Intervista

Zëri i fuqishëm i artit

Ajo është energjike, me sens humori, e këndshme, profesioniste… Është e pamundur këta pak rreshta ta përshkruajmë personalitetin e saj të veçantë. Ilirie Vinca, i takon brezit të aktoreve, që dashurinë për skenën e kishin të vërtetë. Të kohës kur arti ishte sinonim i vlerave, edukimit, ideve, profesionalizmit, dashurisë e pasionit. Sot ajo vazhdon të përçojë po të njëjtat vlera, të njëjtën energji, të njëjtin përkushtim e profesionalizëm. Viti që po lëmë pas ishte një pikë kthese, nëse mund ta quajmë kështu, për karrierën e Ilires, pasi ajo ishte sinonim i suksesit, me disa role të rëndësishme, projekte e kontrata të nënshkruara, me çmime dhe vlerësime përtej kufijve.

 

Foto: Shenoll Zehri/ Veshja: Blerina Kllokoqi Rugova/ Flokë&Grim: Pajtim Rraci

 

 Së pari, më lejoni tu pyes, nëse viti që po lëmë pas 2017, ka qenë një vit protagonist për ju si artiste?

Jo vetëm si artiste, por edhe në sferën personale, e shoh vetën përmbushur si nënë, femër, si profesoreshë, por edhe si një fëmijë që i ka dy prindër në moshë, të cilët kane nevojë për dashuri e kujdes. Çdo ditë e më tepër mësoj se si është të duash diçka, çdo ditë e më tepër e shoh sa e bukur është jeta, megjithë vështirësitë që t’i përplas jeta në fytyrë, të gjesh forcën, të gjesh shpresën, rrugën e të mos ikësh nga pengesat që shfaqen gjatë këtij rrugëtimi. Tu dalësh përballë atyre dhe çdo hap që e bën, të jetë udhërrëfyes për ty. Se jo çdo gjë që është e lehtë është e bukur në jetë dhe anasjelltas. Kjo pikërisht më ka pajisur me ndjesinë për ti parë gjërat në sy e të mos frikësohem. E liruar nga frika, shume shpesh befasohemi se edhe gjërat më të shëmtuara dalin të bukura. Jo vetëm viti që po lëmë pas, por këto katër pesë vitet e fundit, kanë qenë një periudhë që unë jam ndjerë e përmbushur, në papërmbushjen time, duke qenë më afër vetes njoha më mirë vetveten. E kur arrijmë ta dëgjojmë e të mos i flasim vetes, ta pranojmë e mos e gjykojmë,  ta pranojmë veten ashtu si jemi e jo ashtu si duam, atëherë i jemi afruar misionit më të vlefshëm e më të bukur të jetës, ta duam e ta pranojmë vetveten. Kjo na lartëson, na bën njerëz më të mirë, na bën të dimë të duam. Mendoj që kur fillojmë e shohim rreth vetes, nga vetja, duhet që mos ta gjykojmë shumë veten, mos t’i  vëmë shumë barrë vetes mbi supe. Nuk duhet t’i bëjmë pyetje vetes se çka duhet, por çka duam edhe duket sikur I jemi afruar misionit të jetës; ta duam vetveten.

Ka pasur disa momente kyçe siç ishte përzgjedhja juaj në mesin e 20 aktorëve të Ligës së Grave profesionale Teatrore në Nju Jork,  por çfarë do të thoshte për ju personalisht, dhe për teatrin tonë në përgjithësi?

Natyrisht që e mora me shumë gëzim dhe me të vërtetë që nuk e besoja, që prej një vendi kaq të vogël të vlerësohesha. Karriera ime artistike është një histori më vete, një hartim jete plot karakteristika, faza përmes të cilave kam kaluar. Duke filluar nga ëndrra e fëmijërisë për tu bërë një aktore e madhe, e cila do të ndryshonte botën, por që sot mund të them se bota më ndryshoi mua, sepse bota erdhi me të gjitha ngjyrat e saj. Karriera filloi në kohën e protestave paqësore, në një fazë të paraluftës, kohën e luftës dhe në një fazë të paqes që ishte dhe vazhdon të jetë një luftë në vete. E të gjitha këto më ndryshuan mua. Kjo mirënjohje që mu bë në Nju Jork, ishte diçka që më lumturoi edhe për faktin se ishte një tregues se kam bërë diçka. Gjithmonë kam menduar se nuk kam bërë ndonjë gjë të madhe. Ne ishim 20 finaliste të përzgjedhura në bazë të disa kritereve si psh kontributi në karrierë, të qenët model për shoqërinë ku jeton, si zë i fuqishëm për të drejta dhe liri të individit etj. Mirënjohje të tilla të tregojnë se njeriu më ëndrrën e dikurshme qoftë edhe ajo naivja, duhet të mos dorëzohet, të mos demotivohesh rrugës nga vështirësitë, por përkundrazi, ajo të shndërrohet në forcë. Dashuria dhe këmbëngulja ime për artin, aty ku unë kam menduar se kam zërin më të fuqishëm, sepse unë aty mund të shpreh jo vetëm dhembjen apo gëzimin personal, por se mbi supet e mia në kokën time janë të shtresuara shumë zëra të shoqërisë sonë dhe realitetit ku unë jetoj.

Po çfarë të frymëzon ta ngresh zërin për çështje të tilla?

