Gruaja

Vajza dëgjohuni këtu dhe kudo

Annea Hapçiu, drejtoreshë e GlobalGirl Media Kosova, në një intervistë në Flatra, tregon më shumë për projektin “Vajzë dëgjohu”, misionin dhe mundësitë që iu ofron vajzave të reja në Kosovë, një urë e rëndësishme drejt limiteve të reja.

Na flisni pak se si lindi ideja  “Vajzë dëgjohu”? 

Byronë e vajzave, GlobalGirl Media Kosova, e themeluam në maj të 2015, në kuadër të KosovaLive, përmes projektit “VajzëDegjohu!Girl Be Heard”. Me vite të tëra ne shihnim nevojën e madhe në shoqëri për krijimin e një entiteti, që do t’i mundësonte vajzat të angazhoheshin në mënyrë proaktive në shoqëri, media, diskursin publik dhe në ekonomi. Ideja do të ishte të ndihmonim vajzat e nën përfaqësuara, studentet e shkollave të mesme dhe universiteteve publike kryesisht, të përfitonin shkathtësi dhe aftësi të nevojshme për punë, të edukoheshin në një ambient profesional dhe të ngrenë zërin e tyre për çështje, që i brengosin apo ndikojnë në mirëqenien e tyre. Kështu, pra kjo byro edukative dhe profesionale të vajzave,  do t’i zhvillonte vajzat në mënyrë holistike dhe do tu jepte një bazë profesionale, që mund ta transferonin si nëpunëse në mediat lokale, në OJQ apo biznese, që kanë nevojë për staf, i cili ka trajnim paraprak në prezantim, në shkrim, apo në krijim të video-storjeve. Qëllimi tjetër për themelimin e byrose ishte që zërin e vajzave në Kosovë ta inkuadronim edhe në platformat botërore, dhe t’i bënim ato pjesë e një diskursi shumë më të gjerë e një audience më të madhe. Përmes partneritetit me GlobalGirl Media and Network, rrjetin e byrove ndërkombëtare të vajzave, me seli në Los Angelos, Kaliforni, dhe me byro në Oakland, Morocco,  Afrikë të Jugut, ne dëshiruam që vajzat tona të ndihen pjesë e një iniciative më të madhe, e një angazhimi që kalon kufijtë, dhe nuk limitohet nga izolimi fizik i Kosovës. Partneriteti i byrosë së vajzave në KosovaLive me GlobalGirl Media u lejoi vajzave anëtare që zëri i tyre të jehonte përtej kufijve të Kosovës dhe të pikëpamjet e tyre unike deri tek vajzat e tjera që as nuk kishin dëgjuar për shtetin tonë.

Janë bërë pothuajse 3 vjet që kur ka filluar ky projekt, çfarë keni arritur të evidentoni në historitë e vajzave që kane qenë pjesëmarrëse?

Byroja e vajzave tani hyn në vitin e 3-te të funksionimit në kuadër të KosovaLive. Deri më tani byroja ka pasur mbi 300 aplikante për programet e saj dhe rreth 65 përfituese, të cilat kanë ndjekur trajnimet për shkrim, raportim, regji, krijim te videove, montazhim, dhe distribuuim në media sociale. Rreth 50 vajza gjithashtu kane ndjekur komponenten e zhvillimit profesional në KosovaLive, ku kanë punuar në shkrimin e artikujve dhe në prodhimin e video storjeve/filmave të shkurtër. Ato kanë prodhuar mbi 300 artikuj dhe 40 video dhe kanë fituar 7 çmime lokale dhe ndërkombëtare, në festivalin e filmit “Youth Film Festival” në Prishtine dhe nga Comenius EduMedia dhe Shoqëria e Pedagogjisë në Berlin të Gjermanisë. KosovaLive dhe GlobalGirl Media gjithashtu kanë fituar çmim për edukim në media nga Comenius EduMedia. Në ngjarjen Kosova on the World Stage, unë jam shpërblyer me nderin e New York-ut për kontribut në barazi gjinore, edukim dhe projekte artistike, që ndërlidhen me punën dhe arritjet e byrosë së vajzave. Më shumë se gjysma e anëtareve të byrosë se vajzave vetëm se janë punësuar në media të shkruara, në radio, apo në OJQ dhe biznese të ndryshme. Disa janë punësuar ne byro dhe vazhdojnë angazhimin e tyre për fuqizimin e gjeneratave te reja. Disa nga vajzat ofrojnë kurse të gjuhës shqipe për punonjësit e huaj në Kosovë. Në ndërkohë, disa nga anëtaret kanë krijuar iniciativa dhe festivale për mbrojtjen e ambientit. Gjysma e tjetër janë duke vazhduar studimet universitare apo master në Kosovë dhe Evropë. Mund të themi se shumica dërmuese janë të angazhuara në shoqëri në mënyrë proaktive, qoftë vullnetarisht, qoftë akademikisht apo ekonomikisht. Angazhimi dhe dedikimi i tyre ka bërë që byroja jonë, si anëtare e GlobalGirl Media and Netëork, të jetë ndër byrotë më të suksesshme, për nga numri i artikujve, videove, çmimeve dhe numrit të vajzave të punësuara si rezultat i angazhimit në projekt.

