Intervista

Dashuri përtej tabuve

“Martesa” u kthye në Kosovë me dy çmime nga festivali ndërkombëtar “Tallinn Black Nights Film Festival” e meritat shkojnë tërësisht për një regjisore shumë të talentuar që ka vendi ynë, Blerta Zeqirin, por edhe çdo bashkëpunëtori të saj në këtë film, gjithashtu falë një kaste aktorësh të mrekullueshëm që portretizuan një Romeo dhe Zhulietë të ditëve tona…. dashurinë mes gjinisë së njëjtë.

 

 Si ndjeheni pas kritikave pozitive që morët nga PÖFF / Tallinn Black Nights Film Festival?

Kritikat e shkruara në media më kanë gëzuar shumë, por mbi të gjitha më kanë gëzuar komentet e shikuesve. Në dy shfaqjet që i kemi pasur në Tallin, komenti që është përsëritur ka qenë se te ky film kanë parë një dramë dashurie dhe se nuk e shohin si film me dramë dashurie të zhanrit LGBT. Kjo më gëzon, sepse edhe qëllimi im ka qenë që të pasqyroj një dashuri njerëzore, dashuri çfarë e kemi përjetuar të gjithë nga një apo më shumë herë në jetë dhe me të cilën mund të identifikohemi. Komenti më i mirë ka qenë nga një shikuese, e cila me sy të përlotu mu afrua pas shfaqjes dhe më tha se ajo ishte hidhëruar me babanë sepse i kishte lënë atë, motrën dhe nënën e saj për të bërë jetën e tij me një burrë. Tha asnjëherë nuk ia kam falur as nuk e kam kuptuar babanë tim. Sot, filmi më bëri ta kuptoj vendimin e tij. Fakti se filmi ka arritu të prekë thellë një shpirt dhe ta bëj atë të shoh edhe një perspektiv tjetër, mua më lumturon pa masë. Jam jashtëzakonisht e lumtur, sepse në këtë projekt jemi duke punuar qe një kohë shumë të gjatë. Një pjesë e ekipit ka qenë e përfshirë në këtë projekt që nga viti 2012. Fakti që premiera botërore u dha në një festival të kategorisë A dhe përveç kësaj filmi triumfoi duke marrë dy çmime shumë të rëndësishme, atë të Kritikës (Fipresci) dhe çmimin Special të Jurisë për Kastën e Aktorëve, më bën të ndjehem e përmbushur.

 “Martesa” është pasqyrimi i realitetit të shoqërisë sonë ndërsa nga ana tjetër një apel kundër homofobisë, por pse zgjodhët pikërisht këtë temë delikate, jo vetëm në Kosovë, por edhe në botë?

Besoj se dashuria është ndjenja më e bukur dhe më e fuqishme që e kanë qeniet njerëzore. Kur dashurojmë, bota na duket më e bukur; kur dashurojmë, bëhemi njerëz më të mirë. Besoj fuqishëm se dashuria nuk duhet ndaluar në asnjë mënyrë, sidomos jo në emër të disa normave të sajuara shoqërore. Unë kam dashur të rrëfej një histori dashurie të pamundur në ditët e sotme në Kosovë. Kam pyetur veten se kush janë Romeo e Zhulieta në shoqërinë tonë, dhe për mua ka qenë më se e qartë që sot fatkeqësisht ata janë dashuritë në mes gjinisë së njëjtë.

  Na tregoni pak “prapaskenën” e përzgjedhjes së kastës të aktorëve, ndërtimin e personazheve të tyre, ishte një sfidë për ju?

Me Adriana Matoshin kam punuar edhe në projekte tjera të kaluara dhe ajo ka arritur gjithmonë të më mahnitë me natyralitetin e saj. Alban Ukaj është aktor jashtëzakonisht i mirë, i dëshmuar, gjithmonë i guximshëm dhe i gatshëm për sfida të reja, punën e të cilit e kam përcjellë gjithmonë me admirim. Genc Salihun në anën tjetër e kam përcjellë vazhdimisht në paraqitjet e tij skenike qofshin ato koncerte apo paraqitje në emisione televizive dhe kam vërejtur se përveç aftësive si këngëtar dhe performues, ai mundet edhe të aktrojë. Jam shumë e lumtur që ka pranuar të bëhet pjesë e projektit dhe mendoj se kam pasur fat që të tre aktorët kryesor janë në radhë të parë artistë shumë të guximshëm dhe të pasionuar në punë. Tre aktorët kryesorë kanë qenë pjesë e projektit nga viti 2012/2013 dhe bashkë me ta i kemi ndërtuar karakteret tash e sa vite. Pas çdo drafti të skenarit, ne jemi mbledhur dhe kemi bërë punëtori intenzive disaditore, ku kemi lexuar skenarin, aktorët kanë improvizuar në situata të ndryshme të cilat unë e Keka i kemi filmuar dhe pastaj kemi marrë elemente nga këto improvizime për të futur në versionin e ri të skenarit. Karakteret i kemi ndërtuar bashkë me aktorët qysh në shkrimin e skenarit. Unë kam mësuar shumë nga ky lloj bashkëpunimi që kemi pasur dhe thënë të drejtën, tash ndjehem pakëz e mërzitur që puna jonë së bashku ka mbaruar, të paktën sa i përket këtij projekti.