Për fat të mirë rrjedh nga një familje me tri motra dhe një vëlla jemi trajtuar barabartë, kjo frymë brenda familjes dhe jo vetëm, duke pasur një ambient poeti, artistësh, kjo më ka dhënë shtysë që ta shikoj pabarazinë në një perspektivë tjetër. Të jesh aktore, t’i takosh artit, motivi i parë që të shtyn të bësh diçka është pikërisht dashuria ndaj njerëzve. Të dalësh në skenë të thyesh tabut, të nxjerrësh në pah pabarazitë e shoqërisë, të bësh më të vetëdijshme shoqërinë që i përket, aty fillon gjithçka. Të gjitha këto nga pak kanë ndikuara në formimin  personalitetit që kam sot, por edhe përballja ime me këto pengesa sepse nuk kam pasur një jetë të lehtë. Unë jetoj këtu dhe çdo ditë ndeshem me problemet e qytetit tim. Mbi të gjitha është e rëndësishme që gruaja duhet ta dijë forcën e vet. T’i çojë përpara gjërat e saj, duhet të punojë fort dhe të luftojë për atë që i takon.

Filmi i parë horror, ku ju jeni pjesëmarrëse, po korrë sukses ndërkombëtar, si ishte për ju, pjesëmarrja dhe interpretimi në një zhanër të tillë?

Unë i përkas atyre aktoreve, që i duan audicionet, janë gjithmonë aktive për të treguar që jam plot me energji dhe kam dëshirë të punoj shumë. Çdo rol që transformon aktorin është një sfidë dhe mua më pëlqen kjo gjë. Kur e mora ftesën për këtë audicion, u gëzova shumë sepse për aktorin është fat të luajë një personazh krejtësisht të ndryshëm nga vetja sepse rolet e ndryshme ta pasurojnë karrierën. E kam përjetuar shumë mirë këtë rol të ri pasi kureshtja ishte shumë e madhe sesi do të ishte në film i këtij zhanri dhe shto këtu pjesëmarrjen e suksesshme në shumë festivale ndërkombëtare.

Por si do ta përkufizoje këtë vit sa i përket roleve që ke pasur?

Ka qenë një vit i ngjeshur sa i përket roleve që kam pasur, qoftë filma të metrazhit të shkurtë apo atij të gjatë, por ajo që do të doja të ndaja me ju është interpretimi së bashku me vajzën time Rozafën në filmin e Lindita Zeqirajt -”Gardhi”,  e cila gjithashtu besoi për talentin e saj. Ishte një ndjenjë e mrekullueshme të interpretonim të dyja së bashku, por edhe sfiduese për të dyja. Ka pasur një skenë, ku unë duhej të qëlloja me shuplakë vajzën, dhe meqë filmi është xhiruar me një kuadër është përsëritur 27 herë. Kjo mbase i erdhi si një lloj metafore për profesionin e vështirë e të bukur të aktores.

Keni kaq shumë vite në skenë, keni pasur sfida të ndryshme në këtë profesion, ndërsa vajza është në hapat tuaja…?

Sigurisht që ka qenë një dilemë e imja shumë e madhe, të tria vajzat kanë shumë talent, natyrisht se janë rritur nga dy prindër aktorë, në një ambient që i ka edukuar me art. Nuk ua kam imponuar se çfarë të zgjedhin në jetë, Bardha, vajza e madhe zgjodhi psikologjinë për Rozafën e dija që ishte shumë e talentuar, njëjtë është edhe për Fluturën. Nuk duhet të harrojmë diçka, se për gjeneratën tonë të parë të aktorëve profesionistë nuk ka qenë e lehtë, sa i përket paragjykimeve. Në atë kohë nuk ka qenë e lehtë të kishe një baba që të thoshte, po të jesh artiste është privilegj, ti je e privilegjuar nga natyra, nga Zoti, do të ishte mëkat ta mbash për vete, pa ua dhuruar tjerëve. Pra të kesh një prind të tillë, që e tejkalon brengën për ta pasur vajzën e vet në një shoqëri ku paragjykohet, nuk ka sesi sot unë të jem ndryshe. Unë u kam treguar vajzave të mia, që nuk është një rrugë e lehtë, por varet sesa punon dhe këmbëngulë t’ia arrish në jetë. Unë përpiqem ti ushqej me idenë se jeta është e bukur atëherë kur gjen pasionin tënd. Atëherë puna stë lodh por shndërrohet në kënaqësi. Duhet të besosh në atë ëndrrën që ke fort në zemër…dhe vështirësi, po do të ketë, ama ato tejkalohen.

E keni realizuar personazhin e jetës tuaj, atë që do të donit një ditë ta interpretonit?

Në fakt kam shumë personazhe dhe karaktere që do të doja t’i interpretoja sepse besoj shumë që artisti duhet të jetë i angazhuar. Unë jetoj në këtë vend dhe nuk mund të shoh përtej pa e ditur se çfarë bëhet këtu, nuk mund t’i takoj as botës dhe askujt tjetër nëse fillimisht nuk i takoj vendit tim dhe problemeve që ka ai. Përballemi çdo ditë me padrejtësi, me një izolim të padrejtë të vendit tim, me dhunë ndaj gruas, me vrasje dhe ne do të bëhemi një shoqëri e civilizuar vetëm atëherë kur të dimë të sillemi me gruan dhe ta trajtojmë atë si njeri, e jo si gjini. Derisa nuk e kuptojmë se sa e rëndësishme është dashuria dhe respekti ndaj dorës që tund djepin, nuk do të mund të ketë zhvillim . Një dhembje të madhe që kam është përdhunimi i 20.000 grave në Luftën e Fundit në Kosovë. Heshtja e tyre më dhemb, heshtja për to, më tremb…

admin

Artikujt e tjetrë