Lifestyle

Blogu..një dritare për ndryshim pozitiv

I pëlqen shumë të shkruaj, të frymëzojë dhe të ndryshojë gjërat përreth…Këto ndihen menjëherë sapo klikon në blogun e Vesa Prapashticës, është një blog ndryshe, më afër shkrimtarisë, një blog me përjetime të sinqerta.

 

 Së pari na flisni pak për veten tuaj?

Jjam një 21 vjeçare nga Prishtina, me ëndrra të mëdha për të inspiruar njerëzit kudo në botë. Studioj gjuhën dhe letërsinë angleze, ku tani jam në vitin e 4-të të studimeve. Punoj kryesisht në fushën e “content creation” si menaxhere e rrjeteve sociale dhe shkrimtare e pavarur (apo freelance writer), por gjithashtu jam mësuese e gjuhës angleze. Për më shumë se 2 vite, kam realizuar artikuj, video, reportazhe e dokumentarë me tema të ndryshme, të cilat kanë arritur të kenë ndikim tek shumë njerëz, jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. “Content creation” për mua ka një domethënie të veçantë, sepse me krijimtarinë time mund të inspiroj njerëzit të jenë versioni më i mirë i tyre dhe të jetojnë një jetë më pozitive. Pikërisht për këtë arsye kam filluar të shkruaj në blogun tim, i cili për momentin titullohet po me emrin tim – Vesa Prapashtica. Gjithashtu kam edhe platformën time në Youtube, i cili është video-blogu im. Që të dyja shërbejnë si platformat e mia personale ku shfrytëzoj të gjitha interesat e mia, siç janë editimi i videove, dizajnimi i logo-ve dhe website-it, shkrimi dhe dizajni në përgjithësi, për të bërë një ndryshim pozitiv në botë.

Pse një blog për të plasuar përvojat tuaja personale ose të dikujt tjetër?

Blogu është një mundësi shumë e mirë për të përfaqësuar krijimtarinë e dikujt. Unë nuk preferoj që mendimet apo pikëpamjet e mia t’i postoj në rrjete sociale, prandaj kam zgjedhur që ta krijoj një blog ku shkruaj rreth shumë temave, të cilat më interesojnë dhe që mendoj se mund të kenë ndikim tek audienca ime. Një gjë që e veçoj tek blogu është ndjenja e afërsisë me shkrimtarin. Kushdo që ka një blog, shkruan në mënyrë shumë personale dhe sinqertë. Kur shkruaj në blogun tim, e di që është i IMI! Nuk shkruaj sipas ndonjë standardi, nuk kam rregulla dhe nuk më kufizon askush. Nëse ti lexon blogun tim, ti lexon atë që kam shkruar unë drejtë nga unë, me transparencë të plotë. Unë shkruaj për lexuesit e mi. Videot i bëj për shikuesit e mi. Janë 100% unë.

 Në këtë epokë të internetit, si mund ta bëni diferencën me blogun tuaj?

Tani gati çdo kush ka qasje në internet, që do të thotë se ata lexojnë gjithçka e shohin video nga më të ndryshme. Shumë ngadalë, por duke arritur çdo ditë më shumë, po krijoj një audiencë timen. Ndonëse ende e vogël, audienca për mua ka rëndësi të madhe, sepse gjithçka çka krijoj shërben për të inspiruar. Ndryshimin të cilin dua që blogu im ta bëjë është të ndihmojë këdo të ndihet më mirë në lëkurën e tyre, të kenë vetëbesim, të besojnë se mund t’i arrijnë dëshirat e tyre e pse jo edhe të fillojnë të krijojnë diçka të tyren. Edhe nëse kalojnë vetëm 5 minuta në njërën nga platformat e mia, një buzëqeshje e shkurtë e tyre për mua është një arritje e madhe.

Blogun tuaj e shikoni më shumë si një dritare komunikimi me të tjerët apo diçka përtej kësaj?

Blogu im shërben si urë lidhëse mes meje dhe audiencës sime. Tani për tani, unë jam duke ndërtuar një audience në platformat e mia, me të cilat në të ardhmen mund të zhvilloj kampanja të ndryshme. Pra, pasi të krijoj një lexueshmëri dhe shikueshmëri të mjaftueshme, unë mund të filloj të bëjë kampanja apo lëvizje të cilat do të kenë për qëllim të bëjnë një ndryshim në botë. Kampanjat virtuale kohëve të fundit kanë një ndikim të madh në botë, pasi që shumë lehtë mund të kontaktosh me njerëz brenda disa sekondash. Nëse arrin të bësh që shumë njerëz të flasin për një temë të caktuar, atëherë fillon të ngrihet vetëdija e njerëzve për këtë temë. Rezultat i kësaj është që njerëzit mund të fillojnë të ndryshojnë në mënyrë pozitive. Kështu, po mundohem ta bëjë blogun tim një platformë me të cilin mund të bëjë një ndryshim.

 Në fakt shumë blogje në Kosovë mbeten në kuadër të fotografive apo modës, tek ju çfarë postimesh më shumë mbizotërojnë?

Blogu im kryesisht fokusohet në shkrimet personale të miat dhe tregimet. Pra, unë shpreh mendimet dhe pikëpamjet e mia rreth një çështje të caktuar, si dhe shkruaj tregime në gjuhën angleze të cilat janë kryesisht krijimtari artistike e imja. Planifikoj të shkruaj edhe për udhëtimet e mia dhe të kem një pjesë ku mund të publikoj letra të hapura mes meje dhe lexuesve të mi. Edhe pse moda më pëlqen jashtëzakonisht shumë, dua që blogu im të jetë ndryshe nga të tjerët, por kjo nuk do të thotë që s’do të shkruaj për modën. Çfarëdo teme që besoj se mund të inspirojë edhe vetëm një nga lexuesit e mi, me shumë kënaqësi do të shkruajë për të.

admin

Artikujt e tjetrë