Shëndet

Një rrugëtim artistik me Sali Musliun

Një intervistë me piktorin e mirënjohur Sali Musliu, një rrugëtim në pikturat dhe mesazhet që përçon përmes artit, një përvojë evropiane që vjen e rrëfyer këtë fundvit.

 

 Së pari, mund të na flisni pak për karrierën tuaj artistike?

Karriera ime ka rrjedhur krejtësisht në mënyrë spontane dhe është zhvilluar kryesisht jashtë Kosovës, konkretisht në Gjermani, aty ku dhe një pjese të gjate kam jetuar, studiuar dhe natyrisht  kam krijuar … Ndërsa formësimi im artistik, studioz e analitik është i ndikuar  nga dy akademi e arteve, në Prishtinë  dhe Düsseldorf-it  të Gjermanisë … Sigurisht që të dyja për nga programi e koncepti ishin totalisht të ndryshme , pra, në Prishtinë aplikoheshin ‘’programet’’  konvencionale të studimit që dua te them’ ishte skolastike e vjetruar, monotone dhe  pak e gati hiç frymëzuese për studiuesin dhe akademia e Düsseldorfit, e cila si “Red Bull” më dha krah me fluturu në botën e artit. Kam qenë për dy vite student i fakultetit të Arteve në Prishtinë dhe katër vite student i Akademisë së Düsseldorfit, ku e pata rastin të kontaktojë me artistët më të mëdhenj botëror bashkëkohor dhe nga të cilët me shumë entuziazëm i mora mësimet e tyre.

Si mund  të përkufizohet arti  apo veprat e tua artistike, art social apo politik?

Mendoje se krijimtaria ime artistike ka patur për qellim t’i tejkalojë përkufizimet parciale terminologjike, pra tendenca është të krijohet një qasje më e gjerë e shlirueshme dhe më universale duke përfshirë natyrisht  edhe këto që ju i keni përmendur.  Me lehtësi them se ka elemente sociale dhe politike, mirëpo siç dihet të gjitha këto të trajtuara me gjuhën artistike.

 

Çfarë mbizotëron në krijimet e tua apo të themi përbëjnë thelbin e tyre?

Në pikturën time janë dy aspekte, të cilat duhet të merren parasysh, aspekti përmbajtjesor dhe ai i cili karakterizon shprehjen time artistike – individuale  apo siç është e njohur në art dhe popull  si “stili krijues” që do të thotë përshkruan mënyrën e shprehjen individuale të artistit. Më lejoni t’ju them se kjo pyetje nuk është aspak e lehtë të formësohet plotësisht  apo t’i jepet një përgjigje e përkufizuar e koncize. Mirëpo padyshim që janë disa gjera të cilat mund edhe të thuhen apo të trajtohen nga prizma të ndryshëm apo si në rastin konkret nga trajta të cilën unë e shoh dhe e perceptoj ata … edhe pse për këtë gjë, më të sofistikuar janë profesionalistët e kritikës së artit, që ekskluzivisht merren me shpjegimin, zbërthimin apo entcifrimin e veprave  artistike. Sidoqoftë edhe unë dua ti them pak fjale për krijimtarinë time relativisht të gjatë dhe aspak të lehte e për të cilën mendoj se mund të jetë “interesante” për artistët shqiptarë … Pra, parimi im thelbësor ka qenë: Puno apo mendo komplikueshëm ama shprehu me thjeshtësi… këto rregulla apo parime që pak a shumë tingëllojnë si vetekomunikim i çmendur, sugjerim, kthjelltësim apo orientim i vehtes për të ecur në drejtimin e dëshirueshëm. Ishin këto rregulla që ja shkruaja vetit dhe i ngulitsha nëpër muret e ateliesë të cilat më mbanin të orientuar në punën time artistike. Tek unë ndikim të madh ka pasur në veçanti Neoexpresionizmi modern gjerman dhe konceptet e POP Artit American, të cilat dallojnë njëra me tjetrën për nga trajta estetike. Ne, evropianët jemi shumë substancial në koncepte, të cilat bazën e kishim në traditën evropiane dhe pop arti amerikan i cili rendësi të veçantë i theksonte vizualizimit sipërfaqësore. Këto pra ishin disa koncepte të cilat kishin në vete divergjenca të mëdha mirëpo bash këto divergjenca tek unë ndikonin në formësimin tim kritike ndaj qasjeve të reja konceptuale!  Pra nëse mundohem ta rrumbullakoj disi shprehjen time, atëherë unë gjithmonë them se jam produkt i Akademisë së Düsseldorfit dhe të gjithë ata të cilët e njohin konceptin e kësaj akademie e kuptojnë përafërsisht se çfarë arti zhvilloj.

