Kulturë

Kur Melodia e Vjetër sundon skenën e re

Muzika e vjetër shqipe është një nga trashëgimitë tona më të bukura kulturore. Vargjet, meloditë, instrumentet, janë ato që na bëjnë edhe më nostalgjikë për këngët e vjetra qytetare. Meqenëse jemi në prag të festave të fundvitit, menduam që dhurata më e bukur për lexuesit tanë do të jetë pikërisht kjo trashëgimi nga e kaluara jonë dhe një përjetim emocionues i rrëfimit të artistëve, të cilët nuk hezitojnë asnjëherë të na risjellin meloditë e bukura të së shkuarës. Grupi Melodia e Vjetër me vokalin e mrekullueshëm të artistes tonë Nezafete Shala, mbeten artistët më unikë në skenën shqiptare sot, duke sfiduar të gjitha zhanret që e dominojnë tregun. Unikë jo vetëm me këngët e vjetra që risjellin, por edhe me performancën dhe detajet e tjera që e plotësojnë këtë ansambël të vogël. Agim Malazogu është njëri prej anëtarëve të këtij grupi artistësh, i cili na tregon se ideja për themelimin e Melodisë së Vjetër, ka lindur si dëshirë për të sjellë sërish një repertor të bukur e të vjetër të muzikës qytetare shqipe, bashkë me zërin e mahnitshëm dhe të bukur të artistes Nezafete Shala.

Melodia e Vjetër përbëhet nga anëtarët e familjes Shala, Nezafete, Arsim e Nijazi Shala dhe Agim Malazogu e Lulzim Kazazi.

“Muzika jonë është shumë e veçantë, e cila është ruajtur e zhvilluar falë disiplinës dhe insistimit të kryefamiljarit të familjes Shala, i ndjeri Faik Shala, I cili ka interpretuar në violinë. Përzgjedhja e repertorit muzikor dhe tekstit që  këndojmë (shumë i vjetër por i bukur), instrumentet tona tradicionale (def, mandolinë, harmonikë), pjesa më e madhe e repertorit që interpretohet në program është marrë nga këngëtarët e Shqipërisë, që do të thotë nga vitet 1950 e tutje, pra frymëzimi ynë për të krijuar është I bazuar kryesisht në muzikën e Shqipërisë së Mesme, nga artistë të njohur si  Fitnete Rexha, Hafsa Zumberi, Luqie Miloti, Bik Ndoja etj. Ndërsa disa nga këngët që I do shumë publiku janë këngët e Hafses si “Si mke sytë, mi ke vetllat’’, pastaj kënga e shoqnisë-Fitnete Rexha, “Moj dashnore të bekoftë Perëndia’’, “Oh për njat unazë’’,”Mu aty o ke 7 zymbyla’’ e shumë këngë të tjera qytetare, të cilat mbeten të paharrueshme dhe të papërsëritshme ende edhe sot.”

Ashtu siç e cekëm më lartë një nga pjesët esenciale të Melodisë së Vjetër është pikërisht zëri i mahnitshëm i artistes Nezafete Shala, një perlë e rrallë dhe një kontribut i rëndësishëm për muzikën shqipe. Një zë i pastër, i veçantë, një artiste energjike dhe origjinale në interpretimin e këngëve dhe performancën në skenë.

“Kontributi i muzikës sonë në kohën e sotme është shumë i mirëpritur nga gjenerata të ndryshme, duke filluar nga mosha 18 vjeçare e tutje, e që është për të të ardhur çudi dhe njëkohësisht të bënë të lumtur që në një mbrëmje muzikore gjatë performimit të gjithë mysafirët afrohen afër muzikës dhe këndojnë me ne. Ky është arti i bukur apo vazhdimi i edukimit dhe kultivimit të muzikës së mirëfilltë shqipe.”- tregon Malazogu, i cili shton se muzika aktuale shqipe në tregun tonë sot, ka pësuar ndryshime drastike. Sot gjithçka është më e lehtë, por jo gjithçka është origjinale, ku të gjithë mund të bëjnë muzikë, por asnjë që i mbijeton ndryshimeve e viteve ashtu si në rastin e muzikës autentike shqipe, e cila sa më e vjetër dhe më origjinale, aq më e pranueshme dhe e këndshme do të jetë për brezat që do të vijnë.

admin

Artikujt e tjetrë