Intervista

Politikbërja ka nevojë për qasje ekologjike njerëzore

Agim Mazreku, në vitin 2016 u diplomua në United World College of the Adriatic, Itali, për të vazhduar më tej në Kolegjin e Atlantikut (College of the Atlantic) ku dhe ndjek studimet si studiues i programit Davis. Një program akademik, i cili është i përqendruar rreth politikave të klimës dhe energjisë, me shumë projekte të energjisë së ripërtërishme. Ndërsa aktualisht edhe punon në qendrën për energji të komunitetit në shtetin e Maine, si dhe ndjek çështje që lidhen me transferimin e teknologjisë për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike në vendet në zhvillim, si dhe punën e organeve plotësuese të Mekanizmit të Teknologjisë për klimë.

Pse vendosët t’i përkushtoheni ambientit, energjisë?

Për dikë që është rritë në Prizren është nevojë që të paktën një fundjavë t’ia përkushtoi maleve të Sharrit. Në shkollat fillore të Prizrenit, një ditë të vitit shkollat do të organizoheshin për një udhëtim në malet e Sharrit, më nxënës e mësues. Më kujtohet që për ne ky udhëtim simbolizonte një ditë të veçantë me shoqëri në një ambient tjetër. Shumicën e kohës, fakti që ne ishim në natyrë nuk çonte peshë të madhe. Në fakt, deri vonë, edukatorët tanë nuk brengoseshin në veçanti për sasinë e plastikës e letrave që linim pas. Mbaj mend që viteve që kalonin pas 2008-shit, një prej edukatorëve tona në udhëtime të tilla na kujtonte se toka që po e vizitojmë është shtëpi e jona. “A bëhet kështu në shtëpi?”- ndjej të jetë fraza më e përdorur në shkolla kur mësohet për mbrojtjen e ambientit.
Gjatë adoleshencës filluam me shoqëri të organizonim udhëtime në malet e Sharrit me qëllim njohjen e maleve si dhe eksplorimin e mënyrave jo tradicionale të udhëtimit në natyrë. Në fakt, pas leximit të një artikulli në internet për deri sa mundohesha të mësoja gjuhën angleze, provuam të organizojmë udhëtime me moton ‘Leave No Trace’ (Mos lë gjurmë). Për shumicën është e pakuptueshme se si mund të udhëtosh apo të bësh kamping pa lënë gjurmë. Si mund të shkohet në piknik e të mos ndizet zjarri për të djegur mbeturinat e krijuara?
Vetëm pas udhëtimeve në malet e Sharrit, fillova të sjell nëpër mend se pse duhet të jetë gjithmonë për njeriun në natyrë? A nuk i jepet sovranitet natyrës (florës e faunës) përmes një parku nacional? Pse duhet të krahasojmë natyrën me shtëpinë tonë? Pse gjithçka duhet të jetë e fokusuar tek njeriu, për njeriun?
Gjatë viteve në Kosovë për deri sa sodisja nëpër pyetje e libra si ‘Silent Spring’ apo komente të John Muir, fillova të personifikoj natyrën vetëm sa për të i dhënë mbiemra si tolerante, e fortë, e pavarur, e bukur, hyjnore, e vetmja, dhe mbi të gjitha. Mirëpritëse e që të respekton prandaj meriton respekt të ndërsjellët. Tek e fundit, a nuk është respekti kur jemi në konak, diçka që ne shqiptarët pretendojmë të e ndjekim vazhdimisht?  Pas ca kohësh, vendosa që për atë ndjenjë të mirë shpirtërore që malet e Sharrit edhe vetëm kur i shikoja nga dritarja, është e drejtë që të gjithë kohën time të e përkushtojë në studimin e politikave reduktojnë ndikimin negativ të njeriut në natyrë, politika që sigurojnë ambientit të drejta.  Sa i përket energjisë, i përkushtohem studimit të energjisë pasi që qëndron si një ndër instrumenteve kryesore për të reduktuar dhe për të u adaptuar ndaj ndryshimeve klimatike. Besoj jam idealist të mendoj që teknologji e caktuar mund të mësoj njeriun se si të jetohet në harmoni me ambientin.

Sipas jush sa i kushtojmë rëndësi ambientit që na rrethon?

Është interesante se si kur jam në diskutim me ambientalist ballkanas, ka raste kur lëvdatë i jepet politikave të caktuara perëndimore sa i përket përkushtimit për ambientin. Në fakt, është përendemi, lindja e largët, e shtetet e zhvilluara arsyeja kryesore se pse jemi në këtë gjendje krize klimatike. Sipas meje, rëndësi ambientit i përkushtojnë më shumë fise apo grupe shoqërore që veprojnë e jetojnë në një ekonomi rrethore. Vetëm atëherë kur nuk e ke, kupton vlerën e diçkaje. Për arsye se jemi në një ekonomi të hapur, flasim për ajrin e ndotur vetëm atëherë kur arrihet vlerë 5 kategori jashtë normales. I kushtojmë rëndësi ambientit, kur ambienti mbushet e nuk tregon mëshirë.

Cilat mund të jenë, sipas mendimit tuaj, tre shprehi apo masa kryesore që duhet të ndërmerren për t’u bërë qytetar ekologjikisht më të vëmendshëm dhe të përgjegjshëm?

Për të qenë një qytetar ekologjikisht i vetëdijshëm, e sidomos në Kosovë, duhet të mos praktikohet një shtresë personaliteti vet-mbrojtës. Është i çuditshëm dhe i pazakontë fakti që tek ne secili mendon që e “ka mirë”. Debati në përgjithësi shihet si një luftë e vrazhdë opinionesh e po qoftë se ka të bëjë me gjini të ndryshme ndizet edhe shtresa seksiste e personalitet të ballkanasit të rëndom mashkull. Pastaj, po të ketë debat mes moshave të ndryshme, është faktor shtesë për ndezjen e një personaliteti kundërveprues e jo të hapur.
Personalitet i tillë nuk lejon qytetarin të kuptojë që secili problem ambiental është për arsyeje të mënyrës së jetesës që zgjidhet. Po të kuptohet kjo, atëherë kuptohet që edhe zgjidhja e problemeve ambientale fillojnë nga qytetari vet.

Informimi rreth ruajtjes dhe mbrojtjes së ambientit mendoni se mbetet një nga pikat më të dobëta në sistemin tonë?

Besoj që informimi rreth ruajtjes dhe mbrojtjes së ambientit deri në një masë është instinkt i lindur tek ne. Mirëpo, injorimi i faktit që mos-lejojmë i reformave kohore të sistemit tonë politik e ekonomik është pengesa dhe pika më e dobët e sistemit tonë. Ky sistem i ynë është produkt i secilit, e lakmia bashkë me egoizmin dhe keq-interpretimin i lirisë janë karakteristikat kryesore të sistemit. Asnjë prej këtyre karakteristikave nuk ndihmon në arritjen e qëllimeve që përmenda më lartë.

 Së fundi, cilat janë synimet apo projektet tuaja për të ardhmen?

Synimet për të ardhmen janë vazhdimi i një studimi rigoroz ndaj mënyrave për të integruar mentalitetin ekologjik njerëzor në politik bërje e politikave ndërkombëtare për klimë. Është me rëndësi të jesh ambicioz sidomos në këtë lëmi, mirëpo deri tani puna më është shpërblyer edhe me plane spontane. Qëllimi është i njëjtë, rrugët janë të shumta.

 

 

admin

Artikujt e tjetrë