Gruaja

Politika ndryshe e grave

Një profil i inxhinieres, e cila u bë pjesë e politikës, aktualisht zëvendësministre, Magbule Shkodra, në Flatra, për të na rrëfyer këtë rrugëtim, që e ka ndarë mes familjes dhe karrierës, shkencës dhe politikës.

 

Nga Jonida Balla

 

Ka pasur gjithmonë një person në jetën e saj, i cili e ka frymëzuar dhe nxitur për të ecur përpara, vetëm në mënyrë dinjitoze, me dashuri për vendin dhe pasion për punën. Zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule Shkodra, vjen këtë fundvit në Flatra, për të na rrëfyer më shumë për jetën e saj, mes jetës personale, profesionit dhe politikës. “Im atë mbetet shembulli i jetës sime, qoftë në familje apo punë. Sadri Shkodra, nuk ishte thjeshtë babai im, por një kontribuues i madh në arsimin dhe shoqërinë e Kosovës, unë thjeshtë dëshiroj të ecë gjurmëve të tij.”- fillon intervistën znj.Shkodra. Pas përfundimit të shkollës fillore dhe të mesme – drejtimin matematikor, në Prishtinë me sukses të dalluar, Magbule Shkodra vazhdoi studimet në Fakultetin e Elektroteknikes. “Vij nga një familje e shkolluar, ku të dy prindërit kanë brumosur te ne fëmijët, dashurinë për arsimin, kulturën, atdheun. Babi im, prof. Dr Sadri Shkodra, së bashku me nënën time, për të gjashtë ne fëmijët kanë pasur primare të arsimoheshim, ata kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm për ndërtimin e personalitetit tonë.”- shprehet  znj. Shkodra. Gjatë studimeve mori pjesë aktive në protestat e studentëve kundër agresionit serb ndaj Kosovës ndërkohë pas diplomimit në Fakultetin e Elektroteknikes, në vitin 1996 regjistroi studimet e Magjistraturës në drejtimin e Elektronikes në UP. Përfundoi të gjitha provimet me nota maksimale dhe për shkak të gjendjes së krijuar në vend e pati të pamundur të mbrojë temën magjistraturës. Rrethanat në Kosovë, ashtu si shumë shqiptarë tjerë, e detyruan që të largohet me bashkëshortin dhe dy djemtë e saj drejt Londrës, ku në vitin 2004 përfundoi studimet e magjistraturës në Sistemet Informatike Inxhinjerike në London Southbank University, Londër, UK. Me përfundimin e studimeve fitoi titullin Magjistëre e Shkencave e dalluar (MSc ëith distinction). Fillimisht në UK kontribuoi si përkthyese duke vazhduar tutje me pozitë menxheriale në kompaninë Grays Inn Ltd dhe më vonë u angazhua në organizatën Amnesty International – Londër ne sektorin për Ballkan mbi mbrojtjen e të drejtave te grave në Kosovë dhe Shqipëri.

Kthesa drejt politikës

Pavarësisht një karriere të suksesshme në Britaninë e Madhe Magbule Shkodra së bashku me bashkëshortin, Bujarin, vendosin të kthehen në Kosovë. “Nuk ishte edhe një vendim i lehtë, por kishim dëshirë që djemtë tanë të rriteshin në atdheun e tyre, të mësonin gjuhën shqipe dhe më vonë të mund të riktheheshim në Londër. Nisa të punojë ligjëruese në kolegjin universitar Gjilani në Gjilan. Krahas punës si ligjëruese, nga viti 2007 u angazhova edhe në Autoritetin Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Shërbimeve Postarë (ARKEP) në Prishtinë në të cilin  kapacitetin e ekspertes isha përgjegjëse për çështjet e standardeve, interkoneksionit, tarifave, infrastrukturës dhe së fundmi në vitin 2014 udhëheqëse e projektit kapital me interes nacional mbi kualitetin e shërbimeve te komunikimeve elektronike.”- thotë ajo. Sigurisht që angazhimi në politikë nuk ishte objektivi i saj, madje deri atëherë nuk kishte bindje të caktuara politike, por duke jetuar realitetin e përditshëm të Kosovës, e pa si një mundësi ku forca dhe kontributi i saj do të ishte më i madh, më efektiv. “Të jem e sinqertë në fillim ishte shumë e vështirë, sepse jam  nga ata njerëz që kur e shoh të padrejtën, duhet të ngre zërin, isha rritur në atë frymë që të mos heshtja para këtyre situatave. Dhe angazhimi në politikë erdhi shumë natyrshëm, i them bashkëshortit tim, që e kam edhe shok, këshilltarin tim më të mirë, unë po provoj t’i ndryshoj gjërat nga poshtë, por duhet ta nis prej lartë, të hyjë në politikë. Më dukej e vetmja mënyrë, por për ta nisur këtë rrugëtim së pari më duhej mbështetja e tij, e familjes sime. Përzgjedhja e Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, erdhi në momentin kur takova kryetarin Ramush Haradinaj, pashë te ai të njëjtën forcë për të ndryshuar gjërat, dashurinë për vendin, njëjtë si te unë, kështu pavarësisht ofertave të partive tjera, vendosa të jem në AAK”- tregon zëvendësministrja. Në vitin 2014, në prag të zgjedhjeve elektorale, i hyn garës për deputete, ku fatkeqësisht kohës së shkurtër nuk arrin ta kalojë pragun, megjithatë nga ajo fushatë mësoi shumë, mbi të gjitha preku nga afër qindra njerëz, që i besuan, asaj, por edhe kontributin që babai i saj, Sadri Shkodra i ka lënë Kosovës. “Tashmë u bë hera e dytë që garova për deputete e Kuvendit të Kosovës, e njoha vendin tim në çdo cep, njoha njerëzit e mi, të cilët besuan në fjalën time, besuan  në personalitetin tim, por ajo çka mbeti fort në mendjen dhe zemrën time, ishte puna e pashterur e babait tim, që reflektohej në shumë njerëz që takova, ata i ishin falënderues atij, dhe kjo më bënte shumë krenare.”- rrëfen Magbulja. Edhe pse sot ajo nuk është në Kuvendin e Kosovës, u emërua zëvendësministre e Zhvillimit Rajonal, gjithashtu edhe në strukturat e partisë, ku është edhe kryetare e Aleancës së Gruas.

