Letërsi

Vargje që zbresin nga qielli

Elona Çuliq është poetja nga Shkodra, e cila vjen në Flatrën e këtij fundviti me tërë pasionin dhe veçantinë, që karakterizon shkrimet e saj.  Ajo na njofton me një botë tjetër, atë shpirtëroren, intimen dhe lë gjurmë ashtu si vargjet e saj. Se si lind një poezi, çfarë fshihet pas atyre rreshtave dhe çfarë raporti krijohet me lexuesin, poetja na shpalos nëpërmjet kësaj interviste. 

 

Foto: Lauren Bekteshi

 

Kur e keni shkruar poezinë e parë dhe për çfarë fliste?

Kjo pyetje më fton me u zhytë në kujtime të hershme të miat. Kush më njeh e din që nuk i kam punët mirë me mbamendjen, por ironia don që unë me e mbajt mend poezinë e parë, e cila flet për kujtesën, për mbamendjen. Kam qenë në gjimnaz. Ishte koha kur isha lexuesja e vetme e vetes. Atëkohë mendoja që poezia nuk duhej me u nda me askënd.

Keni një poezi me të cilën ndjeheni më e lidhur dhe cili është motivi?

Nuk është një por janë disa, pafund do të guxoja me thanë. Kryesisht janë poezi që më sillen nëpër shpirt dhe mendje kur jam pjesë e përjetimeve të forta. Këto poezi nuk mundem asnjëherë me i shkrue dhe jam e lidhur me to sak për këtë arsye, sepse mbesin në shpirt. Por kam edhe një nga ato që kam hedhë në letër, që e due dhe e them shpesh me vete, për të vetmen arsye se me ndërmend dritën.

Poezia është:

 Ti zbret nga qielli

me yjet ngjitun thembrave

shkund hapat

dhe në ikje len veç gjurmë drite.

 Na tregoni pak për eksperiencën tuaj, si poete rezidente në Prishtinë, organizuar nga Qendra Multimedia?

Një eksperiencë e vyeme, e cila më ka mbushë shpirtin. Ka qenë një qëndrim i frytshëm. Duhet theksue që të tilla rezidenca dhe eksperienca janë një mbështetje shumë e rëndësishme që i bëhet autorit, sidomos autorit të ri. Kanë qenë tre javë intensive dhanjeje e marrjeje me njerëzit dhe qytetin. Kam njohë njerëz që më janë ba miq thue se kishim një jetë që njiheshim. Jam me fat që takoj njerëz që kanë dashni dhe dojnë me e dhanë, pa u kursye. Kjo më ban të pasun. E doja shumë këtë rezidencë, kjo sepse doja me e jetue Prishtinën, jo si mysafire, për disa ditë, siç kishte ndodhë më herët, por  me e jetue si njeriu i saj, si qytetari i saj. Dhe jam falënderuese që pata mundësi me e jetue qytetin pa lum, me u zgjue në mëngjes me pi kafen turke, mandej me dalë me ba pazarin te Tregu i Gjelbër,  mandej me iu gëzue ecjes përgjatë sheshit, për me shkue te caku i përditshëm. Gjeta qetësi, frymëzim, energjinë për me punue për librin e dytë që është në udhë dhe për me fillue një projekt të ri, për të cilin do të punoj më shumë në rezidencën e ardhshme në Vjenë.

Dy elemente kryesore që karakterizojnë poezinë tuaj, rrënja dhe drita, si vijnë ato te ju dhe çfarë doni të përçoni te lexuesi?

Si vjen rranja dhe drita? Ata nuk vijnë, unë jam ata. Rrugëtimi i tyre në poezinë time është drejtë unifikimit, drejt zhbamjes. Nëse do të vendosja nga një sinonim përkundruall kuptimësisë së secilës fjalë; përkundruell rranjë do të ishte identitet, e përkundruell dritë do të ishte unifikimi. Kur flas për identitet, i referohem atij social, kulturor e politik që ka njeriu në shoqëri, që unë e luftoj në poezinë time. Mundohem që të luftoj identitetet e vdekshme, identitetet që të mbajnë të mbërthyem në gracka, që të rrijnë ngushtë e jo pak herë të mbysin. Këto janë rranjët që unë luftoj të zhgul, rranjët që luftoj t’i zhbëj në dritë. A asht e lehtë? E kush tha se gjërat duhet me qenë të lehta!?

Çfarë funksioni ka poezia para mizorisë së botës?

Kjo nuk është një pyetje aspak e lehtë. Sak në të tilla pyetje ma kande me e teprue, me delirue. Së pari dhe së fundmi kisha dashtë me delirue e me thanë që kjo botë nuk ka asgja mizore. Mendoj që poezia është udha që të dlirë nga tepricat e vetes, të pastron, të kthen në fëmijë, të ban me i thanë gjanat si i sheh dhe ndjen, pa doreza, pa i zbukurue, pa e ba ma pak të dhimbshëm realitetin, pa i vue lule vuejtjes të të jetuemit në një vend ku çdo ditë shohim format ma të dhunshme të shfigurimit të njerëzores. Shkurt poezia duke na ba fëmijë, na ban absolutisht ma të fortë, ma luftarakë, ma qendrestar në këtë realitet. E kush ma mirë se një fëmijë mund ta ekuilibrojë këtë botë të çakurdisur? Kjo është sfida, kjo është lufta. Me u zhba për me luftue, me u zhba për me ndërtue.

 

Na flisni pak për librin tuaj të ardhshëm, çfarë do të përmbajë apo si do të vijë ai te lexuesi?

Po ju them një të fshehtë krejt të dlirë, mezi po e pres edhe unë me e pasë në dorë këtë libër. Libri ka me ardhë me pranverën, në Mars dhe do të përmbajnë poezi, poezi dhe vetëm poezi.  Ndryshe nga libri i parë “Patitullni”, i botuem në Austri, vitin 2015, ky libër në brendì do të ketë edhe një histori vizatimesh. Lexuesi këtë herë do të rrëmojë në shtigjet e fjalës sime dhe vizatimeve të të talentuemes Vlora Berisha nga Kosova. Ky botim del me mbështetjen e çmueme të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Fondi i Mbështetjes për Autorët e Rinj.

admin

Artikujt e tjetrë