Cilat janë ambiciet e këtij projekti për të ardhmen?

Byroja e vajzave në kuadër të KosovaLive shpreson dhe synon që të vazhdojë kontributin e saj në forcimin e barazisë gjinore në shoqëri, inkuadrimin e zërit të vajzave në diskursin publik, ofrimin e mundësive për rritjen e shkathtësive për vajzat në nevojë dhe angazhim e tyre në punë. Byroja planifikon të vazhdojë angazhimin e vajzave anëtare për rritjen e aktivitetit të saj nëpër Kosovë dhe për rritjen e ndikimit pozitiv në rajonet më me nevojë për promovimin e barazisë gjinore në vend.

Njomza Berisha

Njomza Berisha, 19 vjeçare dhe është studente në vitin e parë në Fakultetin Filozofik në UP, departamenti Shkenca Politike. Ndërsa përpos fakultetit, aktualisht merret edhe me gazetari, bën punë vullnetare në organizatën joqeveritare “Peer Educators Network” (PEN) në kuadër të projektit “Youth Multiplier”, ku punon në  gjithëpërfshirjen e fëmijëve të riatdhesuar, me nevoja të vecanta, komuniteteve etj, ndërsa tani është në projektin e KosovaLive “Echo-Girls storytellers” . është pjesë e projektit “Vajzë Dëgjohu” që në shkollë mesme, kur u përzgjodh për pjesëmarrje në trajnim dhe pas trajnim intensiv u përzgjodh të vijonte punën praktike 5 mujore në KosovaLive. “Nga ky projekt përfitova shumë, gjithnjë kam pasur dëshirë që të bëhem gazetare dhe si e re që isha, praktika më mësoi hapat e parë në profesionin tim. Nga byroja hyra në rrjedha dhe të angazhohem në shumë projekte të tjera si te KosovaLive, po ashtu edhe në organizata të tjera, të njihja njerëz të rinj. Gjithashtu pata mundësi të  shkruaja për gjëra që janë shumë problematike në shoqëri, nga tema të ndryshme sociale. Pata mundësi që të ngre zërin për njerëz që kishin nevojë të dëgjoheshim dhe t’ua hapja sytë të tjerëve për problemet që në ballafaqohemi çdo ditë, si vajza/gra, si të rinj/reja. Mbi të gjitha, përfitova një kohë shumë të mirë, me shumë sfida, por që me përsosen në profesionin tim.”- shprehet Njomza.  Ndërsa jep mesazhe për bashkëmoshatarët e saj që me punë dhe përkushtim të arrijnë në jetë.

“Për moshataret e mia por edhe për këdo tjetër, dua tu them se duhet punuar për diçka që ne dëshirojmë ta arrijmë në jetën tonë. Me punë dhe përkushtim arrihet gjithçka, mos e lëni asnjë mundësi tu ikë, provoni çdo mundësi qe ju ofrohet dhe mos u dorëzoni asnjëherë që një dite t’i arrini qëllimet e juaja.”

Besarta Breznica

Besarta Breznica, 21 vjeçe, nga Lipjani studion Media dhe Komunikim në UBT gjithashtu edhe sociologji në Universitetin Publik, në vitin e dytë. Duke aplikuar online u bë pjesë e projektit “Vajzë dëgjohu”, pasi  lexoi për projektin, qëllimet e tij dhe përgjegjësitë që do t’i kishin si pjesë e projektit. “Në këtë projekt jam njohur me shumë njerëz, të cilët do të më duhen si burime për të ardhmen time në gazetari, jam mësuar të montoj një storie, që më ndihmon të jem një gazetare e pavarur duke e bërë vet tekstin, kamerën dhe montazhën, kam mësuar se si është të kesh një familje të dytë. Sepse me të gjithë njerëzit aty jam si në shtëpinë dhe me familjen time, dhe jemi paguar edhe për shkrimet dhe videot që i kemi bërë”- thotë Besarta. Sipas saj moshataret e saj u thotë që të angazhohen më në shumë trajnime, seminare dhe punëtori dhe të mos merren vetëm me studime pasi që trajnimet, seminaret dhe punëtoritë ndonjëherë të mësojnë shumë më shumë se sa studimet. Duke bërë punë praktike njihen me punën që në të vërtetë duhej bërë, sepse gazetaria dallon nga ajo që mësohet dhe ajo që bëhet në praktikë. “KosovaLive na ka dhënë mundësinë të angazhohem në projekte si “1st time voters” ku kemi qenë në komuna të ndryshme dhe kemi mbajtur trajnime për të gjithë këta që kane votuar për herë të parë pastaj edhe kemi diskutuar problemet e qyteteve dhe kemi shkruar një raport ku janë paraqitur problemet dhe premtimet e kryetarëve për secilën komunë. Kjo ka qenë një përvojë shumë e mirë.”- thotë Besarta.

admin

Artikujt e tjetrë