Intervista

Gresa Latifi … betejat e reja ekonomike

Gresa Latifi vetëm pak kohë më parë fitoi çmimin evropian për mobilitet shkencor “Eu–SPRI Circulation Award”,  një shembull ideal për tu ndjekur nga gjeneratat e reja në vendin tonë. Ligjëruese e lëndës Business and Industrial Economics si dhe kandidate për doktoraturë në Universitetin Politecnico di Milano (PoliMi) në Itali, hulumtimi i përket fushës së Ekonomisë, respektivisht financimit të ndërmarrjeve të reja. Gresa vjen në Flatra në një rrëfim për jetën, studimet e saj si dhe raportin grua –shkencë.

Intervistoi: Jonida Balla

 

Pse zgjodhët të studionit Fakultetin Politikenik?

Kisha dëshirë të zjarrtë ta vazhdoj me studimin e bizneseve inovative në nivel shteti dhe rolin e tyre në ekonomitë kombëtare. E intriguar nga shembuj si Facebook, Amazon, Yahoo! Etj., dhe ndikimin që këto kompani kanë pasur në ekonominë e Shteteve të Bashkuara, isha kureshtare të eksploroj më thellë mënyrën se si këto kompani të industrisë së ashtuquajtur “high-tech”  dalin nësipërfaqe. Më interesonte fakti se si ato financohen, çka e bën më të lehtë qasjen e tyre në fonde, të cilat pastaj përcaktojnë suksesin e tyre në të ardhmen. Me të parë një mundësi të tillë në Dipartamento di Ingineria Gestionale në PoliMi (Departamenti i Menaxhmentit dhe Ekonomiksit) dhe me të kuptuar se sa i ranguar është ky universiteti, gjithashtu kush do të jetë supervizori im, unë vendosa t’i bashkohem këtij universiteti, rrethanë kjo që mi ka hapur dyert gjithandej Evropës dhe më tutje.

Vetëm pak kohë më parë fituat një çmim evropian për mobilitet shkencor “Eu–SPRI Circulation Aëard”, si u ndjetë?

Përpjekjet mia për të qenë në shërbim të shoqërisë me analizat e fenomeneve ekonomike dhe me përpilimin e politikave sugjeruese për krijimin e infrastrukturës institucionale të përshtatshme për biznese inovative, janë  bërë me shumë pasion që nga fillimi i studimeve të doktoratës. Përkushtimi intensiv, sakrifikimi i fundjavave, jetesa larg familjes ka filluar të shpërblehet. Së fundi, fryt i punës ishte marrja e çmimit, EU-SPRI Circulation Award, i cili më ka bërë të ndihem shumë e vlerësuar pasiqë, arrita të jem e shpërblyer në një konkurrencë mjaft të madhe. Do të më shërbej si motiv për të arrirë edhe çmime të tjera besoj.

Megjithatë një shqiptare në një pozicion të tillë në një nga universitetet më me renome, nuk është se e takojmë  shpesh. Na flisni pak për vështirësitë me të cilat jeni ballafaquar në këtë rrugëtim kaq sfidues?

Ju faleminderit për vlerësimin. Në fakt, të jesh ligjërues në ndonjë universitet evropian për një shqiptare nuk është e lehtë sepse në atë rast, ti konkurron me bashkëmoshataret evropian që ke përreth. Këta të fundit në rastin tim, ishin edukuar pakrahasueshmerisht në kushte më të mira se unë. Në këtë mes duhej shume mund për të dale në sipërfaqe. Unë jam me fat që jam rritur nga dy prindër pambarimisht përkrahës të cilat mbi të gjitha kane kultivuar tek unë ndjenjën e vetëbesimit. Kjo e fundit  më ka ndihmuar të mos ndihem inferiore në mes të profesionisteve nëpër kryeqytetet evropiane pavarësisht që isha rritur në Kosovën e vogël.

Gratë dhe shkenca  duket se kanë qenë dy pole të kundërta, ose kështu paragjykohet në shumicën e rasteve, por ju personalisht si e keni parë këtë binom?

Nuk mendoj që gratë dhe shkenca duhet parë si dy pole të kundërta. Gratë kanë dhënë kontribute të rëndësishëm në shkencë që nga kohët më të hershme. Kjo është e dokumentuar nga shume historianë në vazhdimësi të cilët kanë ndriçuar përpjekjet shkencore dhe arritjet e grave,  por edhe strategjitë të cilat gratë i kanë përdorur për të bërë punën e tyre shkencore të pranueshme. Bile, dekadat e fundit, numri i grave qe kanë fituar Çmimin Nobel është rritur, psh. në vitin 2010, 11.1% e çmimeve kanë shkuar për gratë. Në fakt, jemi ne ato të cilat duhet të luftojmë që me punën tonë, të mos lejojmë që paragjykime të tilla të zënë vend.

Cili është mendimi juaj sa i përket ndikimit që mund të ketë sot teknologjia jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por veçanërisht në emancipimin e gjinisë femërore në Kosovë?

Era e teknologjisë ka prekur secilin pjesëtar të shoqërisë sonë, duke e avancuar këtë të fundit si të tërë. Në këtë mes, impakti i teknologjisë pa dyshim vërehet edhe në emancipimi i gruas qoftë tek gratë që punojnë qoftë te ato që nuk janë ende pjesë tregut të punës. Në kontekstin e Kosovës, gratë që janë aktualisht në punë përmes qasjes së lehtë në informata e në dije, po i ndihmojnë vetvetes për t’u promovuar në pozita vendimmarrëse. Në anën tjetër, gratë që nuk janë në punë pikërisht përmes teknologjisë, sot më shumë se kurrë kanë hapësirë për të ndryshuar gjendjen e tyre, duke qenë më afër rasteve të suksesit –duke ndjekur aktivitetin e njëra-tjetrës, por edhe duke kërkuar ndihme tek njëra-tjetra.

Çfarë mendoni, cila është barriera kryesore me të cilën përballen gratë lidere apo të suksesshme sot në botë?

Të ecësh përpara nuk është gjë e lehte, posaçërisht nëse je grua, sidomos kur kihet parasysh se duhet kaluar provën e paragjykimit. Përkundër progresit, botës së sotme i duhet të krijojë ende shumë modele ku gratë të mos shikohen si “zgjatime” të burrave. Psh. Në vend se të shtrojmë pyetjen se a po na krijohet hapësirë të ngjitemi në procese vendimmarrëse, do të ishte më mirë të mos biem dakord me një botë që drejtohet nga gjinia mashkullore. Këtë mund ta bëjmë duke qenë më kërkuese se sa që jemi aktualisht.

Cila do të jetë sfida më e madhe për gjeneratën e grave që do të vijë më vonë ?

Gratë që vijnë më vonë, sidomos në Kosovë, do të vazhdojnë ende të luftojnë mentalitetin patriarkal, sepse fundja e fundit ndërrimi i një mentaliteti është gjë që nuk ndodh brenda natës. E rëndësishme është që gratë duhet të mos harrojnë që janë po aq të dijshme sa meshkujt (ose edhe më shumë), po aq kreative, inovative e të guximshme. Si të tilla, duhet të duken më shumë. Po citoj një thënie të Brene Brown qe më pëlqen shumë: “Kurajo fillon të dalë në sipërfaqe, pra duke lejuar veten të bëhemi të dukshme”.

Cila është këshilla apo mesazhi për të gjithë ata që aspirojnë suksesin?

Është kaq e thjesht: qëndroni pozitiv, jeni të fokusuar dhe i rrini në krye proceseve që keni nisur!

admin

Artikujt e tjetrë