 Gratë dhe politika

Numri ende i vogël i grave si përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës tregon se nuk votohen as nga gjinia e njëjtë, për zëvendësministren Shkodra, ka arsye të shumta pse duhet të kemi kuota sa i përket kësaj çështje? “Unë mendoj se shoqërisë sonë i duhen kuota sa i përket pjesëmarrjes së grave në politikë, dhe atë jo 30%, por 50%, e di që dikush mund të më kritikojë, por ende mentaliteti ballkanik nuk e pranon rolin dhe pjesëmarrjen e gruas në masë të gjerë. Ndaj them është e nevojshme kuota, por diçka dua të theksoj, që kuota duhet të shërbejë si shtysë, mandej gratë duhet të tregojnë se ia vlen, se vazhdojnë tej në bazë të vlerave dhe cilësive të tyre. Kemi raste të ndryshme në Kosovë, ku gratë janë votuar më shumë se burrat, vetëm në bazë të meritave të tyre. Sigurisht që është diskriminuese, por ne do të i kishim një kuvend vetëm me burra, nëse nuk do të ishin ato kuota, por besoj gradualisht gjërat do të shkojnë në drejtimin e duhur”- shprehet znj. Shkodra. Duke shtuar se organizimet e ndryshme brenda partisë si Aleanca e Gruas, është një katalizator për të ndërgjegjësuar dhe afruar gjininë femërore me politikën apo fusha tjera. “E di që shpesh debatohet për këto organizime, por unë ju tregoj, nga përvoja ime personale, që janë shumë të vlefshme, sepse Kosova nuk është vetëm Prishtina, e në periferi, atje larg, në një katund, as nuk merret në konsideratë aktivizimi i grave në politikë, në “punët e burrave”. Por shpesh herë kjo harrohet…pikërisht atyre duhet tu përçojmë mesazhin se të gjitha gratë munden”- thekson zëvendësministrja. Në pozitën aktuale, Magbule Shkodra, e sheh si një përgjegjësi shumë të madhe në karrierën e saj, si një moment, ku duhet çojë përpara çështje të zhvillimit social dhe ekonomik. “Kjo është një ministri e re dhe sigurisht që ka sfidat e veta, dhe unë do të jem pjesë e tyre, pro ajo çfarë dua personalisht të bëj, që nëpërmjet kësaj pozite, kompetencave dhe qëllimeve që kjo ministri, të bëjmë ndryshime që qytetari i ndjen në supet e veta. Kjo është ajo çfarë dëshiroj. Të përkrahim ato familje, ato projekte, të cilët i ndihmojnë konkretisht njerëzit në Kosovë.”- shprehet zëvendësministrja.

Magbule Shodra është një ndër gratë që me vullnet të hekurt kërkon të bëj japë kontributin e saj në ndryshimin për mirë të këtij vendi, gra si ajo dhe shumë të tjera, ndajnë përditshmërinë e saj mes punës, fëmijëve, bashkëshortit, familjes dhe miqve. Një histori suksesi, e cila na tregon sesi një grua mund të jetë e gjithanshme, të afirmohet në punë dhe në jetë pa humbur asnjëherë personalitetin e saj.

admin

Artikujt e tjetrë