 Çfarë mesazhi kërkon të transmetoni te qytetarët nëpërmjet veprave tuaja artistike?

Po! Qytetari në pikturën time e hasë të zhveshur maskarallekun ballkanik … mjerisht,  ne ”ballkanasit’’ treguam se nuk ishim ne gjendje t’i japim Evropës diçka më të mirë se ligësinë primitive që na plasi në vitet e 90-t. Ishte pikërisht ky mentalitet që më shtyu të pikturoj, këmbët e zbathura , Krishtin e gozhduar … gjurmët trishtuese në muret e shtëpive, bagëtinë, ëndrrën e thye, duart në qiell, breshkën e karcyllin, syrin, zhapinin, shtëpitë e djeguna  dhe shumë e shumë simbolika, të cilat i shfrytëzoj maksimalisht për të krijuar tablotë pikturave. Mirëpo ju lutem ta kemi në kujtesë, siç e përmenda, e gjitha kjo në frymën hiper-Neoexpressioniste. Ndoshta është mirë të theksojmë se nëse dëshirojmë një përkufizim të vogël për pikturën time atëherë duhet të cekim se unë jam marr një kohë të gjatë me temën e dëbimeve të dhunshme apo ndryshe siç njihet në gjuhën politike edhe si  deportacion, këtë temë jam munduar që ta trajtoj. Kryesisht në aspektin global edhe pse aspekti etnik e nacional nuk është larg nga vepra ime “ndoshta” edhe bash kjo me frymëzoj për të hyrë në këtë tematikë komplekse, e cila është tragjike dhe mjerisht e vjetër sa vet njeriu.

 Sa ka ndikuar kultura shqiptare në veprat tuaja artistike?

Përgjigjja është 100 %,  mue nona Sherife e Sabri aga më kanë lindur J. Pavarësisht  ku jetoj  e ku shkoj, loza ime mbetet e pa ndryshuar, shqiptare me flamurin veç  kuq e zi. Prejardhja ime natyrisht më bën shumë krenar sikurse që në shumë raste më bën edhe të ulë kokën. Gjë që është e natyrshme, sepse asgjë nuk është perfekte !

  Cili është mendimi juaj për artin pamor shqiptar në përgjithësi?

Oh … pyetja juaj më tingëllon si ‘ngacmim’ apo si  “provokim’ etnik ! Më duhet të them haptazi se tema është jashtëzakonisht e rëndësisë së lartë dhe për të cilën shqiptarët domosdoshmërish duhet të debatojnë ashpër e me mençuri të lartë në çdo arenë arti e posaçërisht në nivelet  akademike. E kam përshtypjen se është rast i volitshëm që pyetjes tuaj t’i përgjigjem kjarte dhe pa hamendjen më të vogël … Akademia e dobët prodhon studentin e dobët ! Me këtë dua të them se,  nuk njoh as edhe një akademi në të gjithë Europën, e cila është më e dobët se Akademia e Prishtinës, prandaj duhet te kuptojmë drejtë dhe kjarte se …  ne shqiptaret jemi më të dobëtit në Europë! E di që ndokujt mund edhe t’i bahet çehrja me idhcak nga opinioni im i hapur mirëpo idhcaku prej çehres hjeket  vetëm se me pune të madhe dhe përkushtim të lartë profesional, prandaj duhet ndryshuar koncepti në institucionet tona akademike. Shqiptarët është mirë të bëjnë një pushim se mjaftë kanë tregu trimëri tash është koha për çështje tjera.

admin

Artikujt e tjetrë