 Ajo çfarë do të doja të flisnim pak është edhe kolona zanore e filmit, një ndërthurje e zërave të vjetër dhe të rinj….?

Në filmin “Martesa” për herë të parë në jetë kam futur muzikë në film. Ne e kemi një pjesë bukur të madhe të filmit që ndodhë  gjatë dasmës dhe kam pasur fatin që muzikën popullore, e cila është pjesë e filmit ta incizojmë me grupin “Melodia e Vjetër” dhe këngëtaren e jashtëzakonshme Nezafete Shala. Përveç muzikës popullore, filmi ka edhe shumë këngë të muzikantëve tanë më emiminent si: Shpat Deda, Armend Xhaferi, Nesim Maxhuni, Iliros, Labinot Sponca, Blerta Kosova, Bicalko etj. Unë jam pa masë falenderuese të gjithëve për bashkëpunimin, sepse punët e tyre kanë bërë që filmit t’i jepet ngjyra përfundimtare.

 Është filmi juaj i metrazhit të gjatë, si është ky kapërcim, nga filmat e metrazhit të shkurtër?

Filmi i metrazhit të gjatë është krejt diçka tjetër. Përderisa filmin e metrazhit të shkurtër mund ta punosh me një frymë dhe për një kohë rekord, filmi i metrazhit të gjatë kërkon kondicion të pashtershëm psiqik e fizik. Duhet të kesh durimin që të mund të qëndrosh e fokusuar me vite në projektin e njëjtë dhe ta duash atë pa kompromis, shpesh ta vësh në radhë të parë të prioriteteve jetësore. Kur i kam hyrë punës në filmin e metrazhit të gjatë, nuk kam menduar se kjo punë do të më zgjasë 5 vite. Nuk kam qenë aspak e përgatitur se ky film do të më marrë aq shumë vite të jetës sime.

 

Çdo lajm mbi shfaqjet e filmit do ta lajmërojmë në ëeb faqen e filmit: www.themarriagefilm.com dhe në faqen e FB: https://web.facebook.com/themarriagefilm/

 Shpesh diskutohet për numrin e vogël të regjisoreve në botë, ndërsa te ne shqiptarët, kemi një numër jo vetëm të madh të regjisoreve, por edhe shumë të suksesshme, si e shihni ju rolin e tyre në kinema?

Ah! Ky është një realitet shumë i bukur në Kosovë, që ka ndodhur për shkak të ndryshimeve që janë bërë në qendrën kinematografike në këto vitet e fundit. Me ardhjen në krye të institucionit të Fatos Berishës fillimisht, e më pas të Arben Zharkut, QKK ka rritur buxhetin e filmit çdo vit dhe ka filluar të financojë më shumë filma dhe më shumë regjisor të rinj, përmes jurive të pavarura. Meqë regjisorët burra janë të orientuar kryesisht në biznes dhe aty ku janë lekët, ne, gratë kemi marrë më shumë hapësirë për bërjen e filmave të pavarur. Kështu Kosova është bërë një shembull i financimit të filmave nga regjisore gra, duke financuar deri 50% të projekteve, pra kemi të bëjmë me një barazi të vërtetë gjinore. Dhe më e bukura është se kjo nuk është arritur për shkak të ndonjë kuote të caktuar, por sepse kualiteti i punës sonë ka qenë i barabartë. Besoj se kjo, do të bëjë që në të ardhmen e shpejtë, gratë të jenë të barabarta edhe në video projektet ekonomikisht të leverdishme, sepse tash duke e parë suksesin e punës tonë në botë, do të fillojë të ketë kërkesa që të na angazhojnë edhe në projekte komerciale. Dua të them se në dy vitet e ardhshme do të dalin shumë projekte të regjisoreve tona, të cilat do të bëjnë bujë si në botë ashtu dhe tek ne, në veçanti dua t’i përmendi dy projekte të cilat i kam përcjellë nga afër: Filmi “Aga” i Lendita Zeqiraj dhe “Zana” nga Antoneta Kastrati.

admin

Artikujt e tjetrë