Lifestyle

Kur muzat i takojmë në thurje

Sapo ka nisur rrugëtimin e vet një iniciativë e bukur nën emrin PurpleMuse, Mimoza Cana ndërmarrëse e kësaj kompanie, në një intervistë për Flatrën, na tregon më shumë. Dashuri, pasion dhe vullnet për ta bërë këtë brend kosovar të njohur dhe të suksesshëm jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë.

 

 Foto: Korab Kusari

   

Si lindi PurpleMuse dhe pse ky emër, në cilin qytet është i vendosur?

PurpleMuse lindi si koncept pothuajse dy vite më parë, ishte ideja e përbashkët e motrave Cana që deshëm të prodhonim një markë kosovare, e cila do të ishte e gatshme edhe për tregun botëror. Për më tepër, PurpleMuse nënkupton më shumë se kaq, pasi ndërthurë punën e jashtëzakonshme të  artizanëve lokalë me fuqizimin e gruas përmes punësimit direkt. Krejt kjo nuk do të ishte e mundur pa pasionin, dashurinë dhe përkushtimin që i kemi dhënë kësaj marke te re, qysh nga momenti kur ishte vetëm një bisedë mes motrash. Ne jemi shumë krenare që arritëm të sjellim në treg veshje punëdore me dizajne autentike që janë vazhdimësi e trendeve më të fundit botërore, dhe që po krijojmë një komunitet të “muzave/ femrave që inspirojnë njëra-tjetrën”. PurpleMuse ishte emër një që e zgjodhëm pasi që është lehtë për tu mbajtur në mend dhe ngërthen dy karakteristikat kryesore të biznesit tonë. PurpleMuse operon në Gjakovë me një punëtori ku krijohen produktet, ndërsa shitjet bëhen online përmes www.purplemuse.eu në gjithë botën. Së fundi, ne kemi arritur të bashkëpunojmë me një biznes zingjiror të prodhime punëdore në Europë, ku si rezultat prodhimet tona janë të gatshme për shitje edhe në dyqanin Home on Earth, Antwerp, BE.

Duket se ndërthuret nga njëra anë moda, nga ana tjetër, artizanati, por cilat ishin vështirësitë tuaja të para për t’i dhënë jetë këtij projekti?

Fatkeqësisht në treg nuk ekziston një manual që të përshkruan rrugën e saktë drejt biznesit të suksesshëm, por edhe po të kishte të tillë, rrugëtimi dhe sfidat e secilit biznes janë të ndryshme, prandaj edhe PurpleMuse ka pasur sfida e veta gjatë krijimit. Si biznes i parë i këtij lloji në Kosovë, ne fillimisht kemi marrë “rrezikun” për të prodhuar diçka të re në tregun tonë dhe kjo ka qenë sfida më e madhe që kemi pasur ka qenë si do të priten produktet tona,  pasi që kemi shpalosë një koncept të ri dhe ndryshe me atë çfarë është e disponueshme në treg deri më tash. Poashtu, sfiduese në fillim ka qenë sigurimi i lëndës së parë, sepse ne kemi kërkuar produkte me komponente shumë cilësore që fatkeqësisht vendi ynë nuk i ofron. Një ndër vështirësitë tona tjera ka qenë krijimi i stoqeve për arsye të kapacitetit të limituar për shkak të prodhimit punë dore. Mirëpo këto ‘barriera’ asnjëherë nuk na kanë demotivuar, për më tepër ne jemi shumë të lumtura që si gra të reja ndërmarrëse, ne i kemi tejkaluar këto probleme me ndihmën e shumë organizatave, partnerëve dhe individëve që na kanë ndihmuar përgjatë procesit dhe për të cilët jemi shumë të lumtur që i kemi pjesë e ‘familjes’ tonë.

Si do ta përkufizonit ju Purplemuse?

PurpleMuse është një markë (brand) i kreacioneve që janë kombinim i modernes dhe klasikes, të punuara me shumë dashuri nga gratë kosovare për tregun ndërkombëtar. Është një kompani që ka për qëllim promovimin e vlerave artizanale vendase ndërkombëtarisht, duke ofruar kreacione cilësore me dizajne unike punëdore që i rezistojnë kohës. PurpleMuse nuk reprezenton vetëm rroba, por përkrah gratë amvise të vendit tonë të cilat janë prekur nga lufta e fundit në Kosovë. E krejt në fund, PurpleMuse është  një mekanizëm i rëndësishëm që do të bashkojë shumë njerëz nga e gjithë bota duke shërbyer si brend i fuqizimit të gruas.

Një element tejet i rëndesishem që të tërheq vëmendjen është pikërisht bashkëpunimi me gra, të cilat jo vetëm që ishin të papuna, por i rikthyet fuqishëm në tregun e punës, cfarë do të thotë për to dhe për shoqërinë në përgjithësi?

Të gjitha motrat kemi qenë mjaft aktive në organizata apo iniciativa të ndryshme sociale. Fakt ky, që ka ndikuar që krahas biznesit të integrojmë komponentën sociale të fuqizimit të grave të tjera. Ndaj edhe bisedat e para për PurpleMuse kanë rrjedhur në idenë se si mund t’i përfshinim edhe gratë kosovare në biznesin tonë. Kriteret me të cilat janë rekrutuar gratë kanë qenë që të jenë të papuna, të mos kenë shkollim akademik e të duan punën e thurjes. Kjo sepse, shoqëria jonë ka krijuar një treg të vrazhdë të punës, ku vetëm ata persona që kanë kryer universitet, kanë bërë përvoja relevante dhe zotërojnë njohuri bazike për teknologjinë, mund të punësohen. E ky realitet, lë anash çdo grua të moshës së mesme, e cila ka përjetuar transicionin e luftës, e është mbetë pre e modernizimit tejet të shpejtë. Sot, PurpleMuse ka të punësuara gjashtë (6) gra artizane, shumë të talentuara, të cilat punojnë çdo ditë produkte të ndryshme të koleksionit PurpleMuse duke gëzuar gra(konsumatore) nga e gjithë bota. Një punësim i tillë, në këtë periudhë të jetës, për ato ka qenë një shans i dytë, ndërsa për ne, një kënaqësi e pamasë që na ka bërë ta duam edhe një herë më shumë misionin e PurpleMuse.

Cilat janë ambiciet tuaja në të ardhmen sa i përket Purplemuse?

PurpleMuse synon që në të ardhmen të jetë i pranishëm në tregjet botërore për klientë të të gjitha moshave dhe gjinive. Për më tepër ne duam të kontribuojmë në familjarizimin e konsumatorëve fillimisht me brendin dhe pastaj në ndërtimin e besueshmërisë ndaj produkteve kosovare që mund të jenë të konkurueshme jo vetëm për tregun kosovar por edhe për atë botëror. Krijimi i një identiteti të tillë, do të jetë sjellë produkte të nevojshme, moderne dhe gjithashtu të dinjitetshme që do të jenë të gatshme për shfrytëzim. Në periudhën afatgjatë, me rritjen e klientëve dhe kërkesave, Purple Muse do të rrisë edhe llojllojshmërinë e modeleve, sasinë e prodhimit dhe rritjen e të punësuarave.

admin

Artikujt e tjetrë