Opinion

Transformimi personal

Ku qëndron esenca në transformime personale? A është shtytje në kërkim të lumturisë? Nga shumë kërkime shkencore është vërtetuar se lumturia është gjendje e mendjes (“state of mind”) dhe kush “masterizon” këtë gjendje, gjen lumturinë.  

Nga Arjeta Spahiu

 Gjithandej flitet për transformime: transformim të qeverisë, të ekonomisë, të politikës globale, por edhe transformime të jetës, shëndetit, lidhjeve familjare, shoqërore si dhe ato me partner. Shpesh në lidhje të ndryshme, dëgjohet të thuhet: “Ke ndryshuar, nuk je personi që ke qenë më parë!!!”.  EDHE?!!! Sikurse kjo të ishte negative. Në fakt, është ri-definim i asaj që ke qenë, ku me anë metamorfozës personale shndërrohesh prej krimbit në flutur, me krah të hapur potencialisht. Pra nëse të thotë dikush se ke ndryshuar (edhe nëse është me ton jo aprovues dhe gjykues!) konsideroje si diçka pozitive, se ndryshimet ndodhin pikërisht kur ti e ndjen se është koha. Secili ka periudha jetësore ku transformon veten në aspektin profesional e akademik, transformon lidhjet, biznesin si dhe qasjen ndaj jetës apo vdekjes. Gjithashtu ndërron edhe qasja ndaj lumturisë, meqë nëse të kaluarën të ka bërë diçka të lumtur, nuk do të thotë se po ajo diçka të bën të lumtur tani. Është krejt normale sepse prioritetet të kanë ndryshuar, TI ke evoluar, zhvilluar e ri-definuar.

Transformimet zakonisht ndodhin në 6 sfera: transformime bindjesh/vlerash, emocionale, fizike, shpirtërore, materiale, dhe transformime të raporteve.

Transformim bindjesh – Ndryshimi ndodhë së pari në mendime, bindje e vlera. Ke një moment në jetë që e ndjenë se nëse nuk ndryshon, nuk i përgjigjesh thirrjes sate jetësore. Ky moment nxitet ndoshta nga një libër që ke lexuar, film që ke përcjellë, takim me dikë – domethënë mund të jetë çdo gjë që konsiderohet si pika e fundit në kosheren e potencialit tënd, që pret të lirohet. Këtij transformimi, plotësisht i përshtatet thënia: Mendja jote është instrumenti yt. Mësohu të bëhesh i zoti i saj dhe jo skllav i saj – pra mos u bëj skllav i bindjeve pasi që ato janë fluide dhe ndryshohen varësisht prej rrethanave jetësore.

Transformim emocional është ndryshimi që rritë vetëdijen lidhur me efektin që ke tek të tjerët, çfarë emocione të shfaqen ty në momente të caktuara, nivelin e empatisë si dhe momentet që të bëjnë të humbësh kontrollin emocional. Transformimi emocional ndodh ose me vetë-mësim, ku si autodidakt mëson të rrisësh nivelin e ndërgjegjësimit, apo me anë trajnimesh ku ekskluzivisht pikësynim është rritja e inteligjencës tënde emocionale.

Transformim fizik – Gjatë punës tënde profesionale e akademike si dhe angazhimeve familjare e shoqërore ndodhë që nuk i kushton kujdes shëndetit fizik. Vjen momenti i caktuar kur e sheh qartë se ke nevojë për ndryshim të stilit të jetës, që ka ndikim në përmirësimin e shëndetit, qoftë kjo për shëndet fizik apo për estetikë fizike, e që shpesh herë simbolizon nevojën për ndryshime në sfera tjera jetësore.

Transformim shpirtëror – Ky transformim transcendental ka të bëj me lidhjen e vetëdijes tënde me “shpirtin” tënd apo “higher-self” siç njihet ndryshe. Kjo arrihet në çfarëdo forme spirituale qoftë me anë të lutjeve religjioze apo me anë të meditimit në të cilën eksploron se cili është qëllimi yt në këtë botë. Pavarësisht nëse je një person i pjekur, apo je një adoleshent që se ke idenë se çka do të bësh në jetë, meditimi apo ngritja e qenies tënde nga  e përditshmja konsumuese, të bën të mendosh për pyetjet kruciale në jetë – pyetje këto që do të ri-definohen gjer në vitet e arta të pleqërisë.

Transformim material ka të bëj lidhur me qasjen tënde sa i përket anës materiale, qoftë parasë apo nevojës për të blerë. Kjo ka të bëj më shumë me menaxhimin efektiv të financave tua, transformim sa i përket blerjeve të pakontrolluara apo mbledhjes së veshjeve apo gjësendeve tjera që nuk të duhen. Transformimi është lidhur me qasjen se çka paraqet blerja për ty. A është zëvendësim i ndonjë nevoje tjetër? A mund të jetë nevojë e parealizuar për lidhje emocionale me dikë ku kënaqësi momentale është blerja? Transformimi material si dhe transformimet tjera kanë të bëjnë më eksplorimin e “pse-së” mbrapa veprimeve.  Kjo është ngushtë e lidhur me transformimin e bindjeve pasi që çdo gjë fillon aty, pra transformo bindjen se ke aq sa të duhet që të plotëson nevojën të jesh i/e lumtur. Posedimi i gjërave materiale, të cilat nuk të hyjnë në punë, është grumbull që okupojnë hapësirë në shtëpinë apo banesën tënde dhe kur vendos t’i falësh, ajo hapësirë mund të jetë tempull i diçkaje që do ta shfrytëzosh p.sh. hapësire për leximi, ushtrimi apo thjeshtë kënd meditimi.

Transformim raportesh/lidhjesh – Transformimi ndodh në mes çfarëdo raporti me të tjerë qoftë partner, familjar, miq real apo edhe virtual. Edhe në qoftë se ke pasur raporte relativisht të mira me dikë, por ti apo tjetri/tjetra është transformuar në masë të mos-përputhjes së mëtejme, ai raport do të të duket humbje kohe. Sidomos kjo vërehet edhe më shumë tek mediat sociale kur dalin egocentrikët në pah, duke nxitur në mënyrë indirekte të “shkepësh llajka” sepse në të kundërtën hidhërohen. Personat e tillë njiheni si “vrima të zeza” që shpenzojnë energjinë e tjetrit duke mos dhënë ndonjë vlerë për ty. Opero veten nga këta persona, sepse në një gjë duhesh të jesh vetjak: kujt ja falë kohën dhe energjinë tënde – koha nuk kthehet, ndërsa energjia sado që përtërihet, është e shpenzuar kot.

Ku qëndron esenca në transformime personale? A është shtytje në kërkim të lumturisë? Nga shumë kërkime shkencore është vërtetuar se lumturia është gjendje e mendjes (“state of mind”) dhe kush “masterizon” këtë gjendje, gjen lumturinë.

Sidoqoftë, thënia më poshtë vlen për çdo kënd:

“Unë jam……, gjithmonë kam qenë……, dhe ende kam kohë të jem……”! Çka do të shkruash në vend të atyre pikave, ri-definimi  yt do ta diktojë.

admin

Artikujt e tjetrë