Intervista

Udhëheqja, përgjegjësia shoqërore dhe suksesi i Coca-Cola HBC Kosova

Coca-Cola HBC është një nga mbushësit dhe shitësit më të mëdhenj të produkteve të kompanisë Coca-Cola në botë, dhe më e madhja në Evropë. Me gamën gjeografike që shtrihet nga Republika e Irlandës deri te pjesët më të largëta lindore të Rusisë, dhe nga Estonia deri në Itali dhe Greqi, Coca-Cola Hellenic është fokusuar në përmbushjen e kërkesave, shijeve dhe kulturave lokale të të gjitha 28 tregjeve të veta. Coca-Cola HBC njihet si fitues i çmimit prestigjioz Indeksi i Qëndrueshmërisë Dow Jones (IQDJ) si lider global në Qëndrueshmëri në industrinë e pijeve për të katërtin vit radhazi. Coca-Cola HBC në Kosovë është themeluar në Qershor të vitit 2003. Që nga fillimi, kompania ka qenë e përkushtuar për të krijuar vlera në tërë zinxhirin e vlerave, duke investuar më shumë se 4 milionë euro në përmirësimin e kushteve të tregut, rritjen e aftësive të punonjësve dhe krijimin e programeve afatgjate për komunitetet lokale. Kompania ka të punësuar personel lokal dhe është një tatim pagues i përgjegjshëm. Neritan Tira, drejtor i Coca-Cola HBC Kosova tashmë një vit, ndan me ne shembujt e të qenit një lider i suksesshëm, vlerave në bazë të cilave punon dhe predikon te punonjësit e kompanisë. Me një përvojë të madhe në kompanitë ndërkombëtare, në këtë fundvit, ai na tregon për sfidat, projektet dhe ambiciet e kësaj kompanie në Kosovë.

 

Së pari, a mund të na flisni pak për veten tuaj, nga jeni, arsimimin tuaj dhe shkurt nga përvojat tuaja të mëparshme të karrierës?

Jam lindur në qytetin e Pogradecit, fëmijërinë e kam kaluar atje, më pas kam konkurruar dhe fitova një burse për në kolegjin turk “Mehmet Akif” në Tiranë, për të vazhduar me një tjetër bursë studimore, në Akademinë e Lartë të Aviacionit Ushtarak në Itali, si dhe në të njëjtën kohë edhe universitetin “Federico II” për Shkenca Politike/ adrese Biznes Ndërkombëtar. Mbas studimeve vendosa të kthehesha në Shqipëri dhe për një kohë të caktuar punova në Ministrinë e Mbrojtjes, ku më pas ndryshova orientimin në karrierë duke kaluar me punë në British American Tobacco, vetëm për të vazhduar pastaj me punë në SC Johnson,dhe së fundmi në MBC Monster Beverage Corporation, që ishte një rrjedhojë e dëshirës dhe ambicies për të vazhduar më tutje. Kalimi te Coca Cola ishte një nga ato oferta që vështirë të refuzohen edhe pse dua të them që edhe përzgjedhja ishte tejet selektive.

Tashmë prej një viti, jeni në krye të Coca-Cola HBC Kosova, një prej kompanive më të mëdha botërore, në Kosovë, a mund të na tregoni më shumë se cilat janë sfidat tuaja për të  zhvilluar apo çuar më tej një kompani të tillë?

Të jesh në timonin e një prej kompanive më të mëdha në botë, është sa sfiduese aq edhe frytdhënëse. Në një kompani të tillë ka gjithmonë diçka për të mësuar sado i dijshëm dhe me eksperiencë të jesh dhe gjithashtu ka gjithmonë probleme për të zgjidhur pasi kompleksiteti rritet me rritjen e kompanisë. Një gjë është e sigurt, nuk ka hapësirë për rutinë apo mërzitje. Çdo ditë përballesh me sfida të ndryshme, të cilat të nxjerrin “out of the comfort zone”, të shkundin nga rehatia dhe të detyrojnë t’i shikosh gjërat nga një këndvështrim tjetër. Sfidat e tanishme për Kosovën kanë të bëjnë me ngritjen e bashkëpunimit me tregun lokal në të njëjtin nivel ndërveprimi si tregjet e tjera të rajonit dhe evropiane. Ndërveprim, i cili do të konkretizohet nëpërmjet rritjes së mbështetjes tonë, ndarjes së eksperiencës dhe të “Know How” të një kompanie si Coca-Cola me bizneset lokale pjesë e fushës së “FMCG” (mallrave të konsumit të shpejtë). Prioriteti ynë është pikërisht ky dhe ne jemi duke bazuar strategjinë tonë në një rritje të shëndetshme dhe të qëndrueshme nëpërmjet bashkëpunimit me kompanitë dhe institucionet vendase dhe mbështetjes ndaj partnereve dhe klientëve tanë, të cilët gjithashtu janë pasqyrë e kompanisë sonë.

