Gruaja

Fuqia e momenteve “aha!!!”

Të gjithë individët posedojnë në ADN gjenin e mbijetesës dhe kanë aftësi homeostazike (homeostasis është aftësi adaptuese e individëve ti përshtaten kushteve të ndryshme jetësore për të mbijetuar dhe mbajtur ekuilibrin). Mirëpo, njeriu është gjithashtu qenie eksploruese në kërkim dhe zbulim të së vërtetës; por çfarë qenie eksploruese do të ishte një njeri, nëse nuk zbulon se kush është në të vërtetë? Momentet “aha!!!” janë pikat kulminante të eksplorimit të vetëdijes në të kuptuarit e realitetit personal. Duke filluar nga momentet “aha!!!” fillon revolucioni personal apo rilindja personale.  Rilindja personale është zgjuarja dhe rritja individuale, që i mundëson individit të bëhet personi që ka dashur gjithmonë të jetë. Ky revolucion personal nuk ndodh në mënyre radikale. Janë shumë momente të vogla  “aha!!!” që shtyjnë njeriun të dalë nga zona e komfortit.

Mirëpo, çfarë të shtynë të bësh revolucion personal?

Më poshtë janë disa pikëpamje që mund ti kesh parasysh kur të jesh buzë momenteve “aha!!!”:

  1. Negocimi i vlerave tua që ti përshtatesh dikujt – Vlerat tua janë të pa negociueshme, nëse ende nuk je i/e gatshme ti negociosh. Në momentin kur fillon ti negociosh këto vlera me të tjerët pa dëshirën tënde, në mënyrë që ti përshtatesh pritjeve të të tjerëve, ti tjetërsohesh nga vetja në mënyrë artificiale. Ky nuk është revolucion personal edhe pse transformimet janë evidente, vetëm e vetëm për shkak të faktit se ndryshimi nuk ka buruar nga ti për hir tëndin, por për hirë të të tjerëve. Ky ndryshim nuk është afatgjatë dhe me kalimin e kohës nuk do të ndjesh integritetin apo vlerat tua në sinkronizim, dhe herët ose vonë e vëren se ky person që je shndërruar, nuk është ti në të vërtetë;

 

  1. Akuzimi i te tjerëve për situatën tënde të pa lakmueshme – Hedhja e fajit gjetiu, të bën të ndjehesh më mirë sepse e ngushëllon veten me arsyetime se “nuk është faji yt” që ndodhesh në këtë pozite. Derisa nuk merr përgjegjësi për të kaluarën, nuk mund të kesh revolucion personal, pasi që do të jetosh në zonën e komfortit dhe zonën e viktimës ku faji nuk është i yti. Edhe kur ke negociuar vlerat tua në të kaluarën, pa dëshirën tënde, nuk do të mund të vazhdosh me të ardhmen në qoftë së nuk e merr barrën tënde të përgjegjësisë. Edhe nëse ke qenë pre e negocimit të padëshiruar, duhet pajtuar me të kaluarën dhe duhet lënë pas si pjesë të jetës tënde, qoftë edhe nëse është e hidhur, meqë mu ajo pjesë e jetës të ka mundësuar të jesh personi i sotëm;

 

  1. Caktimi i kufijve – Secili individ ka kufij deri ku lejon influencën e të tjerëve. Kufijtë që i cakton vet, krijojnë vetë-respektin, dhe sa je i/e gatshëm ti shtysh apo shkelesh këta kufij pa dëshirën tënde, tregon nivelin e integritetit personal. Ndonjëherë është vështirë të caktosh kufij sepse nuk do të lëndosh apo zhgënjesh dikë, por para se gjithash duhet ta duash veten, dhe nëse lejon dikë të hyj brenda kufijve duhet t’jua bësh me dije se është privilegj e jo e drejtë e tyre .

 

  1. Bredhja në “purgatorin personal” – “Purgator personal” e quaj situatën apatike të një individi për të cilin rrethanat jetësore “status-quo” janë të padurueshme. Në këtë rast gjeni i mbijetesës del ne pah dhe ndodhe ajo shtytja psikologjike që të jep shqelmin e duhur për të ndërmarrë hapa. Dikush do te bredh më gjatë e dikush më pak, por secili individ do të ketë periudha bredhjesh në purgatorin personal. Në gjuhën angleze njihet si “soul searching” apo “në kërkim të shpirtit” që nënkupton dialogun me veten lidhur me: “çka më tutje?”;

 

  1. Rilindja – Për të rilind si person duhet të vdes i vjetri. Është proces ku është vështirë të pajtohesh me humbjen e vetes tënde të vjetër. Edhe kjo ndjenje humbjeje që do të ndjesh për veten tënde të vjetër është proces që nuk ndodh shpejt, por proces shumë i nevojshëm që të rilindësh. Kur të vendosësh që të rilindësh si person, do të kesh energji dhe vrull adrenaline që nuk janë evidente tek personat bredhës në purgator. Kjo shtytje energjie është zell për jetën tënde si person i rilindur – shpenzoje me mend.

Nëse mendon dhe ndjenë se ke nevojë për ndryshim në jetën tënde, mos ke frikë të reflektosh në momentet “aha!!!” meqë do të të shpijnë tek rezultatet e dëshiruara. Revolucioni personal nuk imponohet dhe nuk mund dikush të të shtyjë ta iniciosh. Çdo gjë në kohë të duhur e edhe ti do ta gjesh momentin e duhur për rilindjen tënde meqë njerëzit janë gjithmonë në zhvillim. Nuk je sot ai/ajo që ishe para 10 viteve, dhe sigurisht nuk do të jesh i/e njëjta pas 10 viteve. Çdo zhvillim dhe transformim që bën, len gjurmë në personalitetin tënd dhe krijon bazamentin e asaj që do të jesh në të ardhmen. Bëhu versioni me i mirë i vetes që mund të bëhesh. Rilind dhe transformohu sepse potenciali yt është brenda teje dhe askush nuk ka të drejtë mbi potencialin tënd. Një gjë është e sigurt siç ka thënë Albert Einstein: “Nëse vepron gjithmonë në mënyrë të njëjtë, do arrish rezultate të njëjta. Vetëm një i marrë beson se me veprime të njëjta arrihen rezultate të ndryshme”.

A ke guxim të rilindësh dhe bëhesh versioni më i mirë i vetes tënde?

admin

Artikujt e tjetrë