elektronike të veçantë që quhet audiometër. Po ashtu bëhet edhe një kontroll vizual të kanaleve të veshit dhe daulles duke përdorur një instrument të ndriçuar të quajtur një otoskop. Kjo do të përcaktojë nëse diçka fizike, si dylli i veshit, po kontribuon në humbjen tuaj të dëgjimit. Mandej në varësi të rezultatit të analizave përzgjidhet mënyra e trajtimit që mund të jetë vendosja e aparateve të dëgjimit, terapi mjekësor ose ndërhyrja kirurgjikale.

Cilat mund të jenë disa prej këshillave që do t’iu jepnit lexuesve tanë për t’u kujdesur për dëgjimin?

Parandalimi është kura më e mirë prandaj ka një sërë veprimesh që qytetarët mund të bëjnë për të shmangur problemet me dëgjimin duke nisur nga ekzaminimi më i shpeshtë me mjekun për veshët në mënyrë që të identifikohet e trajtohet sa më shpejt humbja e dëgjimit. Duhen shmangur sa herë që është e mundur zhurmat e larta si të trafikut apo fabrikave. Kur shkojnë për të notuar në det apo liqen mirë është të vendosen tapat e veshëve për të shmangur infeksionet. Po ashtu mirë është të vendosen kufjet që mbrojnë veshët nëse qytetarët punojnë në ambiente të zhurmshme si për shembull në ndërtim. Kujdes kur të përdoren pastrueset e veshit pasi ndonjëherë ato mund të shtyhen me thellë seç duhet. Kur ka teshtima nuk duhet mbyllur hunda në mënyrë që mos të ushtrohet presioni i panevojshëm tek veshët. Presioni i gjakut duhet të kontrollohet rregullisht dhe të mbahet nën kontroll dhe referohet përdorimi sa më i pakët i kripës në ushqim apo kafesë, çajit dhe duhanit sepse çrregullojnë qarkullimin e gjakut. Duhet patur kujdes i madh me disa barna specifike qe kanë efekt anësor tek veshët siç mund të jetë për shembull antibiotiku gentamicin. Po ashtu përkujdesje e veçantë duhet për disa sëmundje që mund të lënë pasoja të përhershme në dëgjim sikurse është meningjiti.

admin

Artikujt e tjetrë