Çfarë do të  thotë për ju të jeni një lider i suksesshëm?

Përgjithësisht hasim dy mënyra të udhëheqjes apo lidershipit; e para, ata të cilët udhëheqin duke parë nga lart, pa u përfshirë në hallkat e ndryshme të biznesit, me pak fjalë “bëni siç them unë dhe mos bëni siç bëj unë”; e dyta, nëpërmjet një shembulli të mirë. Një lider i mirë është ai që jeton në bazë të vlerave në të cilat beson dhe predikon tek punonjësit e vet. Besoj se kjo është mënyra më e mirë për të pasqyruar një lidership të mirë dhe efektiv.

Cilat janë disa nga vlerat që duhet të posedojë një lider i kompanive të rëndësishme? Si siguroheni që këto vlera të barten edhe tek stafi duke ndërtuar raporte të mira dhe efektive me ta?

Përgjegjësi, korrektësi dhe iniciativë. Janë tre elemente kyç që ndërtojnë një bazë të shëndetshme mbi të cilën mund të krijosh çfarëdo gjeje.“Përgjegjësi” në kuptimin e të qenët i përgjegjshëm për veprimet që merren, në lidhje me punën dhe punonjësit, edhe në momentet e vështira ose më saktë sidomos në momentet e vështira, pasi çdo vendim ka pasoja. Me “korrektësi” nënkuptoj vazhdueshmërinë dhe konsistencën në ato që thuhen dhe planifikohen pasi koha është element esencial. Së fundmi me “iniciativë’ nënkuptoj ndërmarrjen e nismave jashtë planifikimit paraprak, nisma të cilat sjellin vlerë të shtuar ndaj biznesit. Unë besoj në një raport te hapur, i cili është një tregues i mirë i një ambienti pune, ku punëtorët ndihen të lirë për të shprehur ide apo ndërmarrë iniciativa. Ne sigurohemi se kjo arrihet duke i ofruar secili anëtar të stafit më shumë se 26 orë trajnime shtesë, gjë që konfirmon më së miri se si ne ndërtojmë, zhvillojmë dhe krijojmë një ekip fitues. Të njëjtën marrëdhënie dhe përkushtim kemi krijuar edhe me klientët, bashkëpunëtorët dhe konsumatorët tanë, pasi ne besojmë dhe i jetojmë vlerat tona.

 Të  kthehemi tek kompania Coca Cola HBC Kosova. Në vitin që po lëmë pas keni pasur një sërë aktivitetesh të cilat prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarit, cilat janë planet e juaja në vazhdim?

Për të katërtin vit radhazi Coca-Cola HBC njihet në Indeksin e Qëndrueshmërisë Dow Jones (IQDJ) si lider global në Qëndrueshmëri në industrinë e pijeve. Në përputhje me vlerat tona botërore,  ne si kompani me veprimtari lokale mbështetemi tek qytetaret ndaj dhe asnjëherë nuk e nënvlerësojmë rëndësinë e mirëqenies se tyre. Punojmë dhe planifikojmë për të siguruar një të ardhme të mirë e të sigurt për të gjithë, duke i fokusuar aktivitetet tona të CSR-it në tri themele bazë siç janë: në fuqizimin e rinisë, mbrojtjen e ambientit si dhe investimet në mirëqenie te komunitetit. Filantropia është një komponentë kyçe e kulturës sonë, duke u siguruar se çdo vit ne ndihmojmë anëtarë të komunitetit në nevojë. Në këtë drejtim këtë vit ne kemi shtyrë përpara çështje të rëndësishme përmes ndërtimit të Zonës Aktive në Parkun e Gërmisë, themelimit të Eko Parkut në Prishtinë për një ambient më të mirë, si dhe mbajtjen e ligjëratave me studentë, mbështetjen e personave në nevojë si dhe vullnetarizmin e stafit të kompanisë.

Meqenëse jemi në prag fundviti, a mund të ndani me ne se çka mund të presim nga ju në vitin në vijim?
Duke parë ndikimin pozitiv që kemi arritur të krijojmë tek banorët, ne do të vazhdojmë të investojmë edhe vitin tjetër në aktivitete të tilla të CSR-it dhe filantropisë. Dhe ju siguroj që nuk mbaron me kaq, kemi disa projekte të tjera të mëdha, të cilat lidhen me të rinjtë, me rritjen e aftësive të tyre dhe projekte të lidhura me ambientin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve të Kosovës, pasi ne të gjithë ndikohemi pozitivisht nga përmirësimi i mirëqenies se komunitetit.

admin

Artikujt e